Rajna, Albaniana, dhe “Limitarët” (kufitarët) e Romës (Romake)

S. Guraziu – Ars Poetica, Mars 2021

Albaniana, një fortesë romake buzë lumit Rajna në Holandën e sotme (Alphen aan den Rijn – kuptohet asgjë s’ka t’bëjë me shqiptarët), se si më shtyri ta provoj kapërthimin e imagjinatës së kufirit prej afro 7000 km të Romës së lashtë. Natyrisht, ne lexuesit e së tashmes botën e kemi “në pëllëmbë”, e rrotullojmë globin sipas qejfit. Me hartash moderne e me projeksione të sakta, aq e lehtë. E kemi madje dhe “përspektiven” e hartave satelitore.

Sikur që e lehtë, si shembull, të kapërthehet dhe çmenduria bunkereske prej 5000 km, ndërmarrja e ashtuquajtur “Atlantikwall” e Hitlerit. Sipas tij, nëse ushtarët të duhen për frontin e Lindjes, ke vendosur që Stalinit t’ia bësh jetën pelim, ta lësh me muaj e muaj pa gjumë, tekefundit t’ia japësh një leksion historiko-tragjik, mirëpo ti e di mirë se herëdokur D-Day është e pashmangshme, ti e di se herëdokur “aleatët” do sulmojnë andaj nga Britania (o nga Normandia), atëherë ushtarët e frontit të Perëndimit mund t’i zëvendësosh me beton, me vigjilencë e me bunkerë, me gjemba çeliku e me barrierash.

No problemos, qoftë dhe front 5000 km i gjatë, duke filluar nga veriu i Norvegjisë e deri në kufirin e Spanjës. Kur ke bunkerë e fortesa, nevojiten më pak ushtarë. Imagjino marramendjen, s’ishte fjala për 50 km, as për 500, as për 1500… por për 5000, front i bunkerizuar dhe i çelikosur deri në dhëmbë. Ajme, padyshim diç si strategji a la “hitlerçe”… jo e gjeneralëve as e strategëve të tij, por e Fyhrerit vetë pa u konsultuar me askend, thuase ai pati ngulur këmbë, thuase ishte diç si kokëfortësi e tij – s’di njeriu ndryshe si ta kuptojë : )

Apo njësoj dhe “Muri i Madh” i dinastive kineze – sikur e tejkalon dhe vetë madhështinë, u deshën shekuj e shekuj që të ndërtohej (nëse s’gabohem rreth 17 shekuj), u desh mundi dhe sakrificat e sa e sa dinastive njëra pas tjetrës, do ishte “absurd” si ndërmarrje madje dhe për Kinën e sotme, seksionet dhe, apo pjesët serike të “murit” komplet i kapërcejnë mbi 20.000 km.

Mirëpo le t’jemi sadopak më afër hamendësisë, për kohën para 2000 viteve, një kufi i tillë prej “mijëra km” i perandorisë romake padyshim do jetë dukur diç si “marramendje”. Paçka se kartografët e asaj kohe shumë detaje kufitare mund t’i kenë vizatuar “drejtvizorisht”, s’dua të insistoj se madje ashtu (si marramendje) duket akoma dhe sot e kësaj dite.

Në lashtësi, lumi Rajna ishte një lumë kufitar për gati 4 shekuj, e kufizonte Perandorinë Romake me viset e paskajshme të Germania, me zonën e fiseve të jonënshtruara germanike. Nëse t’paralelizohej me standardet e tashme, qofshin standarde evropiane a botërore, i bie se ishte një rekord absolut. Për 4 shekuj kufiri përgjatë Rajnës ishte ai faktori i “sigurisë dhe i stabilitetit” – shprehen historianët. Edhe si kufi, edhe si stabilitet por gjithashtu dhe si perandori, në Evropë kurrë s’ka zgjatur ndonjë diç më gjatë, qoftë si zonë kufitare a qoftë si ngrehinë politike. Madje kufiri romak (limes) i Rajnës sot për sot është monumenti më i madh arkeologjik i Holandës.

Kufirin e gjatë të Romës së lashtë historianët e quajnë shkurt “limes” (nga latinishtja: limes = shteg, kufi, në shumës: limites). “Limes” është diç si përcaktim i perandorisë së atëhershme, si sistem që shënon kufijtë e Perandorisë Romake. Edhe pse nga vetë romakët termi “limes” nuk qe përdorur për këtë qëllim, ata me “limes” thjesht i referoheshin mbrojtjes kufitare në pjesët e ndryshme të perandorisë.

Për romakët “limes” fillimisht ishte një shteg ose vijë që shënonte kufirin mes parcelave të tokës a të pronave. Më vonë termi u referohej rrugëve përgjatë të cilave trupat përparonin diku atje larg, në territoret e “barbarëve”. Andaj termit do i shtohej kuptimi i një rruge ushtarake, rrugë si “rreze kufitare e si front pushtimi”. Pakashumë të gjitha së bashku, si kuptim i njësuar; edhe rrugë, edhe front lufte, edhe kufi i fortifikuar me kulla vrojtimi e me fortesash.

Gjithsesi, në rastet më specifike, termi “limes” edhe nga historianët bashkëkohor përdoret kryesisht për sistemin e mbrojtjes kufitare perandorake, psh. të zonës germanike përgjatë lumit Rajna në Holandën e sotme, ku dhe pati lindur si term.

***
Nëse ndonjëherë na duhet ta “kufizojmë” sadopak një ekzagjerim, kur një diçka s’kemi si ta përcaktojmë aq saktë, sikur më e lehtë ia themi “pa limit”. Ashtu shprehemi, apo jo! Vallë a nuk ia themi (si shembull sadopak metaforik) se fuqia e bombave atomike është e “pakufizuar”. E dimë se mund të matet… por ec e guxo merru me eksperimentet, fuqinë monstruoze thjesht e lëmë të “pakufizuar”. Sikur më me dëshirë i shmangemi saktësisë, s’na intereson ta dimë aq saktësisht : )

E njëjta nganjëherë sikur na bëhet dhe për kufijtë e Romës (perandorake). Ashtu-kështu kufijve të lashtësisë kurrë s’u dihej, saora “shtyheshin”, lëviznin tutje. Në Afrikë sidomos – gjatë natës qetësi, por të nesërmen linja kufitare mund t’i kullufiste me dhjetra km tutje të shkretëtirës. Psh. diç e tillë mund t’thuhet për kufirin e “Afrikës Romake” (Limes Africanus), pasi Severusi qoftë dhe përkohësisht do ta zgjeronte rrezen e “Kufirit Tripolitanus”.

Thuase gjeneralëve të Romës ndonjëherë u tekej ta vizitonin një qytet diku larg, ashtu me gjithë ushtrinë. Niseshin me legjion e me centurion, ushtarët s’kishin as “humwee*” as kamion por do t’marshonin me dhjetra kilometra larg kufirit. Atje mbase i vizitonin herë hanet e herë hamamet, herë hotelet e herë bordelet. Argëtoheshin gjithë natën, s’kishin vajtur të vrisnin as të pushtonin, edhe pse askush s’u përzihej, tekefundit manevrimet e tyre dhe planet ishin sekrete ushtarake. Në mëngjes ktheheshin të molisur e të dalldisur, të dehur e të kënaqur. Kllapia dhe ëndrrat tutje të mjaltosura…

Ama për kartografët e perandorisë pikërisht atëherë fillonte kokëdhimbja. Sepse të ngratët duhej t’i përcaktonin kufijt, duhej t’i rregullonin rutat e kartat strategjike. Vallë si duhet definuar tashmë vizita e Gjeneral Severusit në Garama, natën që shkoi?! Si pushtim paqësor… apo si vizitë jozyrtare, si nder për bukuroshen Kilipatra?! Çfarë nëse ishte vetëm gosti për gjeneralin, zemërgjerësi e saj, aheng për centurionët e lodhur, për ushtarët e mërzitur? Duhet lënë tashmë qytetin përjashta kufirit të perandorisë, apo duhet futur brenda!

Më bëhet sikur të tilla kokëdhimbjesh i kishin kartografët e lashtësisë. Në rastin e “Magna Germania” (me lumin Rajna), në rastin e “Britania” (me Murin e Hadrianit) etj. etj. kuptohet gjërat qenë fiksuar sadopak me “gozhdat” shekullore. Ama ashtu si përgjithësim, kufijtë e Romës pothuaj sikur s’ishin kufij. Vallë kush e njihte botën më mirë se kartografët? Askush! Në fakt ata vetë ishin të vetmit që dinin t’i vizatonin.

Nocioni “romak” kapërthente gjithçka të botës që ia vlente, të botës së qytetëruar, ishte pakashumë si dielli që dhuron ngrohtësi pa dallim, gjithandej. Sidoqoftë, dhe vetë “e pakufishmja” herët a më vonë duhet kufizuar disi. Meqë botë rrotullake, meqë e rrotullueshme, e qartë se as dielli s’e ndriçon sferën njësoj. Andej përtej kufijve të qytetërimit vinte bota e joqytetëruar, andej jetonin barbarët, barbarizmi shtrihej deri në “ultima thule”.

Pastaj kuptohet, mbaronte toka, përfundonte gjithçka – fillonte gjithësia. Romakët, dmth. “qytetarët” e Romës, padyshim e njihnin relativisht mirë qytetërimin romak (andaj dhe ishin qytetarë!). Ose nëse jo bash të gjithë e kishin idenë e paskajsisë, sëpaku ata e njihnin Romën, e njihnin kryeqendrën. Atëherë ngelet se kufijt e perandorisë, ashtu mirë e me detaje patjetër i njihnin gjeneralët, strategët e luftës, senatorët e perandorët. Qëkur hartat vizatoheshin enkas për ta, për askend tjetër.

E mëtutjeshmja s’njihej mirëfilli, as nga gjeneralët as nga kartografët. S’e kishte kush idenë, ama mund t’supozohej se ç’kishte matanë. Se mos vetëm romakët supozonin… ! Njësoj ia bëjmë akoma dhe sot e kësaj dite. Është fakt që ata më të cekët, më të “limitizuar”, s’i gëzonin avancimet tona, mirëpo as tani s’dimë gjithçka. Bie fjala, kurrë s’e kemi parë pjesën e prapme të Hënës, kurrë s’ia kemi parë shpinën. Më parë mund t’ia ketë parë Galilei dikur (meqë ai e pati avancuar teleskopin e vet), por ne kurrë. Asgjë, s’na bëhet vonë, mund t’i supozojmë hijet, nuancat, konturat, errësirën.

| – – – vijon – – –

* limitānei – kufitarët romakë, “limitarët”, ushtarët e fortesave të kufirit, të stacionuar përgjatë kufirit (limes), e që kishin dallim nga ushtria e rregullt, nga ta nuk parapritej të arrinin suksese me pushtime të mëdha, me manevrime e betejash strategjike nëpër zonat e thella, por të rezistonin me rastin e sulmeve eventuale dhe ta ruanin kufirin e perandorisë…

* humwee – thuhet në të folur për shkurtesën HMMWV, makinë utilitare, e avancuar dhe e shtrenjtë… e ushtrisë amerikane (me sistemin e armatimit dhe me tekno-detajet e integruara kushton mbi 200.000 $, HMMWV – High Mobility Multipurpose Wheeled Vehicle)

***
[ pakashumë i gjithë kufiri verior i Perandorisë Romake ]

…me detaje e me garnizone, me rrugë e me çdo kullë, nga Atlantiku e deri në Singidunum (Beograd) – ca harta gjermane ngjitur së bashku, për fat të keq, detajet kështu mbase s’shihen dhe aq qartë, përveç nëse të këputej, siç kanë menduar dhe gjermanët, përndryshe do na duheshin ca metrash lëndinë internetike për ta shtriqur hartën mirëfilli : )
…kufiri (limes) nga Lugdunum (Katwijk) ku Rajna derdhet në Atlantik, tutje përgjatë Albaniana (Alphen aan den Rijn) – Castra Herculis (Arnhem) – Bonna (Bon) – Castra Regina (Regensburg) – Vindobona (Vjenë) – Aquincum (Budapesht) e deri në Singidunum (Beograd)…