SG – Zemër Diogjenike, 2015

ZEMËR DIOGJENIKE
S. Guraziu, 2015

(të gjitha zemrat në errësirë rrahin, burgosur përjetshëm në vetmi… por në vetvete fanarë dritësie janë)

Njëjtë si dikur, zemrën
tënde ende e quajnë “cinike”,
në gjuhën tënde Diogjen,
i bie “qençe”, paçka se gjuhë
filozofike – për ty ajo fuçi
e kalbur në pjacë, si hotel
me pesë yje, vilë asketike
në baltë, as vetë qentë
skaj bujtinës nuk e njohën
qenërishten, por sa ironike,
filozofinë tënde e njihnin,
gjithë futurizmin “nihilistik”,
madje dhe kockat e tua,
lëmoshat që ty t’i hidhnin
ishin tuat, kurrë s’i lëpinin.

I pari u shtire “kozmopolit”,
as Aleksandrit të Madh
s’ia vare, kot priti ta vizitoje,
dikur erdhi vetë – kërko
ç’të duash, cilado dëshirë
e plotësuar do t’jetë – ik nga
dielli im Aleksandër, kam
nevojë për pak diell – vallë
vetëm ngrohtësia, apo dhe
pak dritë të duhej, Diogjen!

Zemrat si xixëllonja në qiell,
secila sosh një “portë” e dritës,
një shpresë – vetë Platonit
ia shpuplose “pulën”,
i the njeriu yt nuk ia vlen –
ndërsa për vete në pikë të ditës
me fanar, si i krisur kërkon
ta gjesh një zemër të denjë.

– – –

Piktura: Jean-Léon Gérôme (1824-1904) – Diogjeni, 1860

Jean-Léon Gérôme (1824-1904) – Diogjeni, 1860

 

(notë – ka me dhjetra e qindra vizatime, piktura e gravura, panumër artistë janë marrë me Diogjenin, madje dhe të mëdhenjtë si Gerome, Waterhouse etj.)