Atikusi, polemicisti i lashtë, s’e “donte” Aristotelin e “pashpirt”!

(sguraziu – ars poetica, maj 2020)

mbase kurrë s’do jem i përkryer për ty, por gjithmonë në mënyrë të jopërkryer do përpiqem të jem” – Atikusi (rreth v. ~175)
…s’di kush tjetër ta ketë pranuar kaq bukur “jopërkryeshmërinë” e vet, sëpaku asnjë nga filozofët s’e ka thënë kaq bukur 🙂

Një dikush që shkruan polemika, ose që flet polemikisht, quhet polemicist (nga greqishtja e lashtë “polemikos” – luftarake, armiqësore).
Atikusi ishte një filozof i antikes, e gjitha çfarë dihet për të vjen nga fragmentet e një libri të tij (fragmente ruajtur nga dikush tjetër). Ishte një anti-peripatetik i flaktë (anti-Aristotelian). “Peripatetizmi” ishte një shkollë filozofike mësimet e së cilës kishin si bazë ato të themeluesit të saj, Aristotelit (“peripatetikët” – si emër u atribuohet ndjekësve të tij). Atikusi këmbëngulte se Aristoteli ishte një ateist, se e mohonte ekzistencën e shpirtit dhe se e refuzonte providencën hyjnore.
Vepra e Atikusit ishte e ashtuquajtur “polemike”, për shkollarët sot s’është aq e qartë nëse polemika e tij kishte motive filozofike apo politike. “Polemizmi” është retorikë argumentuese që ka për qëllim ta mbështesë një pozitë specifike duke e “fshikulluar” pozicionin kundërshtar. Polemikat kryesisht “ngjallen” me argumente rreth temave të diskutueshme, rreth temave të vështira – praktika e një argumentimi të tillë quhet polemikë.

Thuhet se pozicioni i Atikusit paraqet një version të “Platonizmit”, sipas të cilit devijimi nga fjala e mirëfilltë e zotit nënkupton kundërshtim heretik të padiskutueshëm. Gjithsesi, “problematika” e kundërshtisë s’ishte vetëm në kohën e Atikusit, është evidente madje dhe sot e kësaj dite, në filozofinë bashkëkohore mund të hetohet herë pas here në shkrimet e “mbrojtësve” të Aristotelizmit, e edhe në ato të “mbrojtësve” të Platonizmit. Dmth. nëse filozofët e kohëve tona paskan të “drejtë”, për kohën e vet (para dymijë vitesh) po aq të drejtë kishte pra dhe Atikusi, vallë si mund ta mohosh “shpirtin”, Aristoteli do ketë qenë o i “çmendur” o ec e merre vesh, vallë s’paska patur ai kurrë një “xhan”, një “shpirt”, një zemër… mos vallë s’e paska dashur askend, qoftë dhe ashtu si dashuri “platonike” nga larg t’i shkruante “shpirti im… amore mio, my baby, sweetheart…” o diç ngjashem 🙂