ORIGAMI PËR TROJEN
S. Guraziu, 2010
S’jemi zogj të rrëzuar në Jatinga,
dhe as te vdekur, ti s’je Xhulieta
as unë Romeo, por ndoshta
ka një peng ngujuar në kafazin
e zemrës – ky “love-safari” do t’ngelet
vetëm imagjinatë, ëndërr, iluzion,
sepse as kjo klithmë s’është
shkëlqim i frymëzimit “shekspirian”
për lotët e Xhulietës, më parë
mund të jetë diç si figurinë,
origami japonez, Kalë i Trojës
prej letre – imagjino pra tani, pa
zemër në errësirë një Akil i verbër,
dhimbja, vuajtja e tij, mosdurimi
që vret… mund të jenë “dëshmi”
për gjyqin e pasluftës, fare lehtë!
***
Në kafazin e zemrës së Poliksenës
ai e ndien si rrahë një “zemër”,
strukur brenda tjetrës, por Akili e di:
zemrat s’durojnë infiltrantë
të josojit, mbase një lloj lufte
është brenda nesh, mospajtim
me kriteret e së jashtmes,
rezistencë ndaj vetëgjykimit
për disfatat e brendshme, vetëfalje
për çdo gjë të pafalshme – mirëpo
çfarë mori me vete thembra e tij,
kush mund t’i deshifrojë grahmat
e fundit në një agoni, vallë cilën gjë
unë dhe ti akoma nuk e dimë!