Sekretet kleopatrike tashmë cullak në shesh!

(sguraziu – ap, j 2020)

…siç e dimë egjiptasit dikur i përdornin hieroglifet, jo se s’dinin ndryshe, jo se gjoja s’mund ta shpiknin një scribo-sistem më kompleks, por thjesht s’u pëlqente, pak dhe sepse s’donin të largoheshin nga tradita, por u rrinin besnikë hieroglifeve kryesisht për arsye të prakticitetit, disa burime të “dyshimta” e shtojnë dhe arsyen e ruajtjes së sekreteve, sipas tyre egjiptasit e kishin sigurinë, flinin zbathur që bota s’mund t’i lexojnë hieroglifet, dhe kështusoj s’mund t’i deshifrojnë as sekretet – parë nga njëra anë piramidale dhe kishin të drejtë, bota ngeli në errësirën e “mileniumeve”, faraonët të lumtur andej në jetë-përtejmën, të izoluar ndër komorat e piramidave, për botën e këndejme gjithçka e pluhurosur, e mykosur, me mijëra vjet… u deshen disa mijëvjeçarë që ai francezi më në fund ta deshifronte atë “roseta-gurin multi-lingua”, natyrisht nga aspekti shkencor avancim fort i bukur… tani mund ta lexojmë çdo sekret piramidash, e dimë çfarë thonë me “asteriska” e me obeliska, gjithçka, s’ka më sekrete, asnjë fshehtësi kleopatrike, të gjitha sekretet e Kleopatrasë tashmë janë shpalosur, i kemi cullak në shesh, jo vetëm shkollarët por dhe unë vetë (nëse t’më mbushej mendja) mund t’i mësoj skripturat hieroglifike – gjithsesi çfarë desha të them është: u deshën 2000-3000 vjet pas egjiptasve që Interneti më në fund t’i adoptojë figurinat si hieroglife moderne, si metodë fort praktike dhe efikase e komunikimit : )
…padyshim e keni hetuar dhe vetë, sidomos nëse duhet t’flisni me mikeshat në Fb, ato figurinat emocionale na e mundësojnë t’i “shprehim” gëzimet, hidhërimet, pikëllimet, e madje ka dhe figurina duke “qarë”, qoftë një lot e herë diç si përrockë – shkurt e troç hieroglifet fort praktike, e dinin dhe ata të lashtësisë… thonë se Kleopatra ashtu merrej vesh me Romën, shkollarët thonë se hieroglifet e shembnin çdo “barrierë gjuhësore” mes Romës dhe mbretëreshës simpatike-ptolemaike, Kleopatra i dinte nëntë gjuhë, duhet te jete fakt jo spekulim, mirëpo kot, s’i duheshin, s’i përdorte, edhe Cezarit e me vonë dhe Antonit… u niste telegrame hieroglifike – pra si përmbyllje duhet theksuar: njerëzia s’duhet ta nënvlerësojnë anën gjeniale të Fb-figurinave, hieroglifizmi ishte vizion i lashtësisë po aq sa është sot vizion i Fb : )