John Mullen – Lindja e vështirë

LINDJA E VËSHTIRË
John Mullen [ 1968, Irlandë ]

Pati rënë shumë borë gjatë natës,
Ata s’kishin mundur t’i kushtonin
vëmendjen e duhur.
Ishte tashmë pas agimit,
Kur dy burrat qenë kthyer.
Ajo brenda sëndukut së saj,
Me pjellën e pjekur
Në kanalin e lindjes.
Shtrënguar në ijet,
Nyjat trekëndore mbërthyer
Përjashta trupit,
Një palë veshë lepuri
Gjymtyrë kukulle-manikin,
Këmbë përkulur drejt qiellit.
Më në fund kishte hequr dorë,
Molisur nga tendosje e frustruar,
Shtriqur mbi barin e ngrirë
Në djersën e akullt,
Në kazanin e ftohtë.
E dija se do t’ishte një nënë e thyer,
Ka pikëpamje për veten,
Tejet kryelartë mbase.
Ruaj pakëz kulloshtër
Për të tjerët,
Duhet një prerje a këputje.

Brenda saj, gërshetuar si veshkë
Një tjetërkush kapur
Për buzët e ekzistencës.

– – –
© by John Mullen, via Live Encounters Magazine, May 2016
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2017

– – –
Notë:
poezia në origjinal e autorit John Mullen mban titullin “Dystocia”, term ky nga obstetrika dhe gjinekologjia – procesi i vështirësuar i lindjes, sidomos periudha nga fillimi i kontraktimit të mitrës deri në lindje – lindje e vështirë e shkaktuar zakonisht nga një fetus i madh ose i ngathët, nga vogëlsia e komblikut të nënës ose nga dështimi i mitrës dhe i qafës së mitrës për kontraktime dhe zgjerimin normalisht.
Autori John Mullen në fakt ka studiuar Mjekësinë Veterinare, dhe bazuar në një biografi të shkurtër të tij, ai s’ka shkruar poezi as nuk ka publikuar ndonjë libër poetik – poezia e përkthyer bënte pjesë në një cikël të vogël poezish publikuar për herë të parë nga ai në “Live Encounters”, Maj 2016.
“Dystocia” më pati bërë përshtypje sepse autori, jo vetëm duke patur ndjesinë a hiper-ndjesine e vet, por dhe duke patur një përvojë mbi dhjetëvjeçare veterinarike, sikur ia del aq bukur ta kapërthejë nga “jashtë” dhimbjen e shurdhër të kafshës, sikur flet me të, sikur ndjen me gjithë qenien e vet së bashku me subjektin poetik – ai sikur i shpreh parandjenjat për kafshën fatkeqe, sikur dhimbja autoriale dhe keqardhja gërshetohen me “rutinat”, me kujdesin e me shqetësimin e profesionalizmit mjekësor, në kuadrin ndjesor poezia na vjen e përmbledhur si nje pako poetike sa monologjike po aq “dialogjike”, pasi poeti thuase “krijon” ose na e sjell përshtypjen se, aq sa është duke i folur vetes ai njëkohësisht sikur ka vendosur kontakt shpirtëror me krijesën e rraskapitur nga tendosjet e nga dhimbjet…
(sguraziu)