Rama – Çuk drithrat e çuk misrat, çuk rrushin e çuk Lulushin!

(sguraziu – ars poetica, shtator 2020)

shqiptarët janë ‘dëm-rrjedhojë’ [ të dëmtuar anësor, paralelisht a në mënyrë indirekte ] nga mosmarrëveshja e EU [ me vetveten ] për të ardhmen e vet” – Edi Rama, për gazetën irlandeze “Irish Time”, 2019

…s’ke si t’mos pajtohesh me metaforën ramusheske, thënia e tij s’ka nevojë as për analizë as për sintezë, thënia e Ramës (natyrisht, nëse t’ekzagjeroja sadopak) se si ma kujton atë moskujdesin e nënave të ardhshme që pinë duhan gjatë shtatzanisë, imagjino… e pafalshme, mjekët e dinë se të ngratat janë të vartësuara nga nikotina ama sjelljen e tyre prapë do ta cilësojnë si kryeneçësi, si kokëfortësi, sepse e pafalshme t’mos kujdesesh për shëndetin e foshnjave (ende të palindura) – Shqipëria tek duhet të ri-lindet, tek duhet ta “shqyejë cipën” e errësirës ballkanike dhe të lahet me dritën, me rrezet e ngrohta të Aurores, me kandilat e Europes, ndërsa EU-ropa ajo lavirja e politikave të vjetra, pa pikë turpi reklamohet në vitrinat me “dritash të kuqe” të Brukselit, të Strasburgut, ajo “shtriga plakë” nga moskujdesi politik ka ngelur madje shtatzënë, tashmë me ëndrrën e zgjerimit, pllakosur nën kthetrat e etheve të Lindjes pi dhe duhan, ia tymos për shtatë palë qejfe, merret me narkotikët e Amsterdamit, i kritikon mafiozët e Ballkanit e njëkohësisht tregton me barishtet e këqija të Llazaratit, EU-ropes kurrë s’i preu sëpata në një vend, premtimet evropiane u ngjajnë tashmë 1001 premtimeve të Shehrezades, 1001 përrallave, EU-ropes nuk i falet as kokëfortësia sepse rrjedhimisht nga tymosja po dëmtohet Shqipëria, vallë si tolerohet kjo kryeneçësi evropiane, EU-ropa as që e vret mendjen ta gjejë një marrëveshje për të ardhmen e vet…

…kur është fjala për retorikat, për “demaskimin” e diplomatikave EU-ropiane, Rama shpesh ia qëllon pikës (tekefundit sipas meje, unë them “ia qëllon”, pa e cenuar të drejtën tuaj të mendimit) – deklaratat e tij politike, citatet që mediatikët i zgjedhin (parti-zanët shqiptarë) mua më duken madje dhe “simpatike”… pakëz sepse Rama rrallë i ri-përsëritë thëniet e veta, Rama nuk është si ata politikanët monotonë, prore në një pikë me deklaratash bajate, qukapiktha që s’ia huqin “vrimës”, çak-e-çuk e godasin lëvoren e trungut të kalbur debat-ik (plot “krimba e kandrra” për t’i ushqyer a mbrojtur opinionet e veta), sipas meje thëniet e tij janë unikale, origjinale, përherë të freskëta dhe të papërsëritshme, Ramën e ke 100% autentik dhe përherë origjinal; çuk në derë, çuk n’pranverë, çuk për dimër e çuk në verë, çuk samarit e çuk hambarit, çuk mjaltes e çuk baltës, çuk drithrat e çuk misrat, çuk rrushin e çuk Lulushin, e madje nese nevoja çuk dhe kokrrat atij krye-malok Salushit te pensionuar 🙂

***
…gjithsesi mjaft me lavdet sa u përket politikave – për fat të keq s’mund të thuhet e njëjta dhe për artistikat, në ketë rrafsh jam majft koprrac me fjalët e me lavdet, jo se i paskam vëne “gojës kapak hermetik” por dhe Rama sikur s’merret fort me artistikat – sidoqoftë, para disa viteve (2016) pata folur per “shkarravizmin artistik”, për surrealizmin “zyrtar” të Ramës (për vizatimet e zyrës), për artin e “pavetëdijshëm”, për “automatizmin e surrealistëve” të dikurshëm, dmth. rrjedhimisht për “artin automatik” të Ramës dhe për suksesin e tij artistik…

“…ndoshta amarcord-et e tij janë ngjashëm si ato “shkarravinat artistike të pavetëdijshme” (dtth. vizatime gjatë orëve të pavetëdijshme në zyrën e vet). Shkarra-vizatimet e veta Rama dhe bordi ndihmës madje ia dalin t’i monetizojnë. Artin e “pavetëdijshëm” (thuase ndonje “art automatik”, si ai i bojaxhiut të dikurshëm spërkatës, Jackson Pollock) ia dalin ta shesin dhe ta kthejnë në Euro. Mediat shqiptare pastaj krekosen për faktin se Rama pothuaj s’ka fare nevojë për “njëqindmijë eurot” e pagës, pasi që ai me shitjet e “shkarravinave” na i paska fituar “njëqindepesëdhjetëmijë” Euro. TV-të e së majtes shqiptare këtë detaj e jepnin si “lajm interesant”, zotësinë e Ramës me vizatimet dhe me business-in e tij e kthenin në lajm pompoz, mediatikët shqiptarë krenohen me zotësinë e Ramës prej tregtari shkarravinash të pavetëdijshme. Ajme!…”
[ S. Guraziu – Amarcord-et e Fellinit, dhe ato të Ramë Trëndafilit! (Ars Poetica, Dhjetor 2016) ]