James Rosenquist – “Për Artistin e Ri”, 1991

James Rosenquist (1933-2017) – “Për Artistin e Ri“, 1991

…se përse më bëhet që kjo pikturë pointilistike t’i jetë “dedikuar” artistit britanik Damien Hirst, s’e kam idenë – sidoqoftë, hipoteza ime s’do konfirmohet kurrë si vërtetësi, qëkur artisti Rosenquist tashmë i vdekur – para ca vitesh “pikat” e Hirst i pata quajtur “pikat më të shtrenjta të universit”, sepse ta ujdisësh një fabrikë për prodhimin e “pikave pikturale” (ngjashëm si Henry Ford dikur, me qasje seriale) dhe të mbledhësh miliona e miliona verdhushka në emër të artit, padyshim s’është diç e lehtë, ose tekefundit e pamundur fillikat, sipas meje një “solo” artist s’merret kurrë me fabrikazh artistik, sepse e pakapërthyeshme, bie fjala Picasso s’qe kujtuar ashtu, pati vajtur “dëm” i ngrati, i bënte me dhjetra vizatime në ditë, shpesh çështje sekondash… idesh të befta, ishte aq i frytshëm, i pashtershëm, secilën fletë a skicë e nënshkruante, ia vënte firmën, s’e përbuzte krenarinë autoriale as për dy vija të kalamendura, ama s’i pati vajtur mendja kurrë për “industrializime” – pa le që industritë janë “organizma” kompleks, apo jo, s’është vetëm çështje e organizimit të prodhimit, e lehtë t’i prodhosh… ja që duhet gjetur pastaj dhe tregun, kot i gdhend lloj-lloj diamantesh, i kotë do ngelej shkëlqimi, kot e lëmon marramendjen smeraldike… nëse s’e ke idenë si shiten : )
(sguraziu – ap, prill 2020)

James Rosenquist (1933-2017) – “Për Artistin e Ri”, 1991