Ishim të mirë – Vetë i japim kuptim “kuptimit”, dinjitetit dhe mirësisë!

sg – ap, t 21 – humoreskë, persiatje humoristike…

(…derisa egjiptasit të bekuar, pa hile të privilegjuar, do ta kishin papirusin si bimë që rritet vetëm buzë Nilit, rritej vetëm për ta, askund dhe për askend tjetër, në asnjë cep të planetit, imagjino çfarë privilegji, mesopotamët e ngratë duhej të shkruanin në baltë, me qindra e mijëra vjet, perandor pas perandorie, duhej t’i piqnin stelat e tabelat, me pllaka e me kune, duhej t’i piqnin fjalët me gjithë kuptimin e tyre…)

***
…”s’është nevoja t’jesh shkencëtar raketash për të ditur se mirësia është virtyt” – ishte kjo thënie e astro-fizikanit amerikan, Neil deGrasse Tyson, e thënë nga ai në cilësinë e “zëdhënësit të PETA”, diç si organizëm që angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve – dmth. “mirësia” si 1 fjalë e vogël dhe e thjeshtë do duhej ta kapërthente ndjeshmërinë tonë, dashamirësinë, qasjen xhentileske, ëmbëlsinë e karakterit etj. etj, shkurt do ta kapërthente gjithë madhështinë e kuptimësisë humanistike – andaj patjetër bëhu i mirë, (lexues i respektuar) thjesht i MIRË, nëse akoma s’je… eventualisht, nëse s’ke lindur i tillë, njih veten fillimisht dhe transformohu, jo si perënditë e lashtësisë që merreshin me antropomorfizma jashtësor, me lloj-lloj marifetesh e mashtrimesh vizuale, joooo (thjesht) përdor metamorfozën bazike shpirtërore, kthehu në një shpirt të florinjtë, jokushtimisht bëhu i mirë, trajtoi mirë kafshët, e madje meqë ra fjala, trajtoi mirë dhe njerëzit… : )

…sepse etikat e humanizmit ta imponojnë t’jesh i mirë, njësoj sikur që etikat e “animalizmit” na bëjnë të ndjeshëm ndaj maceve, mjaulusheve shtëpiake, bëhu i mirë pa asnjë kusht, kurrë mos i jep shans ligësisë as zezonave të mendjes, pse… sepse, sepse s’do mend, mirësia është thelbi i avancimit të super-njeriut, qoftë atij tyson-ian, qoftë të atij super-njeriut niçean (kuptohet, s’e kemi fjalën për superman-in e Hollivudit), sepse mirësia padyshim është ilaçi kundër dobësive, kundër gjithe ligësive dekadente, nese merresh me spiritualizma… helbete me ekskursione mendore e shpirtërore, kujtohu pak, ndoshta mirësia ngelet dëshmi e vetë “grahmave” hyjnore… andaj dhe krijimi ynë, apo jo, andaj dhe kuptimi ekzistencialist, përndryshe s’do kishte fare kuptim, në akëcilën kohë ç’kuptim do kishte pastërtia “eterike”, ajo frymëmarrja e zotave të Olimpit, ç’kuptim do kishte “big-bangu” i modernizmit shkencor, apo dhe troç, kujt do i nevojitej krijimi i universit… anyway, pa mos ta përmendim vetë krijimin tonë, vallë ç’iu deshëm perëndisë e qenësisë – s’e ka kush idenë…

…hm, vallë ç’na u deshën parajsat, përrallat, iluzionet, ëndrrat, metaforat, hurmat, ëmbëlsitë, “mollët” e kafshuara, çapkën-izmat e historisë, prapësitë… kur ashtu-kështu ishim të MIRË, s’na duhen tashmë si kujtesë as biblio-izmat e pluhurosur, as rënie-ngritjet, as lajthitjet dhe as lajthitë, valle pse t’vazhdohet me spekulime për rrugëtimin “evolutiv”, për trungun historik, për “pemë njohurish”, pse ende na u dashka mbledhja e kokrrave të mençurisë, për shekuj e shekuj do digjeshin shpirtrta mendjendriturish, u tretën fitilat dhe ato llambat e iluminizmit… ama në thelb, pa qenë as shkencëtarë as raketologë e dimë se ishim të MIRË – qysh kaherë Mozesi qe ngjitur në bjeshkë ta diskutonte MIRËSINË njerezore, kompromisi pati qenë i lehtë meqe njerëzimi me asht e me kafkë veç i kishte ngjeshur plot mirësi, dialogu hyjnor qe vulosur si “ligj universal”, qe vulosur gurërisht e burrërisht, profetëve s’u duheshin as daltat as diamantet, thjesht me gishtin cullak do i gdhendnin pllakat, dhe voilaaa… që nga atëherë mirësia pati qenë diç si kod universal i qytetërimeve, madje-madje akoma më herët qe nisur gjithë zanafilla, mirësia jonë dokumentohet që me tabelat e stërlashta të Mesopotamisë…

…meqë i përmendëm, me plot të drejtë, me gjithë plotësinë e fjalës thuhet se Mesopotamia ishte “djepi i qytetërimit humanist”, psh. aty do mbarsej drita dhe do t’lindte vetë shkrimi, aty do fillonte ruajtja e fjalës dhe e historisë, ok… krahasuar me të tjerët rrotull të ngratët s’patën qenë dhe aq me fat, Hamurabi do t’i perparonte ligjet por as ai vetë s’pati qenë aq i përkryer dhe as me fat, varet nga cila anë diskutohet fatmirësia, derisa egjiptasit të bekuar, pa hile të privilegjuar, do ta kishin papirusin si bimë që rritet vetëm buzë Nilit, rritej vetëm për ta, askund dhe për askend tjetër, në asnjë cep të planetit, imagjino çfarë privilegji, mesopotamët e ngratë duhej të shkruanin në baltë, me qindra e mijëra vjet, perandor pas perandorie, duhej t’i piqnin stelat e tabelat, me pllaka e me kune, duhej t’i piqnin fjalët me gjithë kuptimin e tyre, përndryshe mençuritë dhe kuptimet eventuale zhdukeshin…

…mesopotamët kishin sa të duash gurë por kot, s’dinin t’i përdornin si egjiptasit, psh. piramidat do qëndronin përjetshëm… zor të shembeshin as pas tërmeteve, ndërsa pallatet mesopotamike do treteshin, do ktheheshin në pluhur e harresë, odajat madhështore, ziguratet e shenjta, e madje qofshin dhe “kopshte të varura” babilonike, të gjithave varg e varg u takonte harresa, sepse e qartë, gurët janë gurë, e fare diç tjetër tullat e baltës, paçka se të pjekura – pra s’duhet harruar, shkrimi dhe mirësia janë të lidhura për ta dëshmuar humanizmin, gjithçka para shpikjes së shkrimit, nga historianët konsiderohet “kohë e gurit”, quaje “kohë e re e gurit”, po deshe epokë neolitike, mezolitike, analitike, kot… s’kishte as shkrim as civilizim, neolitikët mund t’kenë qenë dhe të mirë, gurëror ama të mirë, as të egër as barbarë… ç’e do, s’kemi si ta dimë, vetëm pas neolitikave mund t’flasim, vetëm pas shkrimit, vetëm pas shpikjes së “kuneve” dhe tabelave…

…tek pastaj mund ta dinim nëse ishim apo s’ishim të mirë, fjala do ishte “trashëgimia”, e trashëguam vërtetësinë, shkrimi na ndritësoi të gjithëve, falë shkrimit, falë kronikave e dimë, të gjitha qytetërimet e “djepit…”, me sumerianë e akadianë, me asirianë e babilonas, me persianë… e madje dhe vetë Kleopatrat e dinastive të vona “alekso-ptolemaiste”, rrezatonin mirësi dhe humanzëm, shkurt e troç… padyshim njeriu gjithmonë do ketë qenë i mirë, s’e mohon as historia as kronikat e lashtësisë, në thelb as vikingët s’është se ishin barbarë, tjetër që duhej të triumfonin “barbarizmat”, ekspeditat e aty-këtushme të ushtrive gjatë mijëvjeçarëve kishin t’bënin me viktor-izmat, gladiatorizmat e romakëve ishin thjesht “lojëra”, argëtim, s’duhet keqinterpretuar…

…pra tjetër që ambicjet dhe pangopësia e perandorëve do ta korruptonin njeriun gjatë ecejakeve ekzistenciale, psh. (për ta rifreskuar sadopak mbamendjen kolektive) jo dhe aq “larg” në histori kishim madje qasje gjenocidale, shfarosje masive, monstruozitete atomike, tragjedi hiroshimike, apartheid-a, holokoauste, barbarizma, racizma etj etj… sidoqoftë, për fat të mirë tashmë të gjitha kanë ngelur diç si para-histori, kujtesë para-historike, për njeriun e ri, për vizionarët saganistik, për largpamësit neo-tajsonik ka ikur koha e “pakohë”, koha jonë është kohë e florinjtë, jemi larë tashmë nga llumi i injorancës, kurrë më s’do ketë manipulime politike, ndërskamca globalistike… as luftra, ishte se ç’na ishte, tashmë astro-fizika dhe shkencat tjera do jenë mburoja e mbarë humanizmit…

…thjesht duhet orientuar fondet publike, me mijëra e mijëra katedra universitare aneskaj globit s’janë kot, as profesorët as shkencëtarët s’hanë kashtë, buka o është o duhet t’jetë universale, NASA rishtas duhet filluar me djegiet e verdhushkave dhe të raketave, duhet rinisur ESA-t e finesat, duhet riqepur strajcat buxhetore për t’i “studiuar” yjet dhe galaktikat, sa për Tokën jemi siguruar, MIRËSIA bashkë me mirëqenien tokësore e kanë tashmë vulën shkencore, edhe ca ditë dhe shkenca na ka siguruar, tutje as viruse, as sëmundje, as ngatërresa, as luftra, dhe pra e thjeshtë, ji i mirë për kafshët, për shpirtrat e kësaj bote sepse… sepse ] të gjithë jemi të lidhur [ si specie, si qenie të gjalla, si “gjallesa sentien-ike”, si qenie të ndjeshme shpirtërore ] ndaj njëri-tjetrit [jemi të lidhur ] biologjikisht, ndaj tokës [ jemi të lidhur ] kimikisht, ndaj pjesës tjetër të universit [ jemi të lidhur ] atomikisht, [dhe atë jo se ] universi patjetër detyrohet t’ketë uptim për ne [ mjaft gjaaaatë patëm harruar, është fakt, për afro 2 milionë vjet, por më në fund e kemi kuptuar se duhet vetë t’i japim kuptim shkencës, iluminizmit, universit, ekzistencës… gjithçkaje, madje s’duhet lënë pa “kuptim” as vetë kuptimin e MIRËSISË, fund dhe pikë : )

[ pak sarkazëm mbështjellur rreth 2-3 thënieve të Neil deGrasse Tyson – diç si persiatje-humoreskë, njelmësuar ngapakëz me “dozën” sarkastike rreth kontradiktave “konspirative” të kohës sonë, bie fjala rreth globalizmit dhe panumër -izmave në arenën makro-politike, rreth manipulimeve supra-moderne të socio-mediatikëve, siç ishte rasti i shitjes së dhjetra-miliona votave dhe i të dhënave të Fb, rasti i manipulimit të demokracisë me veglat moderne, rasti i Brexit-istëve, apo fenomenet e çuditshme të “suprematizmit trump-ist”… (të gjitha si fenomene të ububushme dhe rrjedhime motivuar politikisht, me gojën plot avancime dhe shkencë), përfshirë dhe absurdin e kaotikes universale-mediatike rretherrotull corona-pandemisë, e cila sikur do e paralizonte gjithë planetin… ]

1 – “you don’t have to be a rocket scientist to know that kindness is a virtue”
2 – “we are all connected; to each other, biologically, to the earth chemically, to the rest of the universe atomically”
3 – “the universe is under no obligation to make sense to you”