P. Neruda – Ne flaken e saj mortore

NË FLAKËN E SAJ MORTORE
Pablo Neruda

Në flakën e saj mortore drita të mbështjell
Përhumbur, zbeht’ e pikëlluar, ashtu si je
Përballë helikave të vjetra të muzgut
Që rreth teje vërtiten.

Pa gojë mikja ime,
Vetëm në vetminë e kësaj ore mortore
Dhe mbushur me jetët e zjarrit,
Trashëgimtare e denjë e ditës së shkretuar.

Prej diellit luzmë frutash bie në fustanin tënd të errët.
Rrënjët e mëdha të natës
Rriten beftas prej shpirtit tënd,
E shfaqen prapë gjërat në ty fshehur,
Që një popull i zbehtë e blu
Nga ti sapo lindur të ketë të ushqehet.

Oh skllave magnetike, pjellor’ e madhështore
E rrethit që vërtitet herë zi, e herë prarim:
Ngre, udhëheq e mban një krijesë kaq të gjallë
Përmbytur nga lulet, e plot është me trishtim.

(Përktheu: Maksim Rakipaj)