SG – Kundërshti (R)evolucionare

KUNDËRSHTI (R)EVOLUCIONARE
SG, 2007

Urithët vetë
kanë zgjedhur errësirën,
pa i shtyrë kush,
iu pëlqen të verbohen,
vetë kanë zgjedhur
nëntoken, ndërsa sa e lehtë
të rrëshqasesh në diell,
me ngrohtësi, sipërfaqes
së jetës, qoftë dhe
si zvarranik i zi, bisht
demonësh të të kullufit
pikërisht ty, i ngrati
“de mol”, përderisa
paske “zgjedhur”
t’i mbetesh besnik dritës –
urithët s’janë truk
i evolucionit i dashur Darvin,
s’pi ujë asnjë shkencë
e verbërisë “evolutive”,
absurd t’i ikësh Diellit
për ta arritur labirinteve
të nëntokës zjarrin
e Ferrit, ku do arrish
Darvin i verbër, pa sytë,
nëse vetë Dielli, Ra
i fjalës, kulti i shpresës
së vetë Natyrës
si Orakull na i fali
kromozomet e gjallimit,
të gjitha vulat e dritës,
çertifikatat e mbijetimit…
dhe imagjino Darvin
sa e vështirë të rrëmihen
tunele në errësirë,
sa shumë energji, vetëm
Dielli e di si shpohet
errësira e gjithësisë,
sa shumë sakrificë,
dhe ti pandeh urithët
evolucioni i shtynë
të groposin verbërisht
për ta gjetur sa janë gjallë
varrin… diku në thellësi!