Zemrave jo (dhe aq) funksionale u nevojiten shkencat “viagrale”!

S. Guraziu – AP, T 2020 (Humoreskë)

(…mos vallë në të ardhmen dashuria do ta ketë një “formulë” ekzakte? Mos vallë herëdokur, dmth. kimia e përparuar do jetë në gjendje t’i paketojë “ingredientët” e dashurisë nëpër tubula dhe pastaj t’i marrim si pilula, si injeksione farmaceutësh? Njësoj siç sot, të interesuarit me zemrat jo (dhe aq) funksionale i marrin viagrat…)

***
Dashuria është thjesht çështje kimike, mjet i evolucionit, një kompromis mes detyrimit (kushtëzimit) dhe pasionit.” – Fabio Ilacqua [ “A un Passo da Te” (Një hap larg teje) – Teksti: Fabio Ilacqua (“Le migliori”, 2016 – kënduar nga Mina Mazzini & Adriano Celentano) ]
– – –
Dashuria është thjesht çështje kimike, pavarësisht origjinës. Ne vetë zgjedhim si do ia japim kuptimin.” – Eleanor Lamb dhe Douglas Stewart (“Against A Crooked Sky”)

***
Ka me miliona vargje për dashurinë, panumër poetë e shkrimtarë kanë shkrirë mend që nga zanafillat, që nga koha kur njerëzimi ende s’e përdorte madje as “gjethin e Davidit”. Që nga Eva e Adami biblio-grafik kanë ardhur në dritë me miliona tekste të bukura, me miliona “krijesash” lirike, me miliona thënie. Mund t’i lexojmë me miliona librash, t’i qajmë me miliona telenovela e romancash, dhe prapë… kam frikë zor ta definojmë dashurinë.

Sa për vete s’kam ditur kurrë ç’është dashuria, dmth. “definicionin” e mirëfilltë të dashurisë. S’më ngelet as merak, s’është nevoja ta di ndonjëherë. Se mos vetëm unë s’ditkam, s’e dinte as vetë Ajnshtajni. Ai i madhi, krye-madhori i shkencës, merrej me misteret kozmike e me vrimëzezat por dhe ai e pati shtruar buzëqeshjen: “vallë si funksionon dashuria e parë”?!

Shkencëtarët pohojnë se “dashuria është çështje kimike”. Edhe autori i lirikës “Një hap larg teje” (kënduar nga Mina Mazzini – Adriano Celentano), Fabio Ilacqua pohon të njëjtën, sepse padyshim dhe ai i influencuar nga “shkencat”.

Gjithsesi m’u bë se e kisha lexuar dhe një citat tjetër pakashumë të ngjashëm. Kuptova se (padyshim) do kem lexuar thënien e autorëve Eleanor Lamb, Douglas Stewart, “Dashuria është thjesht çështje kimike, pavarësisht origjinës. Ne vetë zgjedhim si do ia japim kuptimin” – thënie kjo e ardhur nga libri i tyre “Against A Crooked Sky” (Kundër qiellit të përkulur… apo dhe të shtrembër, ashtu diç, përafërisht).

Nëpër artikujt e publikuar gjithandej (ka panumër revistash të stilit “a la science digest”) shkencëtarët thonë se dashuria mund të shpjegohet me “termat” e shkencës së Kimisë. Anise, sipas meje, s’duhet ngatërruar studimet shkencore rreth dashurisë, me studimet farmaceutike e me “viagrat”. Sepse janë dy çështje fare të ndryshme kimike, duhet pra mjaft kujdes rreth lajthitjes.

Ndoshta dashuria thjesht s’mund të definohet, s’do ketë “definiendum absolut” – pasi me kompleksitetin e me delikatësinë e tejkalon dhe vetë magjinë : )
Apo pse jo, le t’themi se dashuria shpjegohet me “termat” e Kimisë. Nëse po, atëherë mos vallë paska ndonjë “formulë” për dashurinë, apo si?

Them kështu pasi Kimia si lëndë gjithmonë na i impononte formulat. Gjithë nxënësit e botës e dinë sa të mërzitshme janë tabelat e profesorëve të kimisë – mbushur me formula e me pluhur gëlqeror. Duke e ditur se kimia ka t’bëjë me formulat, me elemente kimike e me cikërrimash të fshehta, mos vallë në të ardhmen dashuria do ta ketë një “formulë” ekzakte?

Mos vallë herëdokur, dmth. kimia e përparuar do jetë në gjendje t’i paketojë “ingredientët” e dashurisë nëpër tubula dhe t’i marrim si pilula, si injeksione farmaceutësh? Njësoj siç sot, të interesuarit me zemrat jo (dhe aq) funksionale i marrin viagrat. Nëse po atëherë lum njerëzimi, lum njerëzia e së ardhmës. Sidomos lum rinia futuriste, pasi rinia janë ata “shtalbat e njomë”, ata ngutulushët që dashurinë e përjetojnë si magjinë më të bukur të jetës.

Apo si… hm, e pse t’mos jem kureshtar, ishte dhe vetë Ajnshtajni. Tekfundit kimikat organike (dhe ato inorganike) jo ndryshe por ekzaktësisht ashtu funksionojnë. Shkencat s’kanë gjë “magjike” në vete, janë analizime detajesh, akëcila shkencë i analizon dhe sintetizon një mal me detaje. Me mjetet e analizës e të sintezës “thyhet” ai kodi i sekreteve – përfundimisht arrihet tek konkluzioni për qartësinë rreth diçkaje. Pikërisht ashtu, aq e thjeshtë është, as magji as çudi.

Për fat të keq tani për tani jo, dashuria s’ka ndonjë “formulë”. S’ka formula ingredientësh për t’i blerë në apotekë. Natyrisht, veç e alarmuam lexuesin, s’duhet ngatërruar shkencat rreth dashurisë me pilulat “viagrale”. E qartë se shkencat e tashme të dashurisë ende në pelena. Atëherë vallë si shpjegohet gjithë ajo bujë shkencëtarësh? Cili na qenka shpjegimi shkencor i kimistëve, definicioni final i shkencës së tashme?

***
Sa për individët (për zemrat veç e veç), secila zemër e ka kristal të qartë ç’është dashuria. Mirëpo, kuptohet qasja e shkencës është krejtësisht tjetërfare.
Në vitin 2017 Katherine Wu (Univ. i Harvardit) do ta shkruante një artikull mjaft simpatik (bazuar në “konkluzionet” pararendëse të një grupi shkencëtarësh udhëhequr nga Dr. Helen Fisher).

Autorja ia fillon duke sqaruar: për shekuj me radhë njerëzia mendonin se dashuria (dhe shumica e emocioneve) lindin në zemër, dmth. dhe strofullën e kanë aty, në zemër. Tashmë, shkenca moderne na e thotë se në fakt dashuria ka t’bëjë me trurin, jo me zemrën.

Sipas Dr. Fisher, – shkruan Wu – dashuria ia vlen të filtërohet në tri kategori: në dashurinë epshore, tërheqëse dhe lidhore. Tutje secila kategori e dashurisë karakterizohet me grupin specifik hormonal. Testosteroni dhe estrogjeni janë shkaktarë të epsheve; dopamina, norepinefrina dhe serotonina janë shkaktarë të tërheqjes fizike (dmth. kur individi t’ketë rënë në grackën e bukurisë fatale, psh. të seks-bombave e këso); ndërsa oksitocina dhe vazopresina shkaktare të “lidhshmërisë” që ndjejmë ndaj personave, kafshëve etj.

Bukur këso sqarime për influencat hormonale. Por le ta rishtrojmë pakashumë dhe kureshtinë e Ajnshtajnit. Vallë pse s’na i zbulon shkenca “sekretet” rreth ndjenjave të pakushtëzuara, psh. rreth dashurisë amësore. Ose thjesht t’na e sqarojë dashurinë universale ndaj fëmijëve, ndaj engjëjve të kësaj bote. Gjithçka që ndjejmë jokushtimisht, vallë si “definohet” me formulat kimike ndjeshmëria ndaj luleve, ndaj fluturave, ndaj qengjave, ndaj rrezeve të diellit etj etj. panumër etj.

Autorja Wu konkludon se “definicioni” i dashurisë nga shkenca moderne megjithatë është punë në progres. Larg jemi për “definicione”, i kemi zbërthyer ca formula organike por tjerat janë spekulacione, kanë ngelur dhe shumë pyetje pa përgjigje.

E pra, sapo e thamë pakashumë të njëjtën – s’e mohon kush që industria farmaceutike e di fort mirë cilat ingrediente kimikale janë përdorur në viagrat. Mirëpo atyre që u nevojiten pilulat s’dinë gjë… s’janë as kimi-kologë as farmakologë. Zemrat difektuoze s’e kanë idenë mirëfilli si funksionojnë viagrat, sepse ca gjëra duhet t’ngelin sekrete për pacientët.

Fare normale, as afrodiziakët e romakëve dikur s’kishin receta haptas. As për ato të kinezëve s’e kishte kush idenë e ingredientëve. Ndoshta gejshat dhe mund ta kenë ditur, aty-këtu do kenë “rrjedhur” sekretet, ama askush tjetër. Se mos vetëm viagrat na qenkan “misterioze”, madje as coca-colat e botës s’i zbulojnë sekretet e veta. Formulat dhe sekretet kimike ruhen nën shtatë palë drynash.

[ ngjitur: ballina e albumit “Le migliori”, 2016 – Mina Mazzini & Adriano Celentano ]