Sibila Petlevski – Syri i Ri

SYRI I RI
Sibila Petlevski [1964, Kroaci]

S’kemi pritur t’fluturojë lejleku i parë mbi çati
por kemi vendosur vetë çerdhe ndër oxhakë.
Ka kaluar koha e çuditjes kur vlente
rregulla se syrit të ri çdo gjë i është një risi.
Të vdekurit zgjohen qetësisht, jetojnë njerëz pa idole,
liria bartet si një varëse-stoli, nuk vdiset për të
më shumë se për çdo gjë tjetër, uji përfitohet nga gjaku,
e veshët nga fjalët dhe muzika i ruan sterra natyrale.
Koha dhe hapësira ofrohen në pako. Gjithë shqisat
që më parë nga frika mbledhur si rruazë, ngapak
drejtëzohen, sikur dhe lakoret e trurit. Jeta rrjedh
si elektriciteti. Është ose nuk është: njësh ose zero.
Kemi mësuar të falim ndjenjat që ishin vetëm tonat
si pasqyrimi në ujë: sa gota, po aq hëna në një gotë.

– – –
© 2004, Sibila Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International (Rotterdam)
© Nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008