Simbolizmi dhe Konspirativistët – Simbolet e Okultizmit (“Brirët e Djallit”)

[ sguraziu – ars poetica, korrik 21 ]

(satanistët akoma me maska, ende si “urithër”, ende s’janë aq trima sa t’mos i fshehin domethëniet e simboleve…)

…vetë Shekspiri dikur “dyshonte” – me gjasë ferri është bosh, totalisht i zbrazur, pasi të gjithë djajtë janë arratisur, o me ndihmën e kryedjallit o me zotësinë e vet kanë ikur dhe fshihen këndej në botën tonë, sipas Shekspirit s’duhet përjashtuar mundësia që djajtë t’jenë këndej mes nesh, jo në botën e fantazive a la danteske as në atë “biblike”, por këmbëkryq këndej në botën tonë, realistike…

…disa shekuj pas Shekspirit, okultisti amerikan Anton LaVey (1930-1997) s’do shkruante trillime… trille dramaturgjike si Shekspiri, kreativiteti i tij do merrej me trille tjetërfare, do t’shkruante libra si “Bibla Satanike”, “Ritualet Satanike”, “Shtrigat Satanike”, “Fletoret e Djallit” etj., në fakt jo vetëm teorikisht por dhe praktikisht do bëhej themeluesi i “Kishës Satanike”…

…historia na thotë se pikërisht ai konsiderohet themeluesi i “religjionit të Satanizmit”, në librin “Bibla Satanike” LaVey pati “sqaruar” se shenja e dorës me “brirët” është një gjest-njohje e besnikërisë mes anëtarëve të satanizmit (dhe të tilla grupeve “djallëzore”) – këto simbole përdoren gjatë ceremonive të adhurimit të Satanit, dmth. nga adhuruesit e tij në “Kishën Satanike”, por jo vetëm fshehtas, përdoren gjithashtu në publik mes adhuruesve të kryedjallit, tekefundit thjesht sa për t’komunikuar mes vete…

…meqë tashmë Interneti thuase është bërë ai “kazani i madh i dasmës” ku zihet hallvaja multi-mediale (grafike, tekstuale, fotografike, videografike, audio-sonike… gjithçka e reales, e fantazisë dhe e imagjinatës, të gjitha në një vend për gjithë globin e “globalizmin”, qoftë dhe vetëm Youtube mund t’i ketë me miliona video-teori), me dhjetra e qindra, në mos me mijëra “teoricienë konspirativë” pohojnë se tani aq e lehtë të shihen shenjat e satanizmit, sipas tyre gjithandej mund t’i pikasim politikanët, njerëzit me ndikim, figurat e pushtetit, muzikantët, lloj-lloj njerëzish të famshëm, së bashku me fansat e me tifozët e tyre, tek përshendeten me “shenjën satanike” – nëse akoma jo… herët e më vonë do jetë një gjest universal, s’do përdoret tinëz dhe as tek-tuk por do jetë gjest djallëzor zyrtar, do jetë përshendetje fare haptas…

…gjithsesi satanistët akoma si “urithër”, ende me lloj-lloj maskash, s’janë aq trima sa t’mos i fshehin domethëniet e simbolizmave, sipas konspirativistëve “dora me brirë” tani për tani përdoret si shenjë e njohjes mes vete e atyre që u përkasin religjioneve satanistike…

…në rregull, le ta “dëshmojmë” sadopak teorinë e frikacakëve (sipas meje konspirativistët janë “shpirtrat” më frikacakë të kësaj bote – kuptohet, ky pohim është temë mëvete, do e sqarojmë hëpërhë ndonjëherë tjetër), e lehtë mbase të vërtetohet teoria e tyre, Interneti na ndihmon me foto e me gjithçka, njësoj siç i ndihmon dhe vetë “teoricienët” për teoritë fascinante – për ca çaste sikur po ndjehesha i lehtësuar sa i përket pohimit të tyre, fotot insistonin se vetëm politikanët dhe industria argëtuese (sidomos muzikantët, këngëtarët) na qenkan të lidhur me idolatrizmin në fjalë… mirëpo s’vonoi dhe t’më kaploi frika, sipas fotove më doli se dhe vetë Papa na qenka “satanist”, madje-madje dhe vetë Spiderman-i, ngela, hm mos vallë Shekspiri vërtet të ketë ditur diç : )

…sidoqoftë, kompleksiteti i mendjes njerëzore dhe elementet kontradiktore dinë t’jenë shpesh sa qesharake aq dhe simpatike, psh. ec e mos buzëqesh me idenë e rock-grupit KISS, në v. 2017 udhëheqësi i KISS, Gene Simmons na paska aplikuar që gjestin e dorës “brirët e djallit” ta patentonte si të vetin për përdorim komercial (diç si Trade Mark), sipas Simmons ky gjest qe përdorur për herë të parë nga ai në v.1974, kështu që i takuakan të gjitha të drejtat dhe të padrejtat, okultistët e përdorin me qindra vjet tashmë, ama sipas Simons burimi origjinal na qenka ai vetë, ja pse ia vlen që “brirët e djallit” të patentohet dhe të mbrohet me ligjet e komercializmit – imagjino nëse në botën tonë dhe kjo marrëzi na qenka e mundur, atëherë i lehtë konkluzioni që Shekspiri mund t’ket patur shumë të drejtë : )