S. Guraziu – Ars Poetica, K 2015 (humoreskë…)
Një kuriozitet mjaft “interesant” lidhur me Shqipen e mësova sot. Jo nga ndonjë libër, as nga fjalori, as nga gazetat, revistat, enciklopeditë… por nga një skotlandez. Sipas tij shqipja na i paskësh plot 27 fjalë për lloje të ndryshme të mustaqeve, si dhe 30 fjalë e sinonime për lloje të ndryshme vetullash! Skotlandezi thoshte se janë kaq e kaq fjalë, afro 60 sosh (30 për vetullat + 27 për mustaqet) por jo dhe cilat janë – nuk përmendte shembuj, asgjë konkrete.
Ngela, u mahnita… natyrisht mahnitje e ëmbël, s’ka më ëmbël se t’mahnitesh nga vetë gjuha amtare! E mësova këtë nga Arran Lomas (e dëgjova nga ai… dmth. nga një video e tij në Youtube). Nëse t’na jetë kuriozitet i bazuar në fakte, apo sharllatanizëm, apo thjesht shaka kot, s’e kam idenë. Po e vrisja mendjen, vallë prej nga ta ketë mësuar ai këtë!
M’u duk mjaft e vështirë ta vërtetoja pohimin e tij. S’kam si vërtetoj diç kokëzbrazur, pa burimet e pa njohuritë, pa bagazhin e pasur, pa kokën plot?! Vërtetimet s’bëhen kokëbosh, duhet patur në “mendje” sëpaku nja 30 variacione prej fjalësh të “larmishme”, qoftë për vetullat a për mustaqet.
E qartë, kurioziteti i skotlandezit na sugjeron për pasurinë terminologjike të shqipes. Tjetër se mua vetë, më duket kuriozitet i stërmadhuar, i zmadhuar tepër, i stërfryer. Vërtetimi i pohimit të tij ngelet i vështirë, njeriu duhet t’i ketë në dispozicion gjithë fjalorët e ekspertizat. Ose, ja ta zëmë se i paskemi… prapë kot – sepse sikur s’më besohet që ndonjë fjalor i shqipes t’i ketë 27 “sinonime” për mustaqet, dhe 30 të tjera për vetullat!
Apo dhe ku di unë – ndoshta këto 10-15 vitet e fundit ka ndodhur ndonjë “booom” i madh fjalësh, ndonjë pasurim i bujshëm i fjalorëve të Shqipes. Individët e humbur nëpër botë, shpirtrat e rrokullisur të mërgimit, shpesh ngelin të prapangelur, shpesh s’mund as të kyçen në pasurinë kolektive gjuhësore. Mirëpo fjalorët modernë, botimet e reja atje në vendlindje ndoshta mund t’jenë pasuruar dukshëm. Afërmendsh që fjalorët duhet t’pasurohen, saktësisht e sistematikisht. Pasurohen fjalorët e mbarë botës, pse t’mos pasurohen dhe ata të Shqipes.
Ç’është e vërteta, as nuk m’janë nevojitur termat për “mustaqet”, s’i kam kërkuar kurrë në fjalor. Nëse t’kërkoja tani, fjalori ekzistent s’më duket bindës, s’më mbushet mendja që ai Fjalori i 1980-s ta ketë një “pasuri” të tillë fjalësh. E di se është “ribotuar”, e di se janë shtypur dhe ca mijëra kopjesh të reja, janë “përmirësuar” gjoja ca lajthitje ideologjike, ishte ndërmarrje e energjizuar nga vetë akademia, e di se i është ndërruar ballina etj etj., por nuk është pasuruar. Tekefundit, sa i përket rishtypjes s’kam hasur ndonjë lëvdatë akademike, as shkrime, ese të mirëfillta, ekspertiza ushqyer me fakte, asnjë artikull rreth pasurimit të shqipes.
Meqë s’po e gjeja dot prej nga pohimi aq i guximshëm i skotlandezit, sakaq sikur ia fillova me spekulimet e me hamendësitë. Këso grade e njohurive gjuhësore patjetër do jetë ekspertizë “speciale”. Njohuri të tilla janë privilegj i të rrallëve, gatuhen me ingrediente të rralla të “fanatizmit” e të kureshtisë! Ndoshta kurioziteti është lançuar nga ndonjë njohës i veçantë i shqipes (me kohë, para skotlandezit), nga ndonjë ekspert i padëgjuar. Janë të pakët gjuhëtarët e padëgjuar, mirëpo ka dhe të tillë. Ka ekspertë që i ujdisin panumër fjalë, aty për aty.
Sidomos krijuesit e mërgatës, sidomos poetët e diasporës, sidomos shkrimtarët e krijuesit e Gjermanisë e të Zvicrës. Duke qenë Gjermania pothuaj e paskajshme, nuk hyhet kurrë në “hak” ta marrësh si shembull mërgatën e atjeshme. Shoqatat e atjeshme, Asociacionet Politiko-Artistike, Klubet e Shkrimtarëve, Lidhjet miqësore të Shkrimtarëve e të Artistëve etj. etj. janë të panumërta. Dhe askush s’di për ta, shumica ashtu-kështu Internetin e kanë “habitat”, s’dalin aq kollaj nga anonimati, sepse s’kanë “motive” individualiste përveç se kolektiviste.
Nëse bëjnë diç për gjuhën, në radhë të parë e bëjnë si dashuri e kulluar për Shqipen. Pasurimin e Shqipes nuk e bëjnë për botën, sa për sy e faqe, për pak nam e për pak famë. Janë racionalë, kurrë s’i thurin lavde vetes as nuk mburren, artikujt nëpër gazeta rreth pasurimit të Shqipes i shkruajnë miqtë e tyre, jo ata vetë. Qasja e tillë konsiderohet “fjalëformim” i frymëzuar, pasurim i vetvetishëm i gjuhës. Anise ky atribut, siç e thamë tashmë, më tepër u vishet krijuesve, dmth. poetëve e shkrimtarëve të diasporës në përgjithësi.
Etj. etj., s’ma ndalon kush të spekuloj dhe më tutje, mund të vazhdoj, diaspora shqiptare thuase e paskajshme, sidomos ajo e Gjermanisë dhe e Helvetisë (dihet se këto dy vende kanë më së shumti shqiptarë). Nga ana tjetër s’është as nevoja t’lodhem, veç e thashë “ku di unë”.
Një detaj tjetër që ia vlen të ceket, psh. s’dimë kush duhet t’gëzohet më shumë (për kuriozitetin në fjalë), dijetarët ordinerë apo gjuhëtarët ekspertë! Apo mbase, padyshim të dyja palët, vallë kush s’do gëzohej për laryshinë kaq të madhe të fjalëve për mustaqet! E saktë që 30 terma për vetullat, dhe po aq për mustaqet pakëz e vështirësojnë mbamendjen. Janë tepër shumë, ndoshta s’iu hyjnë në punë as salloneve të bukurisë, as makiazhistëve, as shkrimtarëve të mëdhenj… dmth. penave të rralla balzakiane, romancierëve të famshëm. Aq terma e sinonime për vetullat s’i kanë ndoshta as kinezishtja + anglishtja së bashku.
Pa le që kjo e fundit ka huazuar aq shumë, me shekuj e shekuj duke huazuar e “adoptuar” nga frëngjishtja. Nëse Anglishtja t’na dilte për një nuancë më e pasur se Shqipja, s’do duhej çuditur aspak. Sa për “hajnisht” mund t’pasurohet gjithkush e gjithçka, e edhe cilado gjuhë, dihet kjo. Dhe vetëm nga latinishtja (gjoja gjuhë e “vdekur”) anglishtja prore e “turpëruar”. Ndërsa nga frëngjishtja e turpëruar përjetësisht, kurrë s’do i shlyhen borxhet. Në fakt, nëse t’flitej trok-e-troç, më tepër se gjysma e anglishtes është “frëngjisht”, gjoja me një theks tjetërfare.
Imagjinoji disi rreth 30 fjalë autentike për vetullat, imagjinoji pastaj plus 30 sinonime të ndryshme për mustaqet – nëse kurioziteti i skotlandezit qëndron, atëherë me shqipen do t’mburren mustakologët anembanë. Dihet psh. që turqit janë mustakologë të paarritshëm, u prijnë mustakologëve të mbarë botës. Paçka se bota ka dhe mjaft inatçorë, aso që s’i pëlqejnë mustaqet, u duken “stërzgjatje” e leshrave kot. Sipas tyre burrëria nuk “definohet” me mustaqet, do ishte qesharake. Përndryshe turqit do na ishin gjoja burrat më të “mëdhenj” të botës! Inatçorët dhe mund t’kenë të drejtë, por statistikisht ia vlen të përmenden, pasi duke i lënë anash do na humbiste një përqindje e madhe mustakologjike.
Gjithsesi, le ta përmbyllim me ndonjë detaj të burrërisë “historike” – historia kishte sa të duash mustakologë. Aq e lehtë të konkludohet se me pasurinë mustakologjike të shqipes do t’mburreshin dhe vetë musketirët. S’kemi si t’mos e përmendim burrërinë kalorsiake, qoftë dhe Don Kishot-eske, por njëkohësisht, le t’u shmangemi çmendurakëve të politikave. Vallë pse duhet përmendur mustaqet monstruoze të Fyhrer-it! Tipat e tmerrshëm, mustakologët si ai duhet harruar. Për inat s’duhet përmendur as tipologjinë staliniane. Asnjë diktator, sado mustakolog i famshëm, s’e meriton.
Imagjino sikur ta dinte dikur ai piktori surrealist, ai Dali i famshëm. Ai “nazeliu” i njohur për shijet e stërholla, për estetikat e sofistikuara. Se si më bëhet që ai, përveç si bojaxhi i “pavetëdijshëm”, si surrealist i çuditshëm, do ishte bërë dhe gjuhëtar, albanolog i famshëm. Do i kishte mësuar përmendësh gjithë termat e mustakologjisë së shqipes. Thjesht ashtu kot, që t’i kishte diku në mbamendjen e krenarisë, por dhe sepse do i duheshin rreth publikimeve shkencore. Bibliotekat e botës sot do ishin aq krenare me tituj të ndryshëm, diç si “Albanologjia Surreale – Zanafilla Mustakologjike e Gjuhësisë”, apo “Studime Albanologjike rreth Etimologjisë së Mustaqeve Spanjolle”… etj. etj. do kishim plot titujsh të ngjashëm nga pena e Dalit : )