National Geographic, dhe “Arka Fotografike” për Shpëtimin e Specieve

(sguraziu – ars poetica, dhjetor 2020)

Sipas National Geographic deri në vitin 2100 ndoshta gjysma e specieve të planetit mund të zhduken. Andaj ka me vite dhe në vazhdim e sipër është projekti “Photo Ark“, një përpjekje për t’i dokumentuar rreth 15.000 specie më të rrezikuara, e që jetojnë në kopshte zoologjike dhe në rezervate të botës gjithandej globit. E qartë, “Photo Ark” është emërtim simbolik, patjetër se na e kujton “Arkën Biblike”, shpëtimtaren e jetës së tokës (Arka e Noesë, sipas Zanafillës, librit të parë të Biblës Hebraike, ishte anija e madhe me të cilën Noe, familja e tij dhe shumë kafshë e mbijetuan Përmbytjen e qëllimshme të Perëndisë).

Kuptohet tashmë projekti “Photo Ark” s’ka t’bëjë me përmbytje por, sipas Nat. Geographic, e përdor fuqinë e fotografisë për t’i frymëzuar njerëzit që të ndihmojnë në ruajtjen e specieve të rrezikuara, para se t’bëhet tepër vonë.
Udhëhequr nga fotografi Joel Sartore (fotograf i Nat. Geographic për gati 30 vjet) në bashkëpunim dmth. me Nat. Geographic, projekti “Photo Ark” është një përpjekje shumëvjeçare për t’i dokumentuar speciet e rrezikuara të planetit. Qëllimi i Sartore me projektin është që përmes edukimit t’i frymëzojë njerëzit për veprim dhe për ndihmë në shpëtimin e specieve, psh. duke i mbështetur me donacione përpjekjet për shpëtimin e tyre.
Në impenjimin për ta dokumentuar larminë mahnitëse të specieve, deri tani Sartore ka bërë portretet e 10.531, nga 15.000 specie.

Ai beson se për 11 vite duke punuar në projektin, ka qenë dëshmitar i zhdukjes (shuarjes) së 10 specieve të ndryshme.
Projekti “Photo Ark” është dokumentuar në një seri librash dhe në një dokumentar (3-pjesësh). Nat. Geographic thotë se një përzgjedhje fotografish nga projekti janë ekspozuar nëpër muzeume, nëpër kopshte zoologjike dhe nëpër salla ekspozitash të mbarë botës.

Gjithsesi, dhe vetëm arkivi fotografik, si dhe të dhënat në faqen zyrtare të projektit për mua janë mrekullia vetë…
[ Faqja e Projektit: Photo Ark Project ]

[ Simbolika e projektit “Arka Fotografike” – pak fjalë për “Arken Biblike” ]

…kur është fjala për Librat e Shenjtë, afërmendsh që s’duhet bazuar në “logjiken shkencore” të da Vinçit, sipas tij nëse Përmbytja Biblike të analizohej “shkencërisht” do na sillte “dyshim, për ta larguar pastaj këtë dyshim do ishte e nevojshme thirrja e ndonjë mrekullie në ndihmë”…

…gjithsesi, qëkur është e dokumentuar në Shkrimet e Shenjta (të cilat kuptohet janë të frymëzuara nga Perëndia), besimtarët e religjioneve abrahamike besojnë se historia e Përmbytjes së Madhe ka bazë historike, ishte kataklizmë e vërtetë, assesi trill mitologjik a përrallë, njeriu i asobotshëm ishte katandisur si mos më keq, ishte shthurur e prishur mendërisht, shpirtërisht e moralisht, kështu që Zoti po merrej me idenë e nevojës ta pastronte tokën nga ligësia njëherë e mirë, e kishte sjellur tashmë vendimin dhe “pastrimi i ligësisë” do t’ndodhte me një përmbytje përmasash botërore…

…kuptohet që njerëzve të pafajshëm do ua jepte mundësinë e shpëtimit si dhe shansin për t’ia rifilluar nga e para, Perëndia do t’kujdesej për gjithçka, ai e pati krijuar botën, edhe tani do t’kujdesej për t’gjitha detajet, nëpërmjet engjëjve do t’ia niste Noesë (apo Nuhit, Nuhut) instruksionet paraprake, do ta frymëzonte që ta ndërtonte një anije jashtëzakonisht të madhe (si krahasim, anija realisht do ishte përafërsisht sa gjysma e Titanikut, rreth 135 m e gjatë, ama duhej t’kishte vend për çdo besimtar të pafajshëm të botës, si dhe për të gjitha speciet e kafshëve, shpezëve, insekteve… të cilat specie do t’shpëtoheshin në çifte, ashtu si dhe njerëzit, vazhdimësia e gjallimit post-kataklizmik pra do t’ishte e garantuar me vullnetin hyjnor)…

…me devotshmërinë e paluhatshme të Noesë, edhe përkundër vështirësive, me punën e palodhshme të tij, anija qe ndërtuar (Arka e Noesë), sëshpejti do t’fillonte shiu i madh, për 40 ditë dhe 40 net shiu s’do ndalej, përmbytja e planifikuar nga Zoti do t’ishte e pashmangshme dhe të gjitha gjallesat mbi tokë do t’zhdukeshin, uji mbase do ta arrinte pothuaj kupolën qiellore, sepaku me dhjetra metra mbi Everestin, 150 ditë do kalonin që niveli i ujit të binte dhe përfundimisht “Arka” do t’ngecte diku në bregoret e Araratit, do shpëtonin shpirtrat e pafajshëm, besimtarët dhe speciet e panumërta që ishin akomoduar në anijen…

…natyrisht, njerëzit qenë paralajmëruar me kohë se do t’vinte Përmbytja por ata nuk e besonin, thjesht e patën shpërfillur brengën e Noesë, ky i pati paralajmëruar për shkatërrimin që i kanosej gjithë jetës në tokë, do t’bënte çmos që t’i kthente njerëzit në rrugën e mbarë, që t’mos merreshin me ligësitë, që t’ktheheshin në besimtarë dhe mëkatet hëpërhë do u faleshin, meqë mëshira e Zotit e paskajshme, mirëpo për fat të keq ata e shpërfillën…

…e pamundur që t’i bindte, Noe s’kishte çfarë të bënte pos të vazhdonte me “evakuimin”, as Perëndia vetë s’do kishte tjetër alternativë por t’vazhdonte me “operacionin e vërshimit”, pa le që për Zotin gjithçka ishte e para-ditur, kryeneçësia njerëzore dhe mosbesimi i ishin të njohura, ua njihte zemrat mëkatarëve deri në detaje sikur që ua njihte dhe mëkatet, kuptohet se shpërfillja njerëzore e profecisë, nga Zoti ishte e para-ditur, e para-llogaritur, e para-pritur… përndryshe s’do ishte e nevojshme as Përmbytja…

– – –
[ Leonardo da Vinçi – Pikat e Dyshimit – 1 ]

“Këtu lind dyshimi, i cili është: nëse përmbytja, e cila ndodhi në kohën e Noesë, ishte universale apo jo. Dhe duket se nuk ishte, për arsyet si vijon: Në Bibël e kemi që kjo përmbytje zgjati 40 ditë dhe 40 net nga shiu i pandërprerë dhe botëror, dhe se uji u ngrit për dhjetë kubitë* [ rreth 5 metra – shën. im, sg ] mbi malet më të larta të botës. Dhe në qoftë se shiu të ketë qenë botëror, dmth. uji do ta ketë mbuluar globin tonë, i cili është sferik si formë. Dhe kjo sipërfaqe sferike në çdo pjesë të saj ka të njëjtën largësi me qendrën e sferës; kështu që sfera ujore* duke qenë në të njëjtat kushte, është e pamundur që uji [ i përmbytjes – shën. im, sg ] të lëviz mbi të, sepse uji në vetvete nuk lëviz, përveç nëse pëson rënie; pra, si munden ujërat e një përmbytjeje të tillë të lëvizin, nëse e kemi të vërtetuar që nuk ka lëvizje? Dhe në qoftë se uji të jetë nisur disi, si mund të lëvizte përveç nëse të “ngjitej” lart? Këtu, pra, shkaqet natyrore janë mëse të nevojshme; për ta larguar këtë dyshim është e nevojshme thirrja e ndonjë mrekullie në ndihmë, ose ndryshe të thuhet se gjithë ky ujë të jetë avulluar nga nxehtësia e diellit.” – [ Leonardo da Vinçi ]

* “kubit” – masë antike për gjatësinë, rreth 44 cm (kubit i shkurtër) dhe kubit i gjatë 52 cm
* “sfera ujore” – siç e kam kuptuar unë, si duket për Da Vinçin ujërat e botës përbënin sferën ujore, sipas tij elementet “ndërfuteshin në njëri-tjetrin pa shkaktuar vakuum” (në këtë rast elementi “ujë” dhe ai “tokë”), pra sfera ujore dhe sfera tokësore ishin dy sfera elementesh të lidhura, dy masa sferike ndërfutur njëra në tjetrën
[ Shkencat e Da Vinçit dhe Profecitë (1) – SG – Ars Poetica, Dhjetor 2016 ]