Sophia – Tech-bukuroshja “arabe”, roboti i parë me “nacionalitet”!

SG – Ars Poetica, Q 2018 (pak fjalë…)

(…çupërlina 2-3 vjeçare e teknologjisë, “krijesa” e parë makinale (jonjeriu i parë) t’i ipet titull i Kombeve të Bashkuara, roboti i parë në historinë e njerëzimit të ketë shtetësi, madje “motra” e saj robotike Bina48 e ka kaluar një kurs universitar mbi Filozofinë dhe Dashurinë, në Universitetin e Notre Dame de Namur : )

***
Disa thonë se Sofia është “jonjeriu” (roboti) më i sofistikuar prodhuar ndonjëherë nga njeriu, me Inteligjencën Artificiale të avancuar (AI). Disa të tjerë thonë se është një AI-kukullë fals, nuk është Inteligjencë Artificiale e vërtetë – kemi përpara vetëm një tech-kukullë që nuk është diç më shumë sesa “papagallizim” i ushqyer me skriptet komplekse algoritmike (skriptim, programim).

Ne si “outsiders”, si joekspertë mund të ngelim gojëhapur nga ndërlikueshmëria e shumë prej përgjigjeve të Sofisë, por pjesa më e madhe e deklaratave kuptimplote të saj nga ekspertët besohet të jenë gjëra të skriptuara (programuara). Megjithatë, Sofia është prezente si aktualitet gjithandej, mbuluar nga mediat në gjithë globin, është përgjigjur nëpër shumë intervista të profilit të lartë, inkluzivisht intervista nga World Bank Group, vetëm ca kohë më parë (e cila më “intrigoi” për t’i thënë dy-tri fjalë rreth saj). Atëherë, ç’është pra Sofia?

Sofia është një robot-humanoid social i zhvilluar nga Hanson Robotics, Hong Kong. Aktivizuar në v. 2015, është projektuar që t’jetë e aftë të “mësojë” për t’u përshtatur ndaj sjelljes njerëzore si dhe të bashkëpunojë me njerëzit. Fytyra e saj është modeluar sipas fytyrës së aktores Audrey Hepburn. Sofia e përdor Inteligjencën Artificiale, përpunimin e të dhënave vizuale (dmth. nga sistemi i mini-kamerave) dhe teknologjinë e njohjes faciale. “Ajo” është në gjendje t’i imitojë-kombinojë më shumë se 50 shprehje të fytyrës së njeriut. Pra Sofia imiton gjeste njerëzore dhe shprehje faciale, në mënyrë “autonome” mund t’u përgjigjet pyetjeve të caktuara dhe të bëjë biseda të thjeshta në tema të paracaktuara.
Mirëpo habia jonë sikur “rritet” kur shohim që përgjigjet e saj kohët e fundit nuk janë dhe aq të “thjeshta”, përkundrazi. Bie fjala intervista e publikuar nga World Bank s’është fare “bisedë e thjeshtë”, disa përgjigje të saj gjatë eventit “Consciousness Central 2018” ishin po ashtu aq impresive!

Në v. 2017 Sofia u prezantua në OKB (madje kishte dhe një bisedë të shkurtër mes “saj” dhe një zyrtari të lartë të KB-së), qe emëruar Inovacioni Kryesor, i Programit të Zhvillimit të OKB-së, dhe Sofia u bë “krijesa e parë makinale” (jonjeriu i parë) t’i ipet titull i Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu në v. 2017, në një Samit për Investimet në Riad, Sofisë iu dha shtetësia arabe, duke u bërë roboti i parë në historinë e njerëzimit të ketë shtetësi.
Sofia i ka disa “vëllezër e motra robotike binjake”, të cilët janë Alice, Albert Einstein Hubo, Bina48, Han, Jules, Professor Einstein, Philip K. Dick Android, Zeno, dhe Joey Chaotic. Në Dhjetor 2017, “motra” e saj robotike Bina48 e kaloi një kurs universitar mbi Filozofinë dhe Dashurinë, në Universitetin e Notre Dame de Namur.

Sofia është vetëm një çupërlinë 2-3 vjeçare e teknologjisë, por është kthyer në një “ikonë teknologjike”, e popullarizuar gjithandej, psh. është shfaqur në 60 Minutes – CBS (me Charlie Rose), Good Morning Britain (me Piers Morgan) dhe në media-prezantime tjera, si në CNBC, Forbes, Mashable, New York Times, Wall Street Journal, Guardian, Tonight Show (me Jimmy Fallon) etj. Sofia qe paraqitur në raportin vjetor të Audi, ishte në kopertinën e revistës Elle të Brazilit, madje dhe më shumë sesa vetëm intervista e prezantime, meqë Sofia mund dhe të këndojë, është shfaqur dhe në video-klipe muzikore…

Sofia (foto publikuar nga Wired Magazine, Mars 2018 – Fotograf: Giulio Di Sturco)
(…”truri” i robotit Sofia është një sistem i AI-moduleve softuerike, pjesërisht montuar në “kokën – trupin” e saj, e pjesërisht diku në “Cloud” – shpjegon Di Sturco)

[ Infot adaptuar nga Consciousness Central 2018, Munich Security Conference 2018, Good Morning Britain, World Bank Group, Tonight Showbotics, CNBC, Wikipedia, TechnoWar, Hanson Robotics… dhe burime tjera të ndryshme – Video: Intervista e Sofisë, World Bank Group, 2018 ]

Humanoid robot Sophia… greetings for Edon Guraziu, 2016

…në v. 2016 Hanson Robotics (Hong Kong) përmes robotit të tyre Sophia i dërgon “përshëndetjet” dizajnerit Edon Guraziu, ajo duhet ta mësojë emrin e tij dhe t’thotë “Edon Guraziu si jeni?” 🙂