Expatica, librat, peizazhet e Lulandisë, dhe M. Monroe!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2017 (Koment)

Ylli i bukurisë Marilyn Monroe dikur dyshonte mos vallë djemtë pandehin se vajzat janë si librat, po s’iu pëlqeu “ballina” vështirë të marrin mundin për të “lexuar” brenda!
Pas buzëqeshjes lidhur me mençurinë e Monroe, mendja sakaq më iku tek panairi i Tiranës, s’di si duken librat atje sivjet, s’e kam idenë… padyshim do t’jenë të bukur, botime “fringo” me press-aromash e me lloj-lloj ballinash artistike. Ama jo vetëm librat e atjeshëm (fjala e pionierit, s’dua të hyj në hak të askujt, pasi Monroe kishte fort të drejtë me idenë e “çunave që i shohin çupat sipërfaqësisht”). Sot madje dhe vetë guidat turistike të botës merren me art libraxhinjsh, librat sot na mahnitin me bukurinë e me tundimin.

Ja do provoj një lloj dëshmie, dmth. për t’i dalë në ndihmë pohimit të M. Monroe…
…ballina e “Expat Survival Guide 2018 – The Netherlands” desh më mahniti, sipas Expatica dhe vetë peizazhet e Lulandisë janë “ëndërrtare”; zgjaten “trakat” disangjyrëshe të tulipanëve, përspektiva shkon duke i zvogëluar mullinjtë e erës me idenë e koncentrimit por dhe të vargëzimit, sfondi qiellor sa i florinjtë sa i bronztë, më i bukur sesa qiejtë e pikturuar nëpër pikturat e kohërave, qielli i Lulandisë së “Expat” pothuaj ua kalon dhe qiejve të fantazisë 🙂

Andaj u bëra kureshtar, vallë të jetë kjo një foto reale, nëse po atëherë ku ndodhet ky peizazh kaq magjik, nëse është vend real ashtu me lulishte e me mullinj… do doja sa më parë ta gjej dhe ta vizitoj!
Më kujtohet, ballinat e viteve pararendëse të “Expat” ishin më “reale”, më afër tokës dhe realitetit foto-lulandez, s’kishin asgjë “magjike” dhe as nuancash mistike – kjo e 2018-s më la pa fjalë, ndoshta “photoshop-ping”, art libraxhinjsh tek na mahnitin me lloj-lloj ballinash, tek na joshin e tundojnë me artistikat ballineske : )