Vetëvrasja e poetëve, “Efekti Sylvia Plath” – Bukuria me “Sytë e Vdekjes”!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2020

Poeti italian Cesare Pavese (1908-1950), dhe aktorja amerikane Constance Dowling (1920-1969)

Në Shkurt të v. 1963 vetëvrasja e poetes Sylvia Plath sikur e pati “lëkundur” dhe vetë botën e dhimbjes e të pafajësisë – poetja u gjet e vdekur nga helmimi me monoksid karboni në kuzhinën e saj, pasi kishte futur kokën në furrë. Poetja vuante dhe qe katandisur në një gjendje të rëndë depresive. Me lecka të lagura e me rroba do t’i izolonte dyert e dhomës mes kuzhinës dhe fëmijëve të fjetur, dhe kështu i mori jetën vetes në moshën 30 vjeç, duke lënë prapa 2 fëmijë fare të vegjël.
Kohë më parë, para se t’arrinte tek akti final, poetja fatkeqe do kishte hedhur diku në letër:
“tmerrohem nga kjo gjë e errët që fle brenda meje”.

Thuhet se ka më shumë se 160 poetë të cilët i kanë marrë jetën vetes. Sa për t’i përmendur ca emra, sadopak më të njohur; Sergei Yesenin, Sylvia Plath, Virginia Woolf, Alfonsina Storni, Paul Celan, Vladimir Mayakovsky, Cesare Pavese etj. etj.

Vjersha “Lamtumirë mik, Lamtumirë” na kujtohet, pakashumë, të gjithëve – krijimi i fundit poetik i njërit prej poetëve më të njohur dhe më të popullarizuar rusë të shek. XX, Sergej Jeseninit. Në Dhjetorin e v. 1925 poeti u gjet i vdekur në dhomën e hotelit “Angleterre” në St Petersburg. Thuhet se Jesenini qe ankuar t’i kishte mbaruar boja, dhe se qe detyruar të shkruante me gjakun e vet.

Bukuria me “Sytë e Vdekjes – Fytyra e Pranverës”!

Poeti dhe shkrimtari italian Cesare Pavese do t’bënte vetëvrasje në moshën 41 vjeç në dhomën e një hoteli në Torino, ndoshta për shkak të dashurisë “fatkeqe” dhe rritjes së zhgënjimit nga politika. Gjithsesi poeti vuante dhe depresioni i tij ishte përkeqësuar. I ngrati poet, pothuaj përherë i refuzuar nga shumë femra, përfshirë dhe nga aktorja amerikane Dowling. Në poezitë e tij bukuroshja amerikane shpesh “simbolizohet” me pranverën (“fytyra e pranverës”). Romanca e tyre e arriti kulmin në Marsin e v. 1950 (kur ai i pati kaluar disa ditë me të). Njëra nga poezitë e tij të fundit titullohet “vdekja do vjen dhe do t’i ketë sytë e tu” (ky titull padyshim na e “përkujton” tiullin e romanit të mëvonshëm të shkrimtarit kosovar Rexhep Qosja, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”).

Do t’ketë ditë të tjera, / do t’ketë zërash të tjerë. / Do buzëqeshësh në vetmi. / Macet do ta dinë. / Do dëgjosh fjalë të lashta, / të lodhura e të kota / si kostumet ngelur / nga festat e së djeshmes.
[ Cesare Pavese (1908-1950) – I gatti lo sapranno (“Macet do ta dinë”), Prill 1950 ]

***
Është i njohur i ashtuquajturi “Efekti Sylvia Plath”, si fenomen që poetët janë më të ndjeshëm ndaj depresionit e ndaj sëmundjeve mendore, sesa krijuesit e tjerë. Termi “Efekti Sylvia Plath” qe krijuar ose përdorur rreth dy dekada më parë, në v. 2001 nga psikologu J. C. Kaufman. Kuptohet, arritjet shkencore dhe njohuritë e deritashme s’janë dhe s’mund t’jenë përfundimtare, studimet në këtë drejtim nënkuptojnë mundësitë për hulumtime të mëtutjeshme. Sidoqoftë “Efekti” i psikologut Kaufman pra e mban emrin e poetes Sylvia Plath.

[ Fotoja: poeti italian Cesare Pavese (1908-1950), dhe aktorja amerikane Constance Dowling (1920-1969) ]