Ada Limón – Himn i Ri Kombëtar

Ada Limón

HIMN I RI KOMBËTAR
Ada Limón [ 1976, ShBA ]

Ç’është e vërteta, kurrë s’jam marrë dhe aq
me Himnin Kombëtar. Nëse t’mendonim
për këtë, dhe s’është këngë e mirë.
Oktavë e lartë për shumicën prej nesh,
me “shkëlqimin e kuq raketor”,
dhe pastaj janë bombat. (Gjithmonë,
gjithmonë, ka luftë dhe bomba.)
Njëherë po e këndoja gjatë kthimit në shtëpi,
madje dhe orkestrën stoike të shkollës
e pata hedhur jashtë akordit. Por kënga
s’thoshte ndonjë gjë, thjesht një klithmë
e fushës, diç që duhet përshkuar përpara grushtit
pezmatik të rinisë. Dhe, çfarë për strofat
që s’i këndojmë kurrë, të tretat që përmendin
se “asnjë refugjat s’mund ta shpëtonte mëditësin
dhe skllavin”? Ndoshta, e vërtetë është,
çdo këngë e këtij vendi e ka një strofë të tretë
të pakënduar, diç që brutalisht gjarpëron
nën lëkurën tonë, verbërisht i këndojmë
notat e larta me një birrë të këndshme
në stendat, me shpresën se ekipi ynë
do t’fitojë. Pa keqkuptime, më pëlqen
flamuri, tek valon në erë si uji, elementarja,
në mënyrën më të mirë kur i përulur,
i gjunjëzuar, i mbërthyer nga dikush
që ka humbur gjithçka, më pëlqen
kur s’është armë, kur xixëllon, kur paloset
aq përkryer dhe mund ta ruash derisa
t’jetë i nevojshëm, derisa rishtas ta duash,
derisa kënga të ndjehet si ushqim në gojë,
si këngë notat e së cilës këndohen madje
dhe nga pyjet e stërlashta, nga rrafshinat
me barin e njomë, nga “Red River Gorge”, nga
grusht-dheu i tokës së pahelmuar, ajo kënga
që është e drejta e lindjes sonë, që këndohet
në heshtje dhe kur tepër zor të këndohet,
që tingëllon si gishtat e ashpër tek fërkohen
me gishtat e dikujt tjetër, që tingëllon si një fije
shkrepseje ndezur në shpellën e pafund,
këngë që thotë kockat e mia janë dhe kockat tua,
kockat tua janë dhe të miat, dhe vallë
kaq a nuk mjafton?

– – –
© Ada Limón – Burimi: “The Carrying”, 2018, Milkweed Editions – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2020

[ pak fjalë ]
…ndoshta duket “asgjë” ky gjest poetik (nga Poetry Foundation) rreth të drejtave të grave por në fakt dhe vetëm “poetikisht” është aq shumë, sot më 26 Gusht 2020 në ShBA shënohet 50-vjetori i Grevës së Grave për Barazi, si dhe 100-vjetori i miratimit zyrtar të “Amandamentit 19”, i cili grave amerikane do u garantonte të drejtën e votës – as në Holandë gratë s’mund të votonin deri vonë, fati e deshi ta fitojnë të drejtën e votimit në v.1919, gjithashtu në Kanada, në ShBA… por dhe në Shqipëri në v. 1920, pra sa i përket “votës së grave” Shqipëria është baraz me Holandën, Kanadanë e me ShBA, gratë e tjera të Evropës u desh të prisnin deri pas Luftës së 2-të Botërore e madje dhe më vonë, gratë e Francës patën pritur deri në v. 1944, ato të Italisë deri në v. 1946 dhe imagjino… ato të Zvicrës, të asaj konfederatës bukuroshe 700-vjeçare, deri në v. 1971, turp të kenë zviceranët nga historia… padrejtësia s’ka si t’jetë më e kulluar, kot na shtiren të përparuar 🙂 – imagjino më tej, gratë e Arabisë Saudite e patën privilegjin të votojnë për herë të parë tek në v. 2015.
(sguraziu)