Suzanne Buffam – Mjaft

Suzanne Buffam

MJAFT
Suzanne Buffam [ 1972, Kanada ]

Mbaj syze të errëta brenda shtëpisë
Që t’i përshtatem zymtësisë shpirtërore.

Torten e kam bërë fare pa sheqer.
Zemërimi im është një lloj inati shtëpiak.

E kam mësuar nga nëna
Ajo do e ketë mësuar nga nëna e vet

Dhe kështu me radhë.
Padyshim grekët e kishin një fjalë për këtë.

Tani me siguri dhe gjermanët po ashtu.
Sa më shumë fjalë një dikush i di

Për t’i përshkruar vuajtjet personale
Aq më larg në kohë mund t’i përceptojë ato.

Përsëris emrat e gjithë qyteteve që kam njohur
Dhe shoh një milingonë tek e tërheq
hijen e shtrembër të shtëpisë.

Ç’do t’thotë vallë ta duash jetën që na është dhënë?
Të aktrosh mirë në rolin e paracaktuar për ne?

Erë. Dritë. Zjarr. Kohë.
Një tren fishkëllen ndër kodrinat e largëta.

Planifikoj një ditë të udhëtoj me të.

– – –
© S. Buffam – Burimi: The Irrationalist (Canarium Books, 2010), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2020