Billy Collins – Hyrje në Poezi

HYRJE NË POEZI
Billy Collins [ 1941, ShBA ]

Unë ua kërkoj që poezinë
ta mbajnë në dritë si një slajd ngjyrash,

ose ta mbështesin njërin vesh
kundër luzmës së saj.

Unë iu them futeni një miush brenda
dhe mrekullohuni me mundin e tij
për ta gjetur rrugën jashtë,

ose hyni vetë brenda dhomës
së poezisë dhe eksploroni muret
e ndjesisë për ndërprerësin e dritës.

Unë dua që ata të bëjnë ski mbi ujin
valëzues aneskaj sipërfaqes së poezisë
duke ia bërë me dorë emrit të autorit në breg.

Por e gjitha çfarë ata duan është
ta lidhin me litar në një karrige
dhe ta torturojnë rrëfimin e saj.

Ata fillojnë ta rrahin me një gete
për t’nxjerrur gjoja kuptimin e vërtetë.

– – –
© Billy Collins 1988, 1996 – Burimi: The Apple that Astonished Paris (University of Arkansas Press, 1996) – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018

 

***
poezia e Collins ma kujtoi një poezi hedhur në letër nga unë dikur moti – edhe pse, në njëfarë mënyre, vjersha atëbotë i “drejtohej” një auditoriumi specifik të gjeografisë shpirtërore shqiptare, pra sikur nuk “brengosej” dhe aq për aspektin universal, më shkoi buza në gaz me “analogjinë poetike” 🙂

KEQKUPTIM I PAEVITUESHËM
S. Guraziu, 2007

Sipas teje kërkohet “organizim perfekt”
i yjeve të Universit, ata duhet të kthehen
në “eshalone”, sipas gradës, rangut
në bataljone… si ushtarë të dritës,
komandant – ndoshta vetë Zoti,
kush tjetër mund t’i komandojë yjet.

Skaj vatrës macja loz me lëmshin
e logjikës, pa e gërvishtur, art
dhe delikatesë – topthi im logjik po,
por poezia s’është lëmsh – thua,
është brigadë e përkryer germash,
është çfarë ty të kanë mësuar,
çfarë ti do dhe çfarë ti sheh në letër.

Si lexues i përkryer i drejtohesh
“poetit kaotik” – hej ti, Mister Poe,
kokrrat e rrushit tënd “kalavesh”
duhet t’renditen në pakon e praruar
çokollatash “Merci” – trakat e zebrave
duhet t’jenë perfekte si “zebrat” në asfalt.