Kosova më së paku vetura, por autostradat më të shtrenjta të Evropës!

S’është pasuria e amerikanëve që i ka ndërtuar rrugët, por janë rrugët që e kanë ndërtuar pasurinë e amerikanëve” – pati thënë John F. Kennedy. Thënia e Kennedy mund t’jetë fort me vend (dhe atë jo vetëm për rrugët e Amerikës), ama siduket amerikanët nuk pasurohen vetëm me rrugët e veta. Vetë amerikanët thonë se një “qyp me mjaltë” e kanë gjetur dhe në rrugët shqiptare!
Madje dhe sipas gjermanëve, autostrada “Dr. Rugova” e Kosoves ishte ndoshta autostrada më e shtrenjtë e Evropës…
Përmbajtja e tekstit më poshtë nuk është shkruar nga unë – nga unë është vetëm intepretim i thuktuar i tekstit origjinal, përndryshe do ishte sëpaku nja 10 faqe i gjatë – adresa e origjinalit në anglisht në fund të tekstit ).

Firma amerikane “Bechtel” ka ndërtuar autostrada të shtrenjta në Kroaci, Rumani, Shqipëri dhe në Kosovë – thuhet në hetimin e v. 2015, investigim gazetaresk 6-mujor, Universiteti i Kalifornisë – Berkeley Graduate School of Journalism.

[ Historia kontradiktore e kompanisë Bechtel në Ballkan ]

Në v. 1998 Bechtel e nënshkroi kontratën për ndërtimin e një autostrade në Kroaci, negociuar drejtpërdrejt me qeverinë, pa tender publik. Ministri i jashtëm kroat, në të njëjtën mënyrë (pa tender) do lobonte për një kontratë të dytë rrugore, mirëpo nën presionin e B. Evropiane Kroacia i pati braktisur “negociatat” për kontratën dhe do ta mbante një tender publik.

Më vonë, në v. 2003 në Rumani firma Bechtel negocioi drejtpërdrejt me qeverinë dhe nënshkroi një kontratë për ta modernizuar rrjetin e autostradave (pothuajse joekzistente) të vendit për 2.7 miliardë $. Projekti qe kthyer në një makth 10-vjeçar për të dyja palët, me vonesa, me mosmarrëveshje dhe me akuza reciproke për korrupsion e keqmenaxhim.

Sipas “Economist Intelligence Unit”, Bechtel në fund e dorëzoi 12.5% të punës së kryer me rreth 64% shpenzime nga çmimi i kontratës. Kontrata qe anuluar nga Rumania në Maj 2013 dhe kryeministri Viktor Ponta do deklaronte se fondet e shtetit do t’përdoren për t’i paguar rreth 113 milionë $ borxhe dhe dëmtime shtesë.

[ Kontrata fitimprurërse e Bechtel në Shqipëri – 400 milionë $ ]

Në v. 2006 Sali Berisha pati vendosur ta ndërtonte “Autostradën Patriotike”. Banka Botërore do t’i ofronte ndihmë Shqipërisë financiarisht për ndërtimin e një rruge 2-trakëshe, e cila do t’kushtonte rreth 1/3 e çmimit – do kurseheshin rreth 700 milionë $ të fondit publik, ose rreth 5% e GDP së Shqipërisë. Mirëpo Berisha “jo” thoshte, insistonte autostradë me katër korsi, dhe atë e donte shpejtë.

Raporti i borxhit publik ndaj GDP do rritej nga 56% në v. 2006 (kur rruga qe kontraktuar me Bechtel) në 71% në v. 2013. Rruga do përfundohej në v. 2010, mirëpo si duket situata financiare e Shqipërisë s’ishte aq për lakmi. Kështu që Shqipëria do kërkonte huazim nga FMN për t’i “larë borxhet”. Në Mars të 2014 FMN ia jep Shqipërisë një hua prej 457 milionë $, pjesërisht për t’i shlyer borxhet e krijuara përmes projektit rrugor me Bechtel.
Marzhi i fitimit të Bechtel, me 1 projekt të vetëm ishte aq i “majmë”, rreth 32%, ose 400 milionë $ – e qartë, afërsisht aq sa dhe shuma e huazimit të FMN-së.

[ Autostrada e Kosovës do t’kushtonte mbi 20% të GDP-s së për v. 2010 ]

Në Prill të 2008 qeveria e Kosovës e publikoi tenderin për ndërtimin e një autostrade nga Prishtina deri në kufirin e Shqipërisë (ku do t’lidhej me autostradën në ndërtim e sipër nga Bechtel). Ambasada e ShBA (në Prishtinë) do t’lobonte për firmën Bechtel (që qeveria kosovare ta zgjedhte ofertën e saj) – një praktikë e zakonshme kjo (përdorimi i “diplomacisë) e kompanive amerikane për kontrata në vendet e huaja. Promovimi i interesave të biznesit të kompanive është në “portofolin” e çdo diplomati amerikan. Kritikët pohojnë se tundimi për fitime private mund t’bie ndesh me interesat e politikës së jashtme (të ShBA), veçanërisht kur projektet shkaktojnë dëme në vendet mikpritëse.

Ambasadori Dell e kishte fuqinë për të ndikuar, nëse jo për të diktuar, vendimet e qeverisë së Kosovës, ai ushtroi presion mbi qeverinë jo vetëm për ta zgjedhur korporatën Bechtel, por dhe për ta nënshkruar një kontratë me kushte të favorshme për Bechtel. Ndërkohë një koalicion i gjerë, duke përfshirë Bankën Botërore, FMN, ambasadat evropiane, OJQ-të dhe grupe të ndryshme e kundërshtonin ofertën e Bechtel. Shqetësim i veçantë ishte që kontrata “thoshte” se fatura përfundimtare e projektit do t’vlerësohej vetëm kur t’jetë përfunduar e gjithë puna. Kjo e linte hapur mundësinë që kostot e vlerësuara të rriteshin deri “në qiell”.

Firma britanike (për drejtësi ndërkombëtare) “Eversheds” gjithashtu do ta këshillonte klientin e vet (Kosovën) që t’mos e nënshkruajë kontratën me Bechtel. Eversheds pati gjetur se oferta e Bechtel nuk ishte në përputhje me ftesën për tenderin sepse nuk përfshinte çmimin fiks dhe as dizajnin specifik. Termat dhe kushtet e kontratës “nuk pasqyrojnë një marrëveshje të mirë për qeverinë e Kosovës” do t’konkludonte Eversheds.

Jane Armitage, koordinator rajonal i Bankës Botërore për Evropën Juglindore, do ta paralajmëronte Thaçin se plani i autostradës “nuk duket i qëndrueshëm ekonomikisht, dhe se përdorimi i mirë i fondeve të varfëra publike kërkon oferta të hapura dhe transparencë, kërkon ndarje efektive të rreziqeve dhe detyrime të kufizuara financiare “. Ajo do t’paralajmëronte gjithashtu se detyrimet financiare të hapura “mund t’ndikojnë negativisht në performancën makro-ekonomike, madje të çojnë deri në destabilizimin e një ekonomie të vogël” (siç ishte ekonomia kosovare).

Përkundër të gjitha paralajmërimeve, qeveria e Kosovës e nënshkroi kontratën me Bechtel në Prill 2010. Ambasadori Dell ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës.

Një raport i FMN-së (v. 2012) thoshte se autostrada ushtron presion “të konsiderueshëm mbi buxhetin e Kosovës dhe se mund të paguhet vetëm pjesërisht përmes deficiteve të larta, si dhe me zvogëlim të madh të shpenzimeve tjera të rëndësishme”; këto shpenzime, për ta paguar autostradën, pësuan zvogëlim prej 48% për secilin prej 3 viteve të fundit të ndërtimit. Me fjalë të tjera, projekti thithi burime financiare që mund t’ishin destinuar për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve; gjithashtu u lanë pas dore rrugët lokale, 95% e të cilave janë në gjendje të dobët ose shumë të dobët, më të këqijat në Ballkan – sipas Bankës Botërore.

Ishte një humbje kolosale e parave të pakta publike” – Zyra Civile Ndërkombëtare

Përfitimet e premtuara ekonomike të autostradës kosovare në realitet do dështonin të materializohen. Autostrada përdoret më pak se 1/3 e kapacitetit të saj. Në v. 2013 vetëm 1 në 7 kosovarë posedonte makinë, Kosova e kishte nivelin më të ulët të pronësisë së automjeteve në Evropë. Përqindja e eksporteve të Kosovës në Shqipëri qe rritur nga 10.4% (v. 2010) në 14.9% në v. 2013. Përqindja e importeve të Kosovës nga Shqipëria qe rritur nga 3.2% vetëm në 4.5% (Agjencia e Statistikave të Kosovës).

Autostrada u përfundua në Nëntor 2013, do kushtonte afro 1.3 miliard dollarë. Padyshim ishte projekti më i shtrenjtë i punëve publike në historinë e Kosovës. Përkundër kontradiktave të vazhdueshme rreth projektit të autostradës, firmës Bechtel iu dhurua dhe një peshqesh-kontratë e dytë në Kosovë, për ndërtimin e autostrades prej 65.5 km nga Prishtina në kufirin me Maqedoninë.

[Autostrada “Arbën Xhaferi” do kushtonte ~843 milionë dollarë, punimet do fillonin në v. 2014, përfunduar në v. 2019shën. im]

***
Ambasadori Dell do largohej nga Prishtina në v. 2012, deri në Tetor 2013 do ishte “diplomat” diku tjetër, pastaj s’do punonte më në “diplomaci”, as për Departamentin e Shtetit. Një muaj më vonë, në Nëntor 2013 Bechtel e punësoi (ish-Ambasadorin Dell të Amerikës) si përfaqësues në Mozambik (tashmë “ambasador-biznismen” i një firme private : )
Në fakt Bechtel do ta diskutonte një ofertë pune me të që në Korrik të 2012 (një muaj para se t’largohej nga Kosova – atëherë kur ndërtimi i autostradës ende s’kishte përfunduar).

[ artikulli origjinal, anglisht: https://foreignpolicy.com/2015/01/30/steamrolled-investigation-bechtel-highway-business-kosovo/ ]

(përgatiti: sguraziu – ars poetica, mars 2021)