E pafalshme t’jesh koprrac nga fjalët…

(s.guraziu – korrik 2020)

Im bir e kishte testuar një “dron”, e kishte bërë një video të lagjes ashtu nga ajri – pastaj më pyeti ta shihja videon, dhe mundësisht ta shprehja mendimin.

Në rregull, pse jo, pasi e pashë videon (për fat ishte e shkurtër, ndoshta as 2 min) ia lavdërova eksperimentin. Lavdërim duke provuar të ngelesha sa më neutral, gjoja “objektiv” dhe mjaft serioz.

Natyrisht, kur s’je vetë ekspert s’ke dëshirë t’i hysh në “hak” askujt – e njëjta vlen për video-kritikat e Youtube, për film-analizat e Hollivudit, për romanet e letërsisë, për veprat artistike, për pikturat, për skulpturat, për poezi-analizat, për këngë-analizat… etj. shkurt, për të gjitha çështjet kreative. Opinionet dhe mendimet rreth kualitetit artistik kurrë s’janë të lehta, gjithmonë janë sfidë për njerëzit. Kur vetë s’e ke idenë mirëfilli, mund të mendosh e “dobët” dhe pas 1 muaji del të jetë diç maestrale – si dhe anasjelltas.

Bie fjala do ishte e pafalshme t’jesh koprrac nga fjalët, t’i kursesh lavd-parabolat e superlativat për një roman, për një vëllim poetik apo dhe për veprën komplet të një shkrimtari dhe hooop pastaj pikërisht ai ta fitojë Nobelin. Jo pra, duhet shumë kujdes, sidomos me miqtë, përndryshe do ngeleshe me lapsin n’gojë dhe me ndërgjegjen të vrarë për gjithë jetën.

I thashë “bukur, s’qenka keq, padyshim njësoj i bëjnë dhe ata filmaxhinjtë e Hollivudit, nëse jo 100% njësoj, nëse jo kaq bukur… atëherë vërtet s’e kam idenë si bëhen ndryshe, pa le që s’i kam as veglat, më mungojnë të gjitha varg e varg, kamerat, dronet, ekspertizat rreth videografisë… gjithçka“.

Ku di, ai s’tha gjë por uroj t’i ketë pëlqyer video-lavdërimi : )

[ ngjitur: Joan Mitchell – Pa Titull (Untitled), ~1958 ]