Kuvendi i Shqipërisë mozomokeq – ai i Kosovës… “ka dhe më keq” !

S. Guraziu – AP, Maj 2021 – Lajmet (edicion special)

(…Kuvendi i Shqipërisë do ia kalonte dhe “Comedy Central”, andaj më e dobishme do ishte të transformohej…)

Seanca kuvendore kosovare solli sadopak dhe “lehtësim”, sëpaku tutje Kosova s’ka pse brengoset, kosovarët do duhej të “flenë zbathur”, Kryeministri i Kosovës e bëri të qartë se nuk është “populist”. Akuzat për “populizmin” i demantoi aq qetësisht (video-dëshminë e shpejtuam pakëz sepse gjaaaaatë, nëse e shihni do kënaqeni me fjalët e tij, me “mbrojtjen” e tij – edhe pse absurd të “mbrohesh” apo jo, kur aq i pafajshëm! – videoja na e thotë si e kupton ai vetë “definicionin” e populistit)…

Sipas Kryeministrit kosovar, “kritikat” rreth plan-programit qeverisës (të kabinetit të tij) vijnë nga “ardhmëria + nga historia”, jo nga e tashmja, s’kanë t’bëjnë me aktualitetin. Si replikë njëri nga deputetët iu drejtua: “mirë pra, kur do na i blesh vaksinat, do blesh ndonjë vaksinë në të tashmën apo do vazhdosh me lëmoshë e donacione deri në të ardhmën – kjo është pyetje “aktuale”, po aq sa dhe brengë serioze e popullit, pyetja lindi në kokën time tani, vjen nga e tashmja, s’është kritikë e ardhur nga ardhmëria” : )

Për të 2-tën herë Kosova e zgjodhi Kryeministrin e vet “premtonjës”, drenicakët janë ngapak inatçorë… sorry por ne si agjenci lajmesh e dimë se me karizmën dhe me gjestikulacionet ia kalon Hashit tuaj për disa herë (në politikë gjestikulimi është një lloj gjuhe fort “sexy”, siç e quajnë ekspertët, dmth. aso gjuhe trupore). Tutje me fjalorin e me buzëqeshjen përshfaqet pothuaj si “Kryeministër naiv”, aq i çiltër, aq engjëllor, thuase “mentalitet fluturash”… Vallë mund t’kenë fluturat faj nëse pranvera vonohet, ç’lidhje na paskan fluturat nëse lulet nuk lulëzojnë, ç’faj na paskan fluturat për COVID-in? S’ka kuptim që si “elitist”, ta etiketosh Kryeministrin e vendit si “populist”, është e gabuar dhe e padrejtë – e tha dhe ai vetë, sipas tij madje ashtu “dëshmohet se na qenka demokrat” : )

Ok, sa i përket premtimeve mbase s’mund t’i ketë përvojat e “dinastisë hashimite”… s’e mohon kush këtë. Dhe as kabineti (që e prezantoi) ndoshta s’i ka bash top-ekspertizat, ama thelbi është se ai vetë aq “demokrat” i pafajshëm. Diç ngjashëm si Picasso që ishte artist i pafajshëm, Picasso dikur thoshte se ishte thjesht piktor-kalama që pikturonte si një fëmijë i rritur. Ndoshta krahasimi s’është aq i qëlluar, por dhe Kryeministri kosovar lë përshtypjen e ngjashme, ka 2 muaj që e udhëheq Kosovën me vizion dhe duke “politizuar” aq çiltërisht, si një kalama me kravatë.

Ky “imago” i çiltërsisë është dhe “sekreti” i tij, përndryshe s’do bëhej Kryeministër 2 herë, dikur ishte Kurti 1, tani është Kurti 2, dmth. nënkuptohet që ka dallim. Popullit kosovar siduket thjesht i ka ardhur në majë të hundës me politikanët që “dinë shumë” por ama të korruptuar dhe jo të sinqertë. Kosova mbase kishte nevojë dhe të “vetëngushëllohet” sadopak me ndonjë dozë çiltërsie politike, pavarësisht nëse diç e tillë të ekzistojë apo jo. S’ke si e di pa e provuar, pa e testuar ndonjë “ilaç” ngushëllues. Vallë të jetë Kurti 2 sadopak një “paracetamol” i dhimbjes. Anyway, 1 a 2 pilula çiltërsi s’mund t’i bëjnë më shumë dëm Kosovës sesa demagogët e korruptuar. Sa për zotësinë kryeministrore tek duhet të dëshmohet, por e qartë se nëse t’mos ishte i pafajshëm, nëse t’mos ishte anti-populist i flaktë, retoricist energjik dhe karizmatik, populli s’do ta zgjedhte kurrë, e sidomos jo 2 x, ruana zot… populli kurrë s’gabon, as 1 x as 2 x, një populli të tërë s’ia hedh kush, madje as vetë populistët : )

Sidoqoftë, në edicionin tonë duhet theksuar se Kosova e ka Parlamentin më simpatik në botë, rrallë aty-këtu ndodhë celebrohet me “bombash” të tymit e me fishekzjarre, mirëpo Kuvendi i rutinave ordinere i ngjanë “klasës 1”, asaj “klasës së urtë… të shkollës fillore”. Deputetët i ke të qetë e të sjellshëm, secili në vendin e vet, ende s’e njohin mirëfilli mësuesen… e dëgjojnë me vëmendje kur flet, nuk përtypin “çamçakez”, janë shembullorë dhe të përkushtuar ndaj detyrave shtëpiake, në xhepat e tyre njeriu s’gjenë as farash luledielli as “kikirika”, nuk merren me mobilofonat… nuk “chat-ojnë me dashnoret” mediatike, respektohet rendi e kuvendi, nuk grindet kush… e gjitha çfarë shkëmbehet janë buzëqeshjet, hetohet precizitet në minutazhet tribunale, kur flasin në foltore përdoret fjalor i thjeshtë, sepse të vetëdijshëm: janë duke folur për popullin, për të gjitha të mirat që i takojnë popullit, Kosova është më e madhe sesa vetëm 1 Prishtinë-kryeqytet, e dinë se ka sa të duash varfanjakë, ende papunësi e madhe, ende politika të mjeruara sociale. Përndryshe 80 katunde të Drenicës, sidomos dimrit… skllotë e furtunë, as të dilet as të rrihet, sytë e secilit frymor gozhduar në “kutinë magjike”, të gjitha fshatrat e baltosura të “provincës” kot do i mbanin TV-të hapur, më mirë t’i përcillnin batutat e Treshi-Përsheshit (dmth të Cimës, Qumilit e të Lecit) sesa të merreshin me seancat e kuvendit…

***
Sa për ta hedhur në shesh dallimin – bie fjala Kuvendi i Shqipërisë është mozomokeq (dmth. jo “Kuvendi” si institucion i popullit, larg keqkuptimit, por… lexuesit e dinë për çfarë është fjala). Krijohet përshtypja sikur na qenka ndonjë “kuvend mafiozësh” të Sicilisë, të gjithë flasin me “metafora” e me kode sekrete, me thumba të karameltë të cinizmit, me kunja të ëmbël prej çokollatash të sarkazmit, thuase zhargoni i deputetëve dhe i Kryeministrit na qenka ndonjë “kodeks”, apostafat i ujdisur për shoqërinë sekrete “illuminati-ste”, thuase ndonjë “kod davinçian” i trilluar për novelat policeske fiksionale, e jo për realitetin shqiptar, kodeks-gjuhë vetëm sa për t’i “larë hesapet” pozita dhe opozita mes vete, vetëm sa ata t’merren vesh si do e ndajnë mjaltin e pekmezin, ama jo dhe populli do e ketë të qartë “sa shkon tërshëra parlamentare”, s’e merr vesh kush se ç’dërdëllisin ashtu tek grushtosen me thumbash e me replika, përveç “këlyshëria servile” përjashta… kuptohet, servilantët e parti-zanët i kuptojnë sinjalet, ata e kuptojnë “gjuhën” e kuvendit… no problemos, madje dhe nëse t’ishin sinjale prej “tymi” të apaçve. Sa për botën, kot quhet seancë e hapur parlamentare, gjoja publike (edhe hamamet ishin “publike”, gjithmonë do ngelin hamame). Mbushe sallën me kamera, hidhe në satelit e ku të duash, vare në Diell, bëje trans-universale… prapë kot, as vetë alienët s’e marrin vesh “kodin” e Kryeministrit shqiptar dhe të deputetëve…

S’kemi foto, por le ta ilustrojmë sadopak me ndonjë citat konkret (s’ka rëndësi sa i vjetër apo i freskët citati) – Kryeministri Rama i drejtohej L. Bashës pakashumë kështu (fjalë gazetareske tani këto, pasi ec e mbaji mend saktë “metaforat” e tyre):
“o Lulo m’Lul… hajt shkoni e hani përshesh, të gjithë ju e keni ngrënë dhe e hani përsheshin e Salushit, ndërsa ti Salo ma thuaj pse s’mund ta “kalosh oqeanin” apo ke frikë t’hanë peshkaqenët, pandeh ti se oqeani na qenka Valbonë, i cekët si Valbona, jooo o Salo jo, “oqeani është i thellë”, sapo t’ik nga këtu në axhendën time figuron një chat-bisedë me “përtej-oqeanin” (ata m’kanë ftuar mua… jo unë, vetë s’kam guxim t’i lus për chat-a), Valbona s’ka peshkaqenë ama e ke menderosur o Salooo, me korrupsion e me shitje “hidrocentralesh”, tani e ke zgjatur gishtin kah gruaja ime, ta them se gruaja ime është 100% e ndershme, s’i lëviz “xigëlushja” as për ty as për askend (ok, këtë të “xigëlushes” e shtuam ne vetë tani), gruaja ime s’është “aksionere në biznesin amerikan, as në atë banken”, siç ke shpifur ti shpifaraku i matufosur, përndryshe as unë s’do mund ta kaloja “oqeanin”, do ngelesha si ti matufi i “këndej oqeanit”…

Hm, kam frikë agjencia jonë s’e ka idenë si duhet “konvertuar-deshifruar” gjuha e Kryeministrit shqiptar dhe të përdoret për “Lajmet” tona, e dimë që përtej oqeanit është Amerika… është dhe Antarktida, ama aq, fjalët e Kryeministrit tutje për neve janë mjaft enigmatike. E cekëm më lart se “parti-zanët dhe elitarët” i kuptojnë sinjalet, ata e kuptojnë “gjuhën” e kuvendit, madje dhe nëse t’ishin sinjale prej “tymi”. Sa i përket citatit më lart, për fat të keq, ne s’mund ta sjellim ndonjë qartësi për lexuesin. Superman-i ndoshta do ia dilte t’i deshifronte lloj-lloj citate, meqë ai i luante “2 role”, përveç Super gjithkush e di që Superman-i ishte dhe gazetar (Superman + Supergazetar)…

Si përmbyllje e këtij edicioni special, propozojmë që Kuvendi shqiptar të transformohet në diç si show-biz aksionarësh, 51% kuvend i popullit, 49% i politikanëve, me një mbulesë të madhe pan-evropiane dhe globalistike padyshim do ia kalonte dhe “Comedy Central”, do ishte diç si parajsë për ekonominë shqiptare, do vileshin miliarda prej verdhushkash, përndryshe siç është tani… dëm i madh, komeditë e tyre dhe seancat “debatik-eske” gjithkush mund t’i përcjell pa pagesë, në Youtube e gjithandej 🙁