Noctes Atticae, Pupula Duplex, dhe Ilirët!

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2017

(…në të njëjtit libra shkruante se ka persona midis Ilirëve, të cilët me shikimin e tyre i vrasin ata që i shikojnë me zemërim për ca kohë; dhe se këta persona që e posedojnë këtë fuqi të shikimit të dëmshëm, qofshin meshkuj a femra, i kanë nga dy bebza në secilin sy…) – Aulus C. Gellius – Noctes Atticae* (Net Athinase)

***
Pothuaj 2000 vjet më përpara, në “Noctes Atticae”, Aulus Gellius mbante shënime për gjëra interesante që i dëgjonte në Athinë dhe rreth e rrotull, po ashtu për gjëra interesante që i haste gjatë leximit. Në një rast i pati blerë një grumbull librash (i pati gjetur “lirë”) dhe shkruante se disa autorë grekë në librat e tyre flisnin për “ilirët me nga dy bebza në sytë”. Kureshtja e parë që më “shkrepi” ishte vallë për cilët Ilirë e kishin fjalën ata shkronjësit (nga të cilët pati lexuar Gellius)? Po ata vetë, vallë t’i kenë lexuar “bebzat” e Plinit (Plakut)? Pasi citimi i Gellius është mjaft i përafërt me fjalët e Plinit.

Sakaq m’u ngjall buzëqeshja, m’u kujtua “epitomacia” dhe epitomanët, m’u kujtuan shkronjësit e zellshëm grekë – Gellius nuk e përmend as Plinin, as “Historinë e Natyrës” së tij (referencën më të hershme me shkrim për “dy bebzat” e kemi nga Plini, rreth 77 pas e.s.). Ndoshta sepse i ngrati Gellius nuk e kishte idenë, ndoshta libri i Plinit nuk ishte ndër librat e “grumbullit”, autorët nga të cilët ka lexuar Gellius ndoshta nuk e kanë përmendur emrin e tij, prandaj s’ka patur as ai si ta përmend Plinin.
Nëse unë tani t’mos e përmendja autorin Gellius padyshim do t’më “qortonte” historia, mua s’do t’më falej assesi 🙂 Gjithsesi, meritokracia e Gellius është pikërisht se ai mbante shënime, i ruante copëzat që i dukeshin interesante duke i kredituar autorët pararendës me respekt. Dhe pra i pati “shpëtuar” shumë autorë, të cilët përndryshe do t’i kishte përpirë errësira e harresa. Librat të cilët i përmend Gellius nuk janë, por ama është ruajtur libri i tij si një lloj epitome dhe janë ruajtur autorët e cituar.

Shumë dokumente të vjetra greke dhe romake kanë mbijetuar vetëm si “epitoma”, duke iu referuar praktikës së autorëve të mëvonshëm të cilët i shkruanin versionet e “distiluara” të veprave origjinale (të humbura). Disa të tillë epitomatorë u përpoqën ta përcjellin frymën e origjinalit të veprave dhe “autenticitetin”, ndërsa të tjerë kanë shtuar detaje të mëtejshme ose anekdota në lidhje me temën e veprës përkatëse. Disa prej tyre janë “larguar” aq shumë duke futur në lojë fantazinë e bujshme dhe motivet e veta. Jo të gjithë epitomatorët kishin “respekt” për origjinalitetin, për përshkrimin e saktë… shumë prej tyre kishin “motive” shtesë, nga më të ndryshmet.

Buzëqeshja ime lidhej dhe me diç tjetër, me filmin fringo të Hollivudit “The Mummy”, të 2017 me Tom Cruise… dhe dy vajza tjera në rolet kryesore. Njëra nga ato vajzat duhej t’ishte gjoja princesha egjiptase Ahmanet, dhe e cila duke qenë “shpirtshitur” e Setit të tmerrshëm, qoftë dhe si një mumje pas mijëra vitesh duhej t’na tmerronte me “dy bebzat”… Ndërsa dihet, “pupula duplex” s’ishte as origjinalitet i Plinit në fakt, por së paku si “ide” shkon dhe 4000-5000 vite tutje në të kaluarën, tekefundit deri në “mitet” e Egjiptit të lashtë.

E ceka filmin sepse sikur desha të ndërlidhen të gjitha shpejtë e shpejtë, që t’mos zgjatet – sepse të flasësh për “dy bebza” dtth. të flasësh për ligësinë, për “syrin e keq”, për botën e ligë dhe për “djallëzinë”. Në mitologjinë egjiptase Seti ishte perëndia e shkretëtirës, ai përfaqësonte kaosin, shterpësinë, pluhurin, djerrinën, tokën e zhveshur, si dhe më kryesorja, ishte armiku i njeriut. Seti e vrau vëllain Osiris, e copëtoi trupin e tij dhe copat i shpërndau gjithandej Egjiptit. Isis i kërkoi pjesët e trupit të Osiris, e ribëri atë… por nuk i gjeti vetëm organet gjenitale, i pati gëlltitur një peshk. Ajo i ujdisi gjenitalet nga balta, pastaj me aftësitë e saj magjike si dhe me magjinë e Thotit, arriti të ngelej shtatzënë. Lindi pastaj Horusi, i cili luftoi me Setin, e vrau atë dhe dmth. fitoi Mirësia.

Aulus C. Gellius (rreth 125 – 180 pas e.s.) i lindur në Romë, i arsimuar në Athinë, i njohur për vëllimin “Noctes Atticae”, diç si përmbledhje copëzash e shënimesh nga gramatika, filozofia, historia, antikuariatet dhe tema të tjera, ruajtur si fragmente nga veprat e shumë autorëve të lashtësisë. “Noctes Atticae” sot mund të gjendet gjithandej, digjitalizuar nga Google Books [ dhe deponuar në Archive-Org ] bie fjala janë përkthimi nga William Beloe i vitit 1795, por dhe versioni i përkthyer nga J. C. Rolfe, publikuar më 1927 (në të cilin unë u bazova si referencë “sigurie”) – i njëjti version është servirur në linjë dhe nga University of Chicago, Tufts University etj.

| – – – Aulus C. Gellius – Noctes Atticae* (Net Athinase) – – –

[ …erant autem isti omnes libri Graeci miraculorum fabularumque pleni, res inauditae, incredulae, scriptores veteres non parvae auctoritatis; Aristeas Proconnesius et Isigonus Nicaeensis et Ctesias et Onesicritus et Philostephanus et Hegesias; (…) ipsa autem volumina ex diutino situ squalebant et habitu aspectuque taetro erant. Accessi tamen percontatusque pretium sum et, adductus mira atque insperata vilitate, libros plurimos aere pauco emo eosque omnis duabus proximis noctibus cursim transeo; atque in legendo carpsi exinde quaedam et notavi mirabilia et scriptoribus fere nostris intemptata eaque his commentariis aspersi… ]
(…)
[ …in isdem libris scriptum est traditurque esse homines in Illyriis qui interimant videndo quos diutius irati viderint, eosque ipsos mares feminasque, qui visu ita 2 nocenti sunt, pupillas in singulis oculis binas habere… ]

– – –

…gjithë ato libra ishin në greqisht, plot me tregime të mrekullueshme, gjëra të padëgjuara, gjëra të pabesueshme; por shkrimtarët ishin të lashtë dhe nuk ishin aq të njohur (…) vëllimet të ndyra nga neglizhenca e gjatë, në gjendje të keqe dhe të shëmtuar. Megjithatë u afrova dhe pyeta për çmimin; pastaj, i tërhequr nga çmimi jashtëzakonisht i ulët e i papritur, bleva një numër të madh prej tyre për pak para dhe i lexova me një frymë gjatë dy netëve të ardhshme. Duke lexuar, zgjodha prej tyre, mbajta shënime për disa gjëra që ishin të mrekullueshme dhe për pjesën më të madhe të pa përmendura nga shkrimtarët tanë vendas…
(…)
…në të njëjtit libra shkruante se ka persona midis Ilirëve, të cilët me shikimin e tyre i vrasin ata që i shikojnë me zemërim për ca kohë; dhe se këta persona që e posedojnë këtë fuqi të shikimit të dëmshëm, qofshin meshkuj a femra, i kanë nga dy bebza në secilin sy…

| – – –

* atticae – athinase; po ashtu dialekt grek që përdorej nga athinasit e lashtë, forma letrare kryesore e greqishtes së vjetër