Linda Pastan – Besimi

BESIMI
Linda Pastan [ 1932, ShBA ]

(dedikuar Irasë)

Me vulën e shkencës
stampuar në ballin tuaj,
si dikur Mirëmbajtja e Shtëpisë,
Vulë Miratimi,
besoj çfarë më flisni
për qelizat dhe molekulat,
edhepse s’i shoh dot.

Dhe megjithëse gjuha juaj
plot me shifra e simbole
që s’do t’i kuptoj kurrë;
megjithëse kravata juaj e çrregullt
dhe flokët të shprishur,
prapë ju besoj çfarë thoni
për madhësinë e universit,
i cili ose zgjerohet ose tkurret,
kam harruar tashmë cila ishte.

Pra nëse nesër thoni
se keni bërë një keqllogaritje të vogël,
se vërtet Zoti ishte që e krijoi botën
në 6 ditë të shkurtra, dhe në të 7-ën pushoi,
se ishte Eva ajo që gjithë
këto telashe na i “shkaktoi”
unë prapë do t’ju besoja,
ashtu siç e kam bërë gjithmonë.

– – –
© L. Pastan – Burimi: Poetry (Dhjetor 2002), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2021

***
[ omni-shkenca dhe deluzioni – magjepsja nga ëndrra e gjithëdijës ]
(sguraziu – ap, korrik 2021 – koment)

…duke lexuar poezinë e Linda Pastan, shpërndar nga Poetry Foundation si “Poem of the Day” (Poezi e Ditës), thjeshtësia e poetikes pastaniane dhe ironia më vinte pothuaj si surprizë e koinçidencës, diç si një “deja vu” e vogël, e beftë – një javë apo disa ditë më parë autori John Horgan (Stevens Institute of Technology) në një artikull publikuar në “Scientific American”, 25 Qershor 2021, me titull “Science Should Not Try to Absorb Religion and Other Ways of Knowing” (Shkenca s’do duhej ta përthith Religjionin dhe format tjera të Dijes), fliste rreth temës se mënyrat tona të ndryshme për ta parë, kuptuar e definuar realitetin s’do njësohen kurrë, dhe s’duhet të njësohen, në një botëkuptim të vetëm monolitik…

…autori Horgan është i mirënjohur sa u përket shkrimeve rreth kësaj teme, në “Sci. American” janë publikuar dhe mjaft shkrime të tjera nga ai, si psh. “Muzgu i Kryepriftërve të Shkencës”, “Pluralizmi: Përtej Një të Vërtete të Vetme”, “Pse s’do t’ketë kurrë një Ajnshtajn tjetër”, “Problemet e trup-mendjes: Shkenca, Subjektiviteti dhe Kush jemi Realisht”, “Deluzioni i Omni-njohurive Shkencore”, “Fundi i Shkencës” etj.

…psh. në artikullin “Deluzioni i Omni-njohurive Shkencore”, sipas Horgan fizikanët nuk ishin të vetmit shkencëtarë që ishin dhe ende janë të “magjepsur nga ëndrra e gjithëdijës” – pretendimi se shkenca mund të ‘kuptojë dhe sqarojë’ gjithçka duket gjithnjë e më i flashkët – thotë ai, një besim i tillë ishte aq i fuqishëm në vitet ’80 të shek. të kaluar, shkencëtarët proklamonin se po e zgjidhnin enigmën e ekzistencës, sëshpejti do t’shpjegonin pse universi ynë ekziston dhe pse e ka formën që e ka, sikur dhe pse ne ekzistojmë, e po ashtu dhe pse jemi pikërisht këta që jemi – “vizionin e njohurisë totale” Horgan e konsideron si një mashtrim qesharak, si një fantazi patologjike që s’duhej dhe s’duhet marrë kurrë seriozisht, edhepse shkencëtarë të shkëlqyer e përhapnin këtë besim, psh. në këtë drejtim Stephen Hawking ishte më ndikimtari, në librin e vet “Histori e Shkurtër e Kohës” Hawking hamendësonte që fizikanët sëshpejti do ta gjejnë një “teori përfundimtare”, një “teori të përgjithshme”, e cila do t’shpjegonte si u krijua kozmosi ynë, Hawking këtë arritje e krahasonte me njohjen e “mendjes së Zotit”, kjo deklaratë aq e ‘guximshme’, sipas Horgan ishte ironike, Hawking, një ateist, donte që shkenca të eleminonte nevojën për një krijues hyjnor – shkruan Horgan…

…rishtas, në artikullin më të ri (me titullin që e përmendëm në hyrje) Horgan ia rikujton lexuesit se si gazetari Charles Seife e “rikujtonte” faktin që Hawking dhe fizikanë të tjerë na patën bindur se gjoja ishin në prag të një “teorie të gjithçkaje”, teori që do ta zgjidhte enigmën e ekzistencës, omni-teori që do t’zbulonte pse në universin tonë ka “diç… më parë sesa hiç”, dhe pse kjo diç është pikërisht ashtu siç është, autori Horgan e rrah dhe çështjen e pretendimit ambicioz se shkenca do t’i përthith mënyrat e tjera të botëkuptimit, duke i përfshirë artet, shkencat humane dhe religjionin, sipas tij mënyrat jashtë-shkencore të njohurive nuk do t’zhduken domosdoshmërisht, por ato do t’zhvillohen në përputhje me shkencën, në akord me burimin tonë suprem të së vërtetës, Horgan e cekë se mbrojtësi më elokuent i kësaj përspektive tani për tani është biologu Edward Wilson…

…artikullin e vet Horgan e mbyll si vijon: “Omni-njohuria Shkencore duket gjithnjë e më pak e mundshme, dhe njerëzit janë shumë më të shumëllojshëm, janë kreativë dhe në kundërshti me qasjen për një botëkuptim të vetëm të gjithçkaje. Frymëzuar nga misticizmi dhe artet, ashtu si dhe nga shkenca, ne do t’vazhdojmë të grindemi se kush jemi (si qenie njerëzore), njëkohësisht duke mëtuar ta rizbulojmë përherë veten. A është konsolidimi (pajtimi akademik) ide e keqe, cila qasje do ishte më e mira për ne? Aq larg s’do shkoja me spekulimet. Mirëpo ashtu si dhe utopia, një tjetër nënprodukt i etjes sonë për përsosmërinë, për konsolidimin, për ‘ëndrren e njohurisë totale’, mund t’shërbejë si nxitje e dobishme e imagjinatës, për aq kohë sa e shohim atë si një ideal të paarritshëm. Le t’shpresojmë që kurrë s’do pandehim se e kemi arritur atë”…

[ https://www.scientificamerican.com/article/science-should-not-try-to-absorb-religion-and-other-ways-of-knowing/ ]