Ç’botë e mrekullueshme, what a wonderful world (3)

sguraziu – ap n, 2020 – koment

[ 135 milionë të uriturit e Nobelit për sivjet, dhe 137 milionat e kasolleve të Elon Musk ]

Në Allure (apo ndoshta në Architecture Digest, njëra nga to) pata lexuar që themeluesi i “Tesla”, miliarderi Elon Musk t’i ketë vënë 7 vila në shitje. Së bashku çmimi i këtyre 7 kasolleve i arrinte 137 milionë dollarë. Ok, jo dhe aq “interesante” po thosha, miliarder hesapi, mund t’i shet 7 shtëpi përnjëherësh dhe t’mos ngelet as pa strehë as i uritur. Musk s’është vetëm i pasur, është dhe ëmbëlsisht i çmendur, çmendurisht gjenial, vizionar, i krisur origjinal etj etj. Madje s’e kam fjalën për veturat, as për raketat, as për Marsin, as për bizneset…

Ec e mos buzëqesh bie fjala me faktin që ai dhe “gruaja” e tij (e quajtur Grimes), e patën pagëzuar djalin e tyre X Æ A-12 (shqiptuar: Ex Ash A Tuelve). Thuase emër për ndonjë veturë futuristike ardhur nga trakat e robotizuara të Tesla! Thuase ndonjë kod ekzotik alienik, as vetë emrat e alienëve nëpër filmat Hollivudi s’i zgjedh ashtu. Mirëpo me ligjet kaliforniane emri i tillë na qenkësh i ndaluar, sipas ligjit emrat e personave s’bën të përmbajnë shifra. Kështu që çifti Musk na qenkësh shtrënguar ta ndryshojnë në X Æ A-Xii ? Shih pra… epo “ndryshim” i madh, shkurt djali i tyre quhet X Æ A-Xii Musk.

Apo, ec e mos buzëqesh me faktin tjetër, në pyetjen “ç’është më e rëndësishme, Marsi apo shtëpia?”, përgjigjia e tij: “alokimi i kohës për ta ndërtuar një shtëpi, edhe nëse t’ishte shtëpi vërtet e mrekullueshme, prapë s’është “shpenzim” i mirë i kohës krahasuar me zhvillimin e raketave të nevojshme për t’na çuar në Mars…” ?
Hm, e qartë se çmendurisht i pasur, ëmbëlsisht i çmendur, ja pse çmenden dhe bukuroshet e botës pas tij. Quaje si të duash… X Æ A-Xii, “baby”, po deshe dhe Terminator T-1000, who cares. Me kusht që ta pushtojë Marsin.

Pastaj hooop m’u kujtua Nobeli i sivjetëm për Paqe. M’u kujtua që Nobeli u qe ndarë “135 milionë të uriturve” (të WFP), dhe se akademia motivacionin e “arsyetonte” duke shtruar pyetjen: a e dini se 135 milionë njerëz vuanin nga uria në v. 2019? Dhe tutje sqarohej se gjatë 2019, WFP siguroi ndihmë për rreth 100 milionë njerëz në 88 vende të botës, viktima të urisë.
Padyshim miliarderëve do u jetë këputur shpirti, për akademinë s’do ketë qenë fare i vështirë vendimi se kujt Nobelin sivjet.
Ç’botë e mrekullueshme, what a wonderful world…