Idetë e “vogla” gjeniale… në shërbim të shekujve!

Idetë e “vogla” gjeniale… në shërbim të shekujve!
(sguraziu – ap, maj 2021)

Ideja briliante “merkatoriale” – Herë s’e kemi idenë, e herë dhe harrojmë që mjaft lehtësira të cilat i gëzojmë sot, në fakt ua kemi borxh ca ideve të “thjeshta” që patën shkrepur në kokat e së kaluarës. Shtriqja e hartës së globit, dmth. paraqitja e globit si një hartë e sheshtë, në shek. XVI ishte një problem i pazgjidhur – sqaron kjo videoja e shkurtër gjermane.
Një ide e tillë “gjeniale” patjetër se ishte dhe ajo e Merkatorit, e hartografit të famshëm – sikur po thosha mëvete. Që nga shek. XVI duke e përdorur “idenë” e tij, sa e sa detarë, kapitenë e marinarë, sot madje as vetë tech-gjiganti Google s’do mundej pa Merkatorin. Paçka se në ndihmë i kemi me qindra satelitë atje lart… në orbitë, duke bërë foto precize e duke i “ujdisur” hartat e së tashmes. I përdorim hartat pothuaj kahdo që rrotullohemi, sot aq shpesh na duhet ndonjë “pikë” referenciale gjeografike. Madje hartat në çdo hap na i servir dhe vetë Interneti, sikur gjithçka të Internetit, makina kërkuese e Google dhe ato të të tjerëve i kanë “lidhur” me hartat, thjeshtësia dhe lehtësia e “leximit të hartografisë sikur na është mbjellur” që nga bangat e para të shkollës – disa gjëra i marrim të gatshme sepse dhe s’ka arsye që t’mos jenë të “gatshme” për ne…

***
…shtriqja e “hartës globale” në shek. XVI ishte një problem i pazgjidhur – thotë videoja, andaj hartografi Gerardus Mercator vendosi ta “zgjidhte”. Merkatori jetoi në Duisburg, që nga v. 1552 i qe përkushtuar krijimit të globeve dhe hartave sa më precize (që t’ishte e mundur). Në atë kohë hartat dhe globet qenë bërë referenca famoze për pasanikët e klasës së mesme. Kërkesa e madhe për harta e globe i solli prestigj dhe pasuri Merkatorit.
Dhe Merkatori do bëhej i famshëm si rezultat i një ideje të shkëlqyer (i pati shkrepur ideja e projeksionit). Gjithsesi, nevojiteshin llogaritje dhe prova të panumërta para se ideja themelore e projeksionit t’mund të zbatohej realisht.
Ai e vendosi një letër në formën cilindrike rreth globit. Cilindri e prek tokën rretherrotull në ekuator. Nga një pikë e imagjinuar projeksionale në qendër (të tokës), të gjitha pikat e globit do hidheshin në cilindër. Pas shtriqjes së cilindrit, voila… sipërfaqja e tokës na del si një hartë e saktë, sepse gjatësitë dhe gjerësitë gjeografike si vlera do i kemi kënddrejtësisht me njëra-tjetrën.
Sidoqoftë, proporcionet na dalin paksa të deformuara (kjo dhe është ajo “jopërkryeshmëria” e idesë merkatoriale – shën. im). Psh. Grenlanda duket pothuaj njësoj e madhe sa Afrika (realisht s’është ashtu). Merkatori ia paraqiti hartën e tij publikut për herë të parë në v. 1569. Harta me dimensionet 1.34m x 2.12m qe titulluar “për përdorim detar”. Më vonë u nda në 20 fletë dhe qe botuar si një libër, i cili me padurim pritej nga kapitenët e marinarët e gjithë botës.” – thuhet në mbyllje të videos.