Ikanakët, të pakthyeshmit, guximtarët e Marsit!

S. Guraziu – AP, N 2020 [ Humoreskë | fragment nga “Ego-sintonia dhe Vetënjohja e Un-ikalitetit Narcizist” ]

(…më dhimbset dhe Laika, ajo qenushja-astronaut, eksperimentistja kozmonautike. Pa le që ndoshta ajo kundër vullnetit të vet, s’do e kenë pyetur fare të ngraten. Ashtu me ca kockash të mjaltosura do e kenë mashtruar, e patën ngujuar në raketë…)

|- – –
Personat me ndjenjën e fuqishme të vetë-vlerësimit qiellor, dhe të cilët veç i ka trajtuar psiko-shkenca, nëse t’i pyesnim ëmbël e butësisht, fare lehtë do ta pranonin se janë narcizistë. Sepse aq e lehtë me eksperimentistët, me kaviet eksperimentale. Madje ka të tillë që për hir të “eksperimenteve” vullnetarisht kanë pranuar t’shpërngulen në Mars. Vetëdijshëm e kanë pranuar alternativën e pakthimit, biletën njëdrejtimshe. Shpërngulja dhe të gjitha sakrificat deri sot, s’kanë t’bëjnë vetëm me dashurinë ndaj njerëzimit, por dhe me dashurinë e me dashamirësinë ndaj shkencës. S’duhet mohuar, Cesarit ç’i takon Cesarit, ama nepër humoreska dhe shkrimesh satirike ja që duhet shkapuritur dhe detajesh që s’i permend kush, duhet shoshitur lloj-lloj cikërrimash të tjera…

Përpara s’kam dyshuar, s’më ka vajtur as mendja se ndokush nga neve humanoidët mund t’na jetë dhe “alien”. Hollivudi pretendonte me mbushamendjen, ka pothuaj një shekull me lloj-lloj ideshë e filmash, por kot. S’besoj t’i ketë besuar kush pollavrat e “gjelbërushve të Marsit”. Tani me shfaqjen e vullnetarëve ikanakë, sikur m’është luhatur siguria. Si ta kuptoj vallë, kur vajzat në lulen e rinisë duan t’ikin sa më larg tokësorëve, ende pa i testuar raketat mirëfilli vajzat as 20-vjeçare kandidojnë t’shpërngulen në Mars, të rrinë atje përgjithmonë!
Hm, sa i përket alienizmit s’duhet mohuar, mjaft të “dyshimtë” kandidatët e Marsit, tani s’jam dhe aq i sigurt.

Natyrisht s’më dhimbsen, pasi ndërmarrjet e tyre të guximshme janë në emër të mbarë njerëzimit, s’ka arsye për dhimbshuri, do ishte absurd cilido impuls sentimental. Vullnetarët e “dyshimtë” ashtu-kështu s’janë ngusht, aq u bënë atyre për sentimentet tona. Kanë zgjedhur vullnetarisht t’jenë eksperimentistë. Bie fjala NASA ka dhe aso pilotë guximtarë që i testojnë lloj-lloj avionësh marramendës, gjithmonë i ka patur. I ka dhe ESA ndoshta, lloj-lloj guximtarësh. Padyshim do i kenë patur dhe sovjetët, tani do i kenë dhe rusët, edhe kinezët. Pilotët e tokës e të orbitës janë guximtarë normalë, të zakonshëm, jemi mësuar me ta.
Këta të “dyshimtit” tani duan t’i testojnë raketat e Marsit, jo për t’i çuar ca domate e akullore në orbitë, por për t’mos u kthyer kurrë.

Kuptohet që të dyja palët janë vullnetarë, edhe guximtarët edhe super-guximtarët. S’bëhen gjërat me zor, s’i shtyn kush të ndërmarrin eksperimente të rrezikshme, finalistike në jetën e tyre. Dallimi është se eksperimentistët e tokës s’janë të dyshimtë. Nëse eksperimenti i rrezikshëm mbaron me sukses, fort mirë… bukur t’jesh fatlum. Qoftë dhe n’stratosferë, me grahmat oksigjenike të fundit, o zoti o fati do i kursejë, ashtu të kalamendur kthehen rishtas në Tokë. Rendin njerëzia, i nxjerrin nga deti me helikopterë, i hedhin në TV, i bëjnë yje mediash për ca vjet, gëzohen madje dhe të dashurat e tyre.

Ndërsa këta “eksperimentistët” e Marsit janë fare diç tjetër, s’do t’kthehen kurrë. Këta sikur qëllimisht duan t’ikin larg humanoidëve, sa më larg nga “tokësorët”, këtyre sikur iu pëlqen moskthimi!
Ranë pra ikanakët, të pakthyeshmit, guximtarët, kandidatët e Marsit dhe tani sikur m’është luhatur siguria. Ku di, ndoshta Hollivudi vërtet të ketë ditur diç rreth “gjelbërushve të Marsit”. Përndryshe s’ka si sqarohet. T’i biesh fyellit për një shekull të gjatë në një vrimë, dhe melodinë tënde t’mos e pëlqejë asnjeri, asnjë bareshë dhe as bari, asnjë hiçkush nga gjithë frymorët e planetit, ja që as ashtu s’do pinte ujë.

Gjithsesi, kam frikë eksperimentizmi i ikanakëve të Marsit s’ka si sqarohet me veglat e psiko-shkencës tokësore, do ngelet përgjithmonë si mister. Ndoshta teoritë konspirative të “alienizmit” vetëm sa do lulëzojnë. E dhimbshme pra, kandidatët, ikanakët, eksperimentistë do ikin, ama ne vetë do ngelemi në errësirë, s’do mund ta hedhim në dritë asnjë sekret. Uroj që herëdokur sëpaku t’na dalin në ndihmë shkencat e Marsit, sepse do zbuteshin gjërat, do ngopeshin kureshtjet, do fashiteshin dhimbjet. Shpresoj që herëdokur marsianët të shfaqen ndaj nesh solidarë… e jo t’mos na e varin (neve tokësorëve), t’na injorojnë. Psh. si australianët që tani shtiren mendjemëdhenj, pushkë e kanë me aziatët ama evropianëve s’ua varin. Apo si kanadezët që shtiren “cool”, gjoja për shkak të afërsisë polare rrinë aq të ftohtë ndaj nesh. Apo si Trumpi i cili tashmë, në emër të gjithë Amerikës, për gjithçka na e tregon “bërrylin”, s’ia var as Macron-it as Makaronit, madje as vetë zonjës më t’fuqishme të kontinentit, Znj. Merkel

Anise, kuptohet ndihma marsiane automatikisht do t’nënkuptonte dhe anën tjetër të “medaljes”. Ashtu do dilte shumçka ose gjithçka në sheh. Do ishte dhimbje e madhe në vete, diç si pasojë “pandoriane” e mosdurimit. Do nënkuptohej që dyshimet rreth “alienizmit” dikur s’paskeshin qenë kot, secila hipotezë konspirative, sado e pabesueshme, megjithatë na paskesh qenë e vërtetë. Do ta kuptonim që për një shekull të tërë e paskeshim vrarë mendjen me të drejtë. Do ta dinim se fjala, në fakt na paskësh qenë për fakte të fshehura. Vallë pse duhej që tokësorët t’i fshihnin faktet e veta, pse duhej ta mbanim veten në errësirë për një shekull të gjatë, kujt i duhej errësira shekullore, pse duhej t’i “maskonim alienët”… Vallë pse duhen fshehur faktet qëllimisht, kush mund ta bënte këtë akt anti-njerëzor kaq kolosal, kaq anti-human, çfarë “njerëz” na qenkan ata që mund ta bëjnë, nëse s’ishin “njerëz” atëherë çfarë na ishin?

Etj. etj. etj. paskajsisht do habiteshim, zhgënjimi do e pllakoste gjithë planetin.
Imagjino sa i gjatë një shekull, imagjino me miliona teori internetike, panumër konspiracione, imagjino nesë secila dritë-fluturë e paidentifikueshme, secila UFO-pjatë fluturuese t’na dilte e VËRTETË… ruana zot, do shembej bota, do trazohej i gjithë rruzulli, me kontinente e me akullnente. Do ishte aspak më ndryshe sesa hapja e ndonjë Kutie të Pandorës plot të vërtetash, tashmë të helmatisura.
Shkurt s’është nevoja për sentimente as për vramendje. Le t’ikin ikanakët, le t’i testojnë raketat, s’është nevoja t’i dhimbsen kujt vullnetarët, eksperimentistët, guximtarët e “dyshimtë”…

Nëse t’ia fillonim me sentimente, atëherë në fakt më dhimbset dhe Laika, ajo qenushja-astronaut, eksperimentistja kozmonautike. Pa le që ndoshta ajo kundër vullnetit të vet, s’do e kenë pyetur fare të ngraten. Ashtu me ca kockash të mjaltosura do e kenë mashtruar, e patën ngujuar në raketë. Emri “Laika” do përkthehej si “lehës-e”, vallë ç’fshihej pra në lehjet, në klithmat e fundit të agonisë teksa po digjej në kapsulën prush? Fluturakja e saj duhej të digjej, të dizintegrohej gjatë hyrjes në atmosferë, s’ishte e dizajnuar të kthehej ndonjëherë.
Më dhimbsen të gjitha “eksperimentet” e dështuara pararendëse, të gjitha kafshët e mëparshme dhe ato të mëvonëshme kozmonautike. Sa për kaviesh të bardha eksperimentale, me miliona krijesash të vogla, sakrifica të dashurisë laboratorike, ato s’duhet ndoshta as t’i përmendim.

|- – – fragment nga “Ego-sintonia dhe Vetënjohja e Un-ikalitetit Narcizist” – – –