Hiper-realizëm mahnitës i “verbërisë” së Homerit

[ hiper-realizëm mahnitës i “verbërisë” së Homerit ]
(sg – ap, m 2021)

(skulptura veneriane s’paska pse “hidhërohet” asfare, brushat e Jeong nuk e paskan “turpëruar” artin skulptural, përkundrazi)

…”Homeri“, i ripunuar nga busti i vet, s’di kush gjë për Homerin real (dihet për bustin por jo për “njeriun real” me emrin Homer), askush s’e ka parë, “verbëria” e tij është thjesht një detaj “ekzotik i misterit” të lashtësisë, ama artisti korean Jeong e paska “qarë” portretin homerik, madje dhe me detaje mahnitëse të verbërisë…

…pastaj “Zoti + Adami, dmth. krijimi biblik i Adamit” në Cappella Sistina, kuptohet se këto janë vetëm një detaj i vockël krahasuar me punën kolosale të Mikelanxhelos në tavanin e “Sistina”, kompletimi nga ai i atij projekti thuhet se do ta ndryshonte rrjedhën e artit perëndimor përgjithmonë…

…tutje ngjitur “Venera…” e bukur e ardhur në jetë me brushat e Jeong, tashmë jo nga “valët e shkumbëzuara” të detit… as me trillet tjera te mitologjisë por thjesht qenka ngjallur nga mermeri me bojërat e me imagjinatën, për romakët Venera ishte vetë perëndesha e bukurisë dhe e dashurisë, romakët mund ta “huazonin” perëndeshën greke Afërditën, ama me kusht që ta quanin Venera : )

…tutje ngjitur portreti i Vincent van Gogh, i piktorit të pafat holandez (portret i ripunuar nga auto-portreti i vet “depresiv”, bërë dikur nga van Gogh… ashtu me stilin e vet, unik vangogian)…

…si dhe ngjitur Seneka i pikëlluar, zyrtari dhe filozofi i stoicizmit romak i cili qe paditur si komplotist… rreth aferës për ta “rrëzuar” perandorin Nero, si rrjedhojë i qe kërkuar atij vetë t’i jepte fund jetës (urdhëri për “vetëvrasje” ishte një praktikë mjaft e shpeshtë romake) – për të cilën gjë natyrisht Seneka qe pajtuar, më mirë të vetëvritej denjësisht sesa t’ia “njollosnin” vdekjen ekzekutorët e pashpirt (ose tekefundit të korruptuar shpirtërisht dhe në çdo aspekt tjetër) vrasësit servilë të perandorit – e dhimbshme vdekja e Senekasë, apo jo, ama historia sikur e “ngushëllon” veten sadopak, pasi të njëjtit vrasës ndoshta do ishin dhe vrastarët e nënës së Neros, me urdhrin e djalit të vet (imagjino… vrasës të nënës së perandorit, me urdhër të perandorit), andaj historia sikur s’e ka aq të vështirë ta kuptojë dhimbjen për vetëvrasjen e Senekasë, qëkur dmth kishte dhe me keq…

***
…një djalosh nga Korea Jugore, një artist i ri me emrin Joongwon Jeong, paska talent të jashtëzakonshëm për t’i kthyer artet e “vjetra” në piktura moderne hiper-realistike (psh. u frymëzuaka nga skulpturat e antikitetit, afresket, pikturat e Renesanses etj. ose dhe çfarëdo t’jetë, s’paska kufizime, edhe nga fotot e së tashmes), detajet e secilës prej punimeve të tij qenkan aq precize dhe elegante, pastaj kur pashë një portret të Homerit… vërtet hiper-realizëm i bukur dhe mjeshtëror, fjalët në “superlativa” për artistin korean qëndronin, u “binda” që psh. “Krijimi i Adamit” (punuar dikur nga Mikelanxhelo në Cappella Sistina) dukej shumë më “realistik” sesa ato figurat e tavanit, edhe “Adami” por dhe vetë “Zoti” dukeshin tashmë si të “fotografuar” e jo më si afresk i vjetër me shekuj, tutje bukuria “Veneriane e Milos” dukej bindëse dhe realistike, konkludova se skulptura veneriane s’paska pse “hidhërohet” asfare, s’qenka nevoja as për “xhelozi artistike” as për ngrysje, pasi brushat e Jeong nuk e paskan “turpëruar” artin skulptural, përkundrazi : )