SG – Fjala e Fjalës, 2011

FJALA E FJALËS
S. Guraziu, 2011

(“Qeni leh kur i bien dhëmbët / Thonë atëherë se dreserët / Kohë të vështira kujtojnë” — Ali Podrimja – “Credo”)

Germat hanë vetveten, fjalët
i ha fjala – fjala është kariesi
i ashtores, piqet mbi të bardhen,
kockat i gërryen, dhëmbët,
gjithë nofullën, por gjuha mbetet
e tultë poet, miku im i fjalës,
andaj mos i ha kurrë fjalët, as
dhëmbëprishur, as pa dhëmbë.

Thonë gjuha thyen dhe eshtra,
si topuz i rëndë i shtyp kafkat,
thonë se është shpatë, kërbaç
i zjarrtë që përvëlon zemra,
si kaktus gjigant me gjemba…
ndërsa unë them: s’është nevoja
as për metafora, fjala jonë
s’duhet ta hajë vetë fjalën, kaq.

Dhëmbët “njëqind” t’u bëfshin
poet, mbetsh përjetshëm rinor,
me dhëmbët qumështor, fëmijë
i rritur, nëse buzët të t’i shtrydhin,
dhe ato le t’kullojnë, por mos ik
kurrë pa premtimin peng, pa fjalën
e dhënë: si ikanak matanë, nuk
do t’hashë asnjë fjalë… të fjalës.