Shmangia e zhgënjimeve – Sa më larg shkencave të “kokës”!

(sg – ap, t 2020 – humoreskë)

…e gjeta sot një diç si “hartë” të trurit (brain map), me pjesët dhe përshkrimin e “detyrave-funksioneve” veç e veç, infografikë e re fringo, me info të besueshme, “hartë” e strukturizuar, e sinkronizuar ose e aktualizuar me njohuritë më të reja të shkencës bashkëkohore – bukur, u gëzova që s’kishte shumë për t’lexuar, por s’e dija që janë tekste të thuktuara, aso që fshehin domethënie mes rreshtave, prapa rreshtave, para rreshtave… duke parë “shigjetat” e duke lexuar rreth funksioneve të secilës pjesë, padashtas kuptova se një pjesë e madhe e “pjesëve” të trurit o qenkan vjetëruar o nuk funksionuakan si duhet, tekefundit të dhënat (siç i përshkruante “harta”) nuk përputheshin kënaqshëm me performancat realistike brenda (kokës) – kuptohet që për veten gjithmonë e dimë, e ndjejmë, s’kemi si ta “gënjejmë” veten, qëkur e njëjta kokë gjoja duhet ta ujdis gënjeshtrën për vetveten, e pamundur, ca kamuflazha të vërtetësisë dhe janë të mundshme… s’duhet mohuar, ama t’ia hedhim vetë-dijes sonë padyshim do ishte proces mjaft kompleks, tjetër është që s’e kemi idenë dhe pretendojmë duke i lënë gjoja ca kthina në errësirë – në fund sikur u pikëllova, sikur po ndieja keqardhje që i lexova infot, më mirë t’mos i kisha lexuar…, derisa infografikat e trurit “vizatohen” ashtu pjesë-pjesë, realisht s’është e mundur as të ndërrohen as të çmontohen, infografikat janë vizualitete imagjinative, surrealistike, në realitet truri funksionon vetëm si tërësi “kompakte”, ato neuronet e xingla-minglat kanë t’bëjnë me impulset e me elektrikat, anise truri s’është as ndonjë bateri që mbushet, shkurt… s’dimë si funksionon, ama e dimë mirë që “pjesët” e trurit s’janë pjesë, s’janë accesoires, s’janë elemente makinale të ndërrueshme, s’janë aparatura (psh. si orët e prishura që i riparojmë tek mjeshtri), sado të avancuara e delikate qofshin aparatet, madje dhe nëse t’jenë “smartphone” a iPhone kam dëgjuar se në Kinë a në Indi, aty në pluhurin e pazarit i hapin dhe i riparojnë, kot mburret Apple se gjoja na i paska përdorur teknologjitë super-superiore, ata djelmoshat e rrugës me një pincetë i bëjnë operacion, mirëpo në rastin e kokës, qoftë dhe “smartbrain” i ngjeshur me kreativitetin e gjenialitetin, kot… s’ka riparime, në fakt dhe vetëm ideja e hapjes së kafkës na tmerron – andaj sikur po thosha mëvete “me mosdijen shumë më mirë i pata punët”, s’jemi të vetëdijshëm por nganjëherë vetë mosdija na shërben si preventivë, si ilaç ndaj zhgënjimeve, përveç studiusve, studentëve, mjekëve etj. (këso të krisurish, të cilët natyrisht duhet të dinë gjithçka rreth kokëdhimbjes), ne të tjerët ndoshta më mirë t’rrimë larg shkencave të “kokës”, më e shëndetshme nëse shmangen zhgënjimet e panevojshme, kursimi nga çfarëdo zhgënjimesh eventuale brenda kafkës do konsiderohej madje dhe si mençuri : )