Émile Prisse d’Avennes – “Historia e Artit Egjiptian”, 1878

Émile Prisse d’Avennes (1807-1879) – “Historia e Artit Egjiptian”, 1878
sguraziu – ars poetica, prill 2020 – pak fjalë…

(…ilustratorit d’Avennes (ose inxhinierit Idriz Efendiu) padyshim duhet t’i jemi mirënjohës për “shpëtimin” e piramidave)

…arkeolog, egjiptolog, arkitekt dhe shkrimtar francez, në v. 1827 d’Avennes pati shkuar në Egjipt dhe qe punësuar si inxhinier nga mëkëmbësi i Egjiptit me prejardhje shqiptare, Muhamed Ali Pasha – për shumë vite do t’jetonte e punonte atje, e pati përqafuar kulturën egjiptiane tërësisht; e përvetësoi emrin Idriz Efendi, e mësoi arabishten dhe e praktikoi fenë islame – mbase ky adoptim i sinqertë i kulturës dhe na i “shpjegon” ilustrimet e mrekullueshme si dhe ngjyrat e ngrohta artistike, “ngjyrat” e dashurisë së kulluar të një arkeologu…

…mirëpo mendoj se dashuria e tij ndaj pasurisë arkeologjike e kulturore të Egjiptit përforcohet dhe më shumë si fakt, në njëfarë mënyre ilustratorit d’Avennes (ose inxhinierit Idriz Efendiu) padyshim duhet t’i jemi mirënjohës për “shpëtimin” e piramidave, ai s’ishte i vetmi… por ekspertiza profesionale e tij pakashumë do ketë luajtur rolin e vet – dihet se piramidat patën shpëtuar falë francezëve, historia thotë që piramida e Keopsit dhe dy piramidat tjera në pllajën e Gizës për pak sa s’qenë rrënuar nga Muhamed Ali Pasha.
Thesaret e lashta arkitekturale dhe testamentet e historisë së hershme faraonike do t’shfrytëzoheshin si pjesë e planit për ta modernizuar Egjiptin, për ta mëkëmbur ekonominë.
Dihet bie fjala, se “gjilpërat e Kleopatrës” (obeliskët e faraonëve të lashtë) i qenë dhuruar metropolove perëndimore (Parisit, Londrës, Nju Jorkut), ishin gjeste të mirënjohjes, gjithçka kishte të bënte me “miqësinë ekonomike” e me ndihmat teknike që Egjiptit i duheshin nga perëndimorët. Anise, rishtas bie fjala, ca nga obeliskët e Romës, romakët dikur i patën “marrë” dhe vetë, pa pyetur kend 🙂

Sot e vështirë ta konceptojmë idenë e shembjes së piramidave, por në atë kohë sundimtari e kishte seriozisht. Ai thoshte se me gurët e tyre do t’i ndërtonte disa diga për t’i shmangur përmbytjet e Nilit, që shkaktonin shumë dëme e fatkeqësi. E vërtetë që Nili përherë me ato hujet e me “veset” e përmbytjes, që nga koha e faraonëve njerëzia vuanin nga dëmet e katastrofat. Mbase pashai do t’kishte të “drejtë” (në mendimin e tij, bazuar në logjikën e dobisë reale ekonomike) sikur t’na ishte Faraon para 3-4 mijëvjeçarëve të kohës së vet, dhe ta braktiste idenë e piramidave totalisht. Në vend të kotësisë e të sakrificave për ndërtimin e ca varrezave grandioze, thjesht do t’ishte orientuar për ndërtimin e digave!
Tani sado “praktike” t’i dukej ideja rreth gurëve të piramidave (si material ndërtimor për digat, dhe që do ta ndihmonin realisht ekonominë, krahasuar me ca objekte aty “kot” si varreza), megjithatë ideja për shembjen e tyre s’pinte ujë assesi…

Piramidat atëbotë patën “shpëtuar” falë vonesave të qëllimshme nga inxhinierët francezë (që ishin në shërbim të sundimtarit). Sipas tyre pashai ishte “shkurtpamës”, ose s’ia dilte ta konceptonte domethënien historike e kulturologjike, pasi prishja e piramidave do t’ishte humbje e madhe sa i përket trashëgimisë kulturore e historike botërore.

[ ilustrimet: Histoire de l’art égyptien, 1878 – New York Public Library, digjitalizuar nga rawpixel ltd. ]

|