Athina ishte e mençur, nuk mashtrohej me nudistikat!

S. Guraziu – Ars Poetica, P 2018 (Koment)

Dihet, Parisi është fantastik, magjepsës a mahnitës, zor t’i rezistosh sharmit parisien, dhe Louvre është thjesht diç si “qershia në majë të tortes”, ama s’kam lexuar ndonjë “përshtypje” më simpatike (apo impresion turistik më simpatik) rreth Parisit e rreth artit… sesa nga Kitty.

Athina ishte e mençur, nuk i hiqte rrobat tek ashtu” – kjo ma ngjalli buzëqeshjen tek po bëja “scrolling” të një postimi të gjatë deri në dysheme (diç si blog personal, tekste shkurt e foto se bashku). Në Nëntor të 2017 një vajze apo gruaje të re me emrin Kitty, i dashuri i saj i paska propozuar për ta vizituar Parisin. Dhe bukur, ajo pajtohet, shkojnë atje… akomodohen në një hotel dhe pason 1 javë vizitash e shetitjesh, duke u mrekulluar me metropolin. Më pastaj Kitty shkruan në “blogun” e vet për përvojen dhe përshtypjet.

***
Ç’vend më ideal për të mësuar rreth anatomisë njerëzore sesa në seksionin e skulpturës romake-greke të Louvre. Mbase skulptura më e famshme nga koleksioni i Louvre është Venera e Milos. Kjo perëndeshë greke ia ka dalur ta ruajë kokën e vet, por fatkeqësisht i ka humbur krahët. Ky deformim i dukshëm i trupit prej mermeri nuk i shqetëson shikuesit (vizitorët). Ata e admirojnë bukurinë e saj të përjetshme dhe lakoret e saj femërore. Venera është e përsosur nga cilado anë t’i qasesh (qoftë anash, nga para apo nga pas).

Louvre është plot me statuja të perëndive dhe të perëndeshave greke e romake. Shumica e tyre janë lakuriq! Artistët e lashtë kishin një qasje më ndryshe ndaj lakuriqësisë (sesa artistët modern). Ata e admironin trupin e njeriut dhe nëpër veprat e tyre të artit nuk e fshehnin faktin sa e çmonin (lakuriqësinë). Ne priremi t’jemi më të kujdesshëm sesa paraardhësit tanë grekë e romakë. Ne nuk i heqim rrobat në publik për asnjë ngjarje sportive (psh. grekët të gjitha sportet i bënin lakuriq – mbase ajo aludon në këtë detaj – shën. im 🙂 dhe ne zakonisht i mbulojmë prapanicat tona kur dalim nga banjot.

– Apolloni – në kostumin e ditëlindjes, s’ka gjë për të fshehur
– Venera – perëndesha e dashurisë, ëmbëlsisht nudo
– Afërdita duke kërkuar një peshqir
– Athina – kjo më e mençur, me hijeshi i mban rrobat e saj (nuk lakuriqësohet kot 🙂

Mendimet përfundimtare rreth Parisit
– Gjërat që i kam pëlqyer: Gjithçka. Nuk mund të zgjidhja vetëm një gjë apo një vend, sepse Parisi ishte një qytet i bukur me një atmosferë magjike dhe të papërshkrueshme. Çdo ndërtesë, çdo monument historik ishte mahnitës dhe befasisht i bukur.

– Gjërat që nuk i kam pëlqyer: Kishte vetëm një – moti i keq. Shiu s’reshti për 6 ditë me radhë! Jo gjithë ditën, por ama…
– Këshilla për turistët: Merr me vete një mushama, një ombrellë dhe një palë këpucë të rehatshme e të rezistueshme ndaj ujit. Mos u “mbyll” vetëm brenda guidave e planit të vizitave, por lejoja Parisit të të joshë, dhe do t’jesh ok.

[ Info dhe fotot: Blog-faqja e Kitty – http://katswhiskers47.com/allons-y-to-paris ]