John W. Godward – Pyrallis, 1918

John W. Godward (1861-1922) – Pyrallis, 1918

[ pak fjalë – sguraziu – ars poetica, nëntor 2019 ]

Pyrallis” si emër ishte njëra nga të dashurat e perandorit romak, Kaligula (piktori Godward disa herë i ka përdorur emrat e të dashurave të perandorit Kaligula, psh. dhe Drusilla)

Kaligula (12-41 Erës Sonë) pati lindur në familjen e parë “perandorake” të Romës (e njohur si Dinastia Julio-Klaudiane), do bëhej dhe vetë perandor për nja 4-5 vite (nga v. 37 deri 41* e.s.), në fillim të sundimit të tij Kaligula përshkruhet si fisnik dhe i mirë, më vonë çuditërisht burimet përqendrohen rreth egërsisë së tij, flasin për sadizmin, për ekstravagancën, për shthurjen, për gostitë e hedonistikat, për perversitetin seksual, duke e paraqitur atë si një tiran të çmendur, anise besueshmëria e këtyre “burimeve” (që e nxirosin atë si perandor) është mjaft e diskutueshme, pra sipas historianëve s’janë ndonjë lloj “shkence” e mirëfilltë… gjithsesi, Kaligula ishte i biri i gjeneralit të famshëm romak Germanikusit dhe i mbesës së Augustit, Agripina (e Vjetra), kur babai i tij Germanikusi vdiq në v. 19, Kaligula ishte vetëm 7 vjeç, xhaxhai Tiberiusi do bëhej babai adoptues i tij (Tiberiusi si perandor e pati pasuar Augustin vetëm ca vite më herët, në v. 14), Kaligula pati lindur si “Cezar” (dmth. sipas emrit të Jul Cezarit), por e mori nofkën Kaligula (“Këmbëvogli”, ushtar këmbëvogël”) i frymëzuar nga ekspeditat ushtarake të babait, të Gjeneral Germanikusit, gjatë fushatës së Romës në Germania (në Gjermaninë e sotme).

Sipas kronistit Tacitus, në v. 19, Germanikusi vdiq në rrethana të paqarta, shumë njerëz atëbotë paskeshin besuar që ai t’jetë helmuar nga kundërshtarët e tij.
Bazuar në kronikat e Tacitusit, ndërmjet viteve 14-16 e.s. Roma ka ndërmarrë disa herë operacione ushtarake, nën komandën e Germanikusit ushtria romake e ka mundur dy herë strategun Arminius (i cili ishte diç si “Skënderbeu” i gjermanëve). Aleanca e fiseve të Germania, sjellur në jetë nga Arminiusi, qenkësh luhatur, Arminiusi qenkësh përballur me kundërshti nga udhëheqës në radhët e vetë fisit të vet, Kerusk, por dhe të udhëheqësve të tjerë të fiseve germanike pro-romake.

Po ashtu, në v. 15 gruaja e kryetrimit german, Arminiusit, qenkësh rrëmbyer nga romakët dhe mbajtur peng (ndoshta nga vetë Germanikusi). Sidoqoftë, sipas historianëve Arminiusi e pati turpëruar Romën, suksesi i tij si strateg sikur e përcaktoi kulmin e fuqisë së rezistencës germanike për shekuj me radhë, përpjekjet romake për t’i ripushtuar tokat e Germania dështuan përgjithmonë, edhe pse romakët patën arritur ta thyejnë aleancën e fiseve germanike (sjellur në jetë dikur nga Arminiusi). Babai i Kaligulasë, Gjenerali Germanikus pati bërë çmos dhe vetë vdiq në rrethana misterioze… por sikur gjithçka kot, Germania ngeli për Romën diç si “Terra Incognita”, vetë kronisti romak Tacitusi (në Annales II, 88) shkruan: “Arminiusi, padyshim çlirimtari i Germania, i cili e sfidoi Romen, jo në fillimet e fuqisë së saj, si mbretërit e udhëheqësit e tjerë, por në kulmin e fuqisë perandorake…”

– – –

* Për pjesëmarrje në konspiracionin kundër të vëllait, kundër perandorit Kaligula, në v. 39 Agripina qe detyruar për ekzil, mirëpo dy vite më vonë, në v. 41 iu lejua të kthehej në Romë. Po atë vit perandori Kaligula u vra si rezultat i një komploti të përbashkët nga oficerët e Gardës Pretoriane, i senatorëve dhe oborrtarëve. Që ditën e vrasjes së tij, gardistët pretorianë e deklaruan Klaudiusin jo si të “dyshuar për vrasje” as si komplotist ndaj perandorit Kaligula, por si perandor romak i radhës.