Tolstoji rreth “Zotit, jetës së përtejme dhe Islamit”, 1908

Në letrën-dorëshkrim, datë 28 Dhjetor 1908, Tolstoji përgjigjet (drejtuar një studenti me origjinë persiane, Fridun Khan Badalbekov) me terma mjaft të drejtpërdrejtë për pikëpamjet e tij mbi natyrën e Zotit, mbi jetën e përtejme dhe mbi Islamin, duke përfunduar me një referencë miratuese për Babizmin.

– – – letra – – –
“Sipas mendimit tim, për t’mos patur një ide të rreme për Zotin, para së gjithash duhet hequr qafe idenë e Zotit si person, e cila gjë është e pranuar si në krishterimin ashtu dhe në muhamedanizmin.
Për mua, kuptimi më i afërt i Zotit që plotëson kërkesat e mendjes dhe të zemrës së njeriut është ai që shprehet në Gjoni 1, kap. IV, vargjet 7, 12, 16, respektivisht se Zoti është dashuri, kështu që për aq sa një person ka dashuri brenda zemrës, po aq edhe Zoti është prezent tek ai, dhe po n’atë masë personi i tillë mund ta kuptojë Zotin. Kjo ide pakashumë është e shprehur qartë në të gjitha fetë, sikur dhe në atë Muhamedane.
Pyetjes së dytë, se çfarë na pret përtej varrit, mund t’i përgjigjem vetëm se, kur vdesim, shkojmë atje, pra tek Zoti nga i cili kemi ardhur në jetë. Por ky Zot, tek i cili po kthehemi, është dashuri, dhe kështu që, kur vdesim, s’mund të presim diç tjetër përveç të mirës.
Pyetjes së tretë i përgjigjem me faktin se Islami, për mendimin tim, përmban, si të gjitha fetë: Brahmizmi, Budizmi, Konfuçianizmi etj., të vërteta të mëdha, të përjetshme, por, si të gjitha fetë, të përziera me bestytni, çoroditje të rënda të së vërtetës nga ritualet dhe mashtrimet. Libri i shkëlqyer i thënieve të Muhamedit (Thëniet e Muhamedit, redaktuar nga Abdulah Al-Mamun Al-Suhrawardy), botuar në Londër, më ndihmoi shumë për ta formuar një koncept të Islamit. Mësimet e babistëve, që kaluan në Bagaizëm (Baga-Ulla), mësime këto lindur nga Muhamedanizmi, janë ndër mësimet më të larta dhe më të pastra fetare.”

– – –
[ ngjitur letra autografike si dhe një foto e Kontit Leon Tolstoj (1828-1910) me mbesën e vet Tatiana Sukhotina, foto e v. 1910 nga Vladimir Chertkov, pra foto shkrepur vitin e fundit të jetës së Tolstojit ]
(sguraziu – ap, d 21 – përmbajtja e letrës nga të dhënat në anglisht, “Exiles and Idealists”, Christie’s Londër, Dhjetor 2021)