SG – Në ditët e Safosë (II)

NË DITËT E SAFOSË (II)
S. Guraziu, 2016

Nuk përputhen biotopet
tona kulturologjike
por në heshtjen time
gjithmonë do jetë
e fshehur fryma jote,
pëshpërima e Safosë,
melodia apollonike…

Zemra e palmës
sython, bisqet poetike
e fshehin ëmbëlsinë,
do jetë ushqimi ynë,
do i afrohemi njëri-tjetrit
me largësinë, si Safoja
do ruajmë piktura
fjalësh, perla të ndjesisë,
do endet mes nesh
gjuha e të gjitha gjuhëve,
qetësia dhe zhurma
e poezisë, do afrohemi
aq shumë… aq sa dy
grahma buzë vdekjes,
qofsha dhe para teje
i fikur, i ikur përtej, si
Sokaris në Nekropolis,
buzët e mia do puthësh,
emrin do pëshpërisësh,
të dua… do klithësh –
t’i japësh fund agonisë.

[ Piktura: Lawrence Alma-Tadema (1836-1912) – Sappho and Alcaeus, 1881 ]