Mónica Gomery – Ars Poetica

ARS POETICA
Mónica Gomery [ ShBA ]

Çfarëdo që t’ishte
mendoja se do t’ngelej çështje

e fundit të njëzetave, isha gabim
për këtë. Fundi i të njëzetave

të mia ka t’bëjë me vdekjen
dhe mënyrën sesi vdekja

vetëmbështillet hareshëm
rreth jetës sonë. Njerëzit po largohen

prej nesh, njerëzit po zhvishen
nga lëkurët dhe po rrëzohen në ikje.

Dheu i thërret emrat tanë
me zërin e ëmbël tokësor, kënga

e emrave tanë ngrihet nga toka
si aromë e bukëvalës nga korja e saj.

Njerëzit po tëhuajsohen prej nesh
dhe unë do arrija ta dashuroj

errësirën e natës ashtu siç t’kam
dashur ty, si një dashnor

sytë e të cilit më gdhendin në formën
“unë”, kur m’shikojnë. Çdo gjë e tëhuajsuar

po digjet, por s’është e madhërishme,
është dhuratë tehurine e mprehtë,

fundi i të njëzetave të mia
është mbijetesë kirurgjike

e vdekjes duke e prerë
atë që s’më duhej më.

Dikush m’pati thënë të flas
nga mbresat, jo nga plagët e mia

që ndjehen të vërteta kur trupi
anon largimin nga njerëzit

të dashurit e të cilëve
po vdesin sepse unë

s’ngopem frymë kur vdekja
e prek vdekjen në natë.

Apo është plagë tepër e njomë
për t’folur me gojën e saj?

Më vjen keq
që të dashurit e tu po largohen

por realisht vërtet
s’më vjen keq.

Në fund të njëzetave të mia mësova
se një natë e vetme mund t’jetë

e gjatë sa një grusht vitesh
se një plagë është histori

se historitë kanë emra
dhe se kur ta katalogoj

kjo natë
do t’mbajë emrin tënd

së bashku me një indeks të quajtur
Llojet e Elegjisë, i cili përfshin:

Ekstazën, Zemërimin, Mallin,
Mosbesimin. Dikush m’pati thënë

të flas nga mbresat
jo nga plagët të cilat mund t’shpjegojnë

pse s’jam e gatshme për biseda me
të porsaardhurit në jetë-përtejmen,

sepse kur përplasem me ta në këtë
errësirë ​​të gjatë kërcitëse plaga

e ngre grushtin e madh mbi gjuhën
time dhe vetëm sytë e thonë

të vërtetën. Kur ta katalogoj historinë
kjo natë do t’quhet Fundi

i Fëmijërisë Sime, do t’quhet
Bukuria dhe Terrori Ynë,

do t’quhet
Cili Është Misioni Ynë Këtu.

Anise s’jam e sigurt nëse dakordohem
për mbresat dhe plagët

sepse në fund të njëzetave
është dora ime tek shtriqet

në gojën e plagës
për ta nxjerrë çdo fjalë

të sheshohet në faqen e zbrazët
ku ftohet dhe ngurtësohet

dhe a nuk është ndoshta kjo mënyra
si formësohet mbresa? Dhe kënga

e ëmbël e tokës që me dorë
na thërret të gjithëve

të kthehemi.

© M. Gomery – Burimi: Here is the Night… (Cooper Dillion Books, 2018), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2020