400 vjet shkencë “paketuar” në 1 formulë të vetme!

(sguraziu – ars poetica, j 2022 – ngjitur “Teoria e Gjithçkaje” si ekspresion formulativ)

…formulat janë diç si “shenja të vërtetësisë” – jo gjithçka por sëpaku disa mistere të deridjeshme të universit sot mund t’i “shkurtojmë” me 1 formulë matematikore (si njohuri), rishtas jo gjithçka që dihet teorikisht (deri sot), është sqaruar dhe matematikisht, ka ngelur dhe shumçka për t’u kuptuar definitivisht, që t’shkrihen mes vete Teoria Kuantike dhe Matematika (si përputhje fundimtare) ndoshta nevojiten dhe ca shekuj tutje, megjithatë një pjesë e madhe e gjërave që dihen deri sot janë “kapërthyer” me gjuhën matematikore, psh. krenaria moderne e shkencës, Modeli Standard i lidh të gjitha “dijet” së bashku në një ekuacion të vetëm…

…sipas shkencëtarëve Modeli Standard (i fizikës thërmijore) është teoria më e suksesshme e shkencës së deritashme, është njëfarëlloj kulmi i shkencës 400-vjeçare, i gjithçkaje që dihet deri sot – gjithsesi (sipas fizikanit David Tong), ja që teoria e suksesshme e shkencës moderne e “mban një emër ‘qesharak’…” – apogjeu teorik i krenarisë 4-shekullore do duhej ta kishte një emër sadopak më adekuat, ‘Modeli Standard’ thjesht është një emër i dobët – meqë ra fjala, vetë s’jam shkencëtar dhe s’më ka pyetur kush, ama sa për emrin pajtohem dhe unë : )

…ky ‘Model Standard’ (si teoria më e suksesshme e të gjitha kohërave shkencore) e përshkruan fizikën universale si 4-dimensionale (dmth. e kemi fjalën për 3 dimensionet hapësinore dhe 1 dimension kohor), modeli i sqaron ndërveprimet mes një grumbulli fushash kuantike thërmijore (që përfaqësojnë vetë grimcat themelore) dhe një sërë fushash shtesë, që përfaqësojnë forcat…

…”pjesët” më bazike të Teorisë Kuantike janë fushat kuantike, shkencëtarët thonë se këto fusha përhapen në gjithë universin dhe nëpërmjet luhatjeve (oscilimeve) dhe bashkëveprimeve të tyre lindin fenomenet më themelore të botës sonë (psh. dhe vetë jeta është një këso “fenomeni”, e qarte se s’do ishim gjallë nëse t’mos ekzistonin fushat kuantike) – deri tani ‘Modeli Standard’ ishte mjaft efektiv në shpjegimin e këtyre fenomeneve fizike (dmth. fenomene të cilat shkencëtarët dhe mund t’i vërtetojnë tërësisht a pjesërisht me eksperimentet tokësore)…

…gjithsesi, kur është fjala për disa tipare ende “të panjohura… të pasqaruara” të universit (s’e mohon kush, ka mjaft sosh), psh. misteri i veprimit të gravitetit në distanca të vogla (e edhe të gjata), pastaj prania hipotetike e “materies së errët” (shkencëtarët s’e fshehin konkluzionin hipotetik se mbi 85% e universit është “materie e errët), tutje misteri i “energjisë së errët” etj. etj… për fat të keq, për të tilla “problematika” shkencëtarët tani për tani s’e kanë idenë shkencërisht, vetëm teorikisht, dmth. ngelin jashtë formulave të deritashme…

…ngjitur “Teoria e Gjithçkaje” si ekspresion formulativ – pra, formulat i thuktojnë ato gjërat e stërgjata të shkencave, përndryshe do na mbusheshin oqeanet me germa e me fjalë, saherë e zbërthejmë ndonjë diçka ideatike, saherë ia dalim me fjalë e me teoritë, i qasemi pastaj vërtetimit, shpesh na ndihmon matematika në këtë drejtim, nëse përputhen parapritjet me formulat e me llogaritë… ia themi “bravooo… eurekaaaa”, natyrisht mendjet e ndritura i qerasim pastaj me shampanjat e me Nobelat…
: )