Hans Makart – Vdekja e Kleopatrasë, 1875-76

Hans Makart (1840-1884) – “Vdekja e Kleopatrasë”, 1875-76
(s. guraziu – ars poetica, 2023)

…kur Perandoria Romake e mori kontrollin mbi Egjiptin në v. 44 pes., Kleopatra vendosi t’i merrte jetën vetes, më mirë të vdiste sesa e gjallë t’ia dorëzonte perandorit të ri romak, Oktavianit.
Dhe piktura e Makart na e paraqet qartas gjarpnushëzen në dorën e Kleopatra, sipas historisë duhej t’ishte një gjarpër Kobra – por a pati vdekur vërtet Kleopatra nga kafshimi i gjarprit? Sipas shkencëtarëve “jo”!

Kërkimet e reja kanë hedhur dyshime mbi këtë histori. Ekspertët modernë të gjarpërinjve dhe egjiptologët dyshojnë se një kobra e “vogël” mund t’ketë qenë aq e vogël sa t’fshihej në një shportë të vogël, siç pretendon legjenda. Një gjarpër kobra është zakonisht 1.5 m, dhe ekspertët thonë se do t’kishte qenë e vështirë t’futej në para-dhomën e varrit të Kleopatrasë pa u çuditur njerëzia, rojat!
Për më tepër, ekspertët besojnë se, edhe nëse t’ia kenë dalur ta fusin brenda ashtu tinëz, prapë do t’ishte “e pamundur” të përdorej një kafshim gjarpri për vrasjen e tre personave.

Tradita ose legjenda flet se mbretëresha Kleopatra e futi tinëz një gjarpër në para-dhomën e saj të varrimit, ku e përdori helmin për ta vrarë veten dhe dy shërbëtoret e saj më besnike – së bashku me të vullnetarisht do vdisnin dhe dy shoqërueset Karmiona dhe Eirasa.
Bie fjala, në pikturën e John Maler Collier – “Vdekja e Kleopatrasë”, 1890 (bashkëngjitur, detaj), janë paraqitur qartë shoqërueset Karmiona dhe Eirasa. Mbase kjo e fundit Eirasa veç ka ndërruar jetë, e shtrirë përtokë, ndërsa Karmiona ende mbështetur tek koka e Kleopatrasë, në agoninë e vet më të ngadalshme.

Karmiona ishte një shërbëtore egjiptase, shoqëruese e ngushtë e Kleopatrasë. Sipas Plutarkut, Karmiona ishte shërbëtore dhe këshilltare shumë e besuar e Kleopatrasë VII. Plutarku pati shkruar se Karmiona i menaxhonte punët kryesore të qeverisjes së mbretëreshës Kleopatra, prandaj, ajo mbante një pozicion të rëndësishëm në rrethin e besuar të mbretëreshës. Edhe Shekspiri kur e pati përmendur shërbëtoren Karmiona, pati cituar nga Plutarku.

Ndërsa Eirasa ishte një shërbëtore greke, edhe Eirasa i shërbeu besnikërisht mbretëreshës deri në fund, kur ajo dhe Karmiona vullnetarisht nga devotshmëria dhe dashuria ndaj mbretëreshës insistuan që së bashku t’i jepnin fund jetës. Thuhet se dy shërbëtorët hëngrën fruta të helmuara, ndërsa Kleopatra vdiq nga kafshimi i gjarprit.

“Jo vetëm që kobrat janë të mëdha, por ka vetëm 10% mundësi që t’vdiset nga një kafshim, shumica e kafshimeve të kobrave janë kafshime të thata, pa injektuar helm” – thonë ekspertët. Gjarpërinjtë e ruajnë helmin e tyre kur t’kenë më shumë nevojë – gjatë gjuetisë, dhe sidomos për mbrojtje, nëse ndjehen të kërcënuar. Kështu që për shkencëtarët “tingëllon e pabesueshme”, sikur nuk përputhet me realitetin, ata nuk besojnë se gjarpëri i Kleoptarasë do t’i kishte shkaktuar tre kafshime fatale njërin pas tjetrit!

Pra si pati vdekur Kleopatra as egjiptologët, as historianët dhe as shkencëtarët-ekspertët e ndryshëm ende s’e dinë mirëfilli. Shumë nga shkollarët besojnë se Kleopatra mund ta ketë përdorur ndonjë koktej-përzierje helmi, por dhe kjo dmth. është diç si besim më i përafërt me logjikën, jo se ka ndonjë siguri rreth besimit kështusoj.

 

| – – –
…historia na i servir një grumbull Kleopatrash. Dinastia Ptolemaike, duke filluar nga Ptolemeu I, i numëronte jo më pak por rreth 10 Ptolemeusa dhe nja 7 Kleopatrash. Mirëpo si “Kleopatrën” më bukuroshe dhe më interesante për kronikat, për legjendat, për filmat e për letërsinë (psh. që nga Shekspiri e këtej – kujtohu, Antoni e Kleopatra ishte ujdisje shekspiriane) ne e marrim Kleopatrën e fundit, nr. VII.

Kur e prezantojmë ia themi shkurt Kleopatra, mbretëresha e Egjiptit të lashtë, e fundit e Dinastisë Ptolemaike dhe kështu sundimtarja e fundit Heleniste e Egjiptit. Ndoshta sepse ishte bukuroshja e fundit e një dinastie joegjiptase që pa pikë turpi na “shtirej” perëndeshë egjiptase. Ndoshta sepse ishte aq “lakadredhuese” e diplomacive, aq e zonja, e pati mahnitur perandorinë e Romës skaj më skaj. Aferat e saj aq të sofistikuara, ua pati bërë mendjen dhallë dhe perandorëve romakë.

Kleopatrën e kthejmë në të “përvetshme”. I shkelim 6 Kleopatra të Egjiptit, të cilat dhe sikur t’kishin jetuar varg e varg njëra pas tjetrës, prapë do bënin disa qidra vite prej brezash. Asgjë, i kapërcejmë dhe flasim për të fundit, për të 7-ën. Nganjëherë sikur them mëvete të gjitha fajet duhet ngarkuar Shekspirit. S’kanë faj historianët që s’dinë aq për 6 Kleopatrat pararendëse, pothuaj sikur për Kleopatrën e fundit ka 6000 libra voluminozë, ndërsa për 6 Kleopatrat tjera varg e varg as 6 libra modestë. Për këso dallime rreth pasurisë së “kronikave” më shumë fajtore mund t’jetë vetë pena shekspiriane.

Ose psh. imagjino detajin tjetër, askush i kësaj bote s’e ka idenë mirëfilli s’i dukej Kleopatra. Në disa portrete nga monedhat na del se Kleopatra VII ta ketë patur një hundë-krrabë. E megjithatë panumër artistë të botës nëpër pikturat e kanë “imagjinuar” si një bukuroshe të paarritshme. Jo vetëm e bukur por dhe e “elektrizuar”, e ngjeshur me seksualizmin, e tendosur si ndonjë bombulë – insistojnë piktorët. Mbase logjika i “shtynë” – përndryshe s’do ta mashtronte tek ashtu as Cesarin as Antonin, asnjë nga gjeneralët e Romës.

Portretet e “flashkëta” të monedhave na thonë Kleopatra hundë-shtrembër, por ja që Hollivudi e zgjedh ndonjë Elisabet Taylor për “rolin” e saj. Vetëm bukuroshet e kalibrit Taylor ishin të denja për rolin, assesi ndonjë aktore hundë-shtrembër. Pse? Epo ndoshta do duhej drejtuar Shekspirit me “pse-n”. Fajet duhet veshur Shekspirit – them unë. Përndryshe çfaj ka historia, ç’faj na paskan historianët e ngratë : )
[ – – – nga: Saktësia Argëtuese e “Historisë” – Kronikat, Librat, Argëtimi! – S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 2022 ]