Super-llamba e Philips, 50.000 orë, 50 vjet jetë!

[ sguraziu – ars poetica, shtator 21 ]

T’mos ndërrohet kurrë një llambë – tashmë dhe e mundur! Shpikja e fundit e Philips qenka llamba më efikase e prodhuar ndonjëherë. Me jetëgjatësinë prej 50.000 orësh ndriçim, zgjatka rreth 50 vjet. Poçi qenka dizajnuar në formën klasike (dmth. për nga forma e ‘imituaka’ poçin tradicional) por kursyeka deri 90% energji. Tani për tani vetëm Philips prodhuaka super-llambash të tilla, sipas standardeve të reja të EU, llambat e Philips qenkan të vetmet me etiketë energjie ‘A’.

Siç mësova nga një letër e Vattenfall Nederland, BE-ja e paska rinovuar etiketën e energjisë për LED-llambat. Ndryshimi kyç u lidhka me shkronjat – paskan ngelur të njëjtat shkronja por kuptimi i shenjave paska ndryshuar. Një LED-llambë që e kishte etiketën energjitike A+, tani e tutje do shenjohet me B, C ose D, pasi shenja A+ s’do jetë ekzistente. Në vend të A+ tutje (nga 1 Shtatori 2021) do jetë vetëm A. Pra llambat e vetme me etiketën ‘A’ qenkan nga rangu i LED-llambave të Philips (psh. Philips LED 60W, fotoja).

[ Etiketa e re për LED-llambat – Shtator 2021, EU-Standard ]
Klasa e efikasitetit energjitik – Nga G (më pak efikase) deri në A (super-efikase);
Konsumi i energjisë – bazuar në numrin e orëve të djegies – kWh /1000h;
Kodi QR – lidhet me faqen internetike të BE-së, pajisur me infot për llambën (psh. fabrikuesin, efikasitetin etj).

***
Kompania holandeze “Nuon” para ca viteve qe bërë pjesë e Vattenfall (tani operon me emrin “Vattenfall Nederland”), aktivitetet kryesore të kompanisë janë prodhimi, tregtia, furnizimi me energji elektrike, me gaz natyror, me ngrohje qendrore… u ofron energji rreth 2 milionë konsumatorëve në Holandë, i ka rreth 3500 punonjës.
Ndërsa “Vattenfall” (që do t’thotë Ujëvarë) është një kompani suedeze e themeluar në v.1909, cilësohet si një nga kompanitë kryesore sa i përket tregut të energjisë në Evropën Veriore. Vattenfall është në pronësi të Mbretërisë Suedeze, 100% e aksioneve të kompanisë amë mbahen nga shteti.