Edhe një mustakologji mjaft e qëlluar niçeane!

(SGuraziu – AP, Dhjetor 2016)

Larg tregut e larg famës ndodhin të gjitha gjërat e mëdha. Larg tregut e larg famës rrojtën shpikësit e vlerave të mëdha. Bota rrotullohet rreth shpikësve të vlerave të reja.” – Friedrich Nietzsche (1844-1900)

Mustakologji fort e qëlluar kjo, apo jo! Vetëm se, megjithatë, bota sot është mjaft e “çuditshme”, shumë më e “çuditshme” sesa në kohën e Niçe. Derisa konkluzioni niçean vlen 100% për poetët (kujdes: nuk vlen për shkrimtarët), pastaj vlen për filozofët, për humanistët, për ca specie speciale intelektualësh… si dhe eventualisht për ndonjë shkencëtar aty-këtu, si psh. ndonjë Marie Curie, ndonjë Tesla etj, por ama shpikësit e mëdhenj të fushave të reja (fusha që në kohën e Niçe nuk ekzistonin) sikur e kanë të “pamundur” t’rrinë larg tregut + larg famës. Madje dhe sikur të donin ata vetë thjesht ngelet e vështirë.

Bie fjala, s’e mohon kush dhe padyshim shpikës i “kompjuteristikës” duhet konsideruar Turing, ama çfarë do t’thoshin Steve Jobs, Mark Zuckerberg, Bill Gates, e të ngjashëm, secili më “miliarder” se tjetri : )

Marie Curie do ishte gruaja e parë ta merrte diplomën universitare si një “Philosophiae Doctor”, si dhe gruaja e parë Profesoreshë në Universitetin e Parisit. Jo vetëm aq, ajo po ashtu do ishte gruaja e parë ta fitonte Nobelin. Rishtas jo vetëm aq, ajo do ishte dhe personi i parë që ta fitonte Nobelin dy herë, në dy fusha të ndryshme shkencore. Secila mendje shkencore e kësaj bote do ta admironte intelektin e saj, inkluzivisht Ajnshtajni i madh.
Megjithatë ajo kurrë s’merrej me anën “komerciale” të arritjeve të veta… ndërsa fabrikat aneskaj botës operonin me miliona e miliona fitime të majme nga “frutat” dhe nga prona e saj intelektuale.

Ose, ose… si shembull tjetër, çudia sikur bëhet akoma më e “çuditshme” në rastin e Tim Berners-Lee, rasti i tij mbase është “shembull më i bukur” për ta ilustruar kontekstin. Ky do ta propozonte një metodë për shkëmbimin e dokumenteve hipertekstuale në Internet, duke e shpikur atë që sot e njohim si “rrjet mbarëbotëror” (www – world wide web). Berners-Lee e shpiku web-in, e megjithatë nuk e patentoi konceptin e vet, imagjino sa milionat e miliardat do ishin në llogarinë e tij bankare. Berners-Lee e krijoi gjithë konceptin e www, pa të cilin sot bota s’mund të imagjinohet, ama Mark Zuckerberg do ta shpikte vetëm “idenë e Facebook” dhe imagjino… sot aq i pasur, nesër Zuckerberg fare lehtë mund t’bëhet “kacagjeli” më i pasur i planetit : )

Shkurt, lidhur me mustakologjinë niçeane s’duhet harruar që bota sot është më e “çuditshme” nga ç’ishte në kohën e Niçe. Në kohën tonë s’ia vlen t’shtiresh indiferent ndaj tregut e ndaj joshjeve moderne. Sot tregu sikur i përcakton “vlerat”, reklama sikur i përcakton “shijet”, interesi sikur i përcakton “klanokraturat” (ose nëse doni, e shprehur më butë: miqësitë) e kështu me radhë : )

Nuk di si është nëpër botë (bota aq e madhe, tekefundit s’kam qenë në Afrikë, atje mbase mund t’kete lloj-lloj surprizash : ) por di që psh. në Lulandi nuk është njësoj si në Shqipëri. As në Shqipëri padyshim s’do jetë njësoj si në Kosovë, vlerat e tregtisë dhe famoziteti gjithandej i kanë “parametrat” e vet. Kaq di dhe mjafton ta hetoj këtë dallim.

S’më nevojitet të di si është në Francë (bie fjala), as në Itali (prapë bie fjala), në Amerikë, a në Suedi… S’është nevoja të shtirem gjoja “ekspert” i rangut botëror për çështjet “tregtare” dhe të famozitetit. Tani për tani mjaftohem me faktin se jam një “outsider” neutral i cili ia del t’i piketojë ca dallime rajonale, kaq…