Kupola e Louvre si një “saç iluminist”! (Fragment)

Kupola e Louvre si një “saç iluminist” për Orientin e Oksidentin!
S. Guraziu – Ars Poetica, J 2018 (Arti, Ekonomia, Politika – Vështrim)

Në Nëntor 2017, bota u pasurua dhe me një institucion madhështor sa i përket Artit e Kulturës – në Abu Dhabi u inaugurua versioni arab i “Louvre”.

| – – – f r a g m e n t – – –
Nouvel na e sjell një Louvre arab i cili estetikisht (në dukje) vërtet sikur është një shkrirje në të “tashmen” e orient-arkitekturës futuriste. Objekti si i tillë sikur është aty më shumë për të ardhmen sesa për botën e trazuar politikisht të së tashmes. Pavarësisht “eksternales” impozante e futuriste, muzeu i Nouvel është më mbresëlënës me interieret – thonë. Eshtë brendësia që ua mundëson vizitorëve “ta shohin njerëzimin nën një dritë të re”, ndihmuar prej vetë dritës, e cila pra është “fjala” qendrore e kupoles. Rrezet e diellit bien përmes mijëra vrimave në formë yjesh, duke depërtuar nëpër tetë shtresat e kupolës, dhe duke u filtruar përmes paneleve nga qelqi i tavanit. Kupola na flet me driten, me harmoninë dhe me qetësinë e përkryer të formës. Lojë-drita sipri nesh na përkëdhel si dashuri, si ngrohtësi, si shpresë, drita simbolizon dijet, avancimin kulturor, kupola qiellore për njeriun dhe rrugëtimin e tij simbolizon mbrojtjen nga ftohtësia dhe e panjohura e errësirës kozmike, gjuha e kupolës është drita që na ngrohë (si dritë-gjuha hyjnore e religjioneve), si një qiell i madh arkitektural nën të cilin duhet të “piqen” kulturat e së tashmes dhe të së ardhmes, kupola super-madhështore e Nouvel thua se pritet të kthehet në një saç iluminist, ku duhet të piqen kuleçë të shijshëm ndërkulturor.
| – – –