Luanët e Shtëpisë së Bardhë, dhe të Shtëpisë Sonë!

S. Guraziu – AP, Dhjetor 2016 (pak humor, me astro-fakte dhe me aso të vërteta, tokësore 🙂

(natyrisht që Luanët janë krenarë, tekefundit janë Mbretër në Serengeti, ama sipas Zodiakut, janë dhe arrogantë e kokëfortë)

Gjithkujt i intereson shtëpia e vet, është ky “impulsi” parësor i interesit, apo jo, s’kemi pse e lodhim kokën për të huajat. Dhe afërmendsh, shtëpitë e huaja s’na interesojnë aq. Ose ndonjëherë rrallë, tepër rrallë. Nëse ndodhë, e dimë që të tilla interesime janë aso dytësore. Psh. Amerikës fillimisht i interesojnë faktet rreth Shtëpisë së Bardhë (s’përzihet kurrë në “shtëpitë e huaja”), mua ato rreth shtëpisë sime, dikujt tjetër faktet rreth shtëpisë së vet, e keshtu me radhë…

Zbulova se faqja “Inside Gov” (e qeverisë amerikane) përveç tjerash qenka marrë dhe me hesape astrologjike. Për çdosecilin President i paska hedhur shenjat e Zodiakut si dhe pak info relevante aty ngjitas, shkurt e bukur, me stil, thjeshtë e me elegancë. Duke filluar që nga “zanafilla” presidenciale, që nga Washington-i i parë, si President me “një dhëmb” (njëdhëmbaxhiu) e deri tek Trumpi i fundit si miliarder hijerëndë. Më ra në sy që Bushi na qenka një Çkrrapël, ose dmth. Skorpion i rrezikshëm (dhe mund ta dija këtë). Por ama Klintoni e Obama na qenkan akoma më të rrezikshëm (këtë nuk e dija), këta na qenkan Luanër (Leos)…

Hm, për pak çaste provova ta imagjinoj Klintonin si një Luan i buzëqeshur. Jo pra aso i ngrysur i savanës diku në Serengeti, por si Luan “Shtëpie…”. Luan fare i zbutur, aq i ngrohtë e i dashur, sa ta përqafosh gjithë ditën pa e kujtuar kurrë frikën…
Kur papritmas më brofi mendja, pa dale ore, jo vetëm Shtëpia e Bardhë ka “Leos” të krenarisë. Pa shkuar hiç më larg, dhe vetë Shtëpia Jonë i ka 2 Leo-krenarë. Pastaj m’u kujtua që përveç krenarisë Luanët duhet ta kenë dhe kokëfortësinë – u gëzova që tek astro-atributet figuronin faktet që më duheshin. Madje-madje aty figuronte dhe vetë “arroganca”…

Ja pra shansi – i kopjova Luanët e Amerikës dhe sakaq e ujdisa dëshminë grafike. Tani mund ta dokumentoj pa hile, me ndihmën e fakteve të Shtëpisë së Bardhë dëshmohen njëherë e përgjithmonë ato të Shtëpisë Sonë. Pasi faktet janë fakte kudo, nuk lëvizin. Pa le që fjala është për fakte serioze, presidenciale – tani e tutje çunat as “gëk” s’mund të bëjnë, e kotë ta mohojnë, s’mund të shtyhen kurrë me faktet e Shtëpisë së Bardhë : )