Majestic, e pse jo dhe Grand Majestic, 2006

…humoreskë 3-pjesëshe – pothuaj para 2 dekadash tashmë, Kosovarlushja duke u mëkëmbur dhe mjaft “turbulente”, atëbotë i paskam lavdëruar fort gazetarët kosovarë (kuptohet tani të rinjtë dhe s’do e “kapin” mbase, s’vlen për ta : )

 

S. Guraziu, 2006 – Humoreskë

(një pullë, klik, dhe vëëëzzz… Herë nga Lindja e herë nga Kibla. Herë nga Perëndimi e herë nga Boletini. Herë nga Anamorava e herë nga Anadrini, herë nga Uka e herë nga Augustini)

 

[ Ndoshta dhe është Antenë-Sojuz ]

Edhe më herët Burim Informatori e kishte parë një nga ato ndërtesat e mëdha në qytet. Hotel mbase, – pati menduar. Po, po… hotel duhet t’jetë. Me shumë kate, projektuar dhe kryer tashmë, si skelet betoni e hekurash. Me materiale të forta e me granite. Me gypa e me lifte. E shihte dhe tani, për fat të keq ende i mungonin xhamat. Kur t’ia hedhin xhamat, do shkëlqejë si ai Trump-pallati n’Amerikë. Uuu djalosh, mbase thjesht si shembull, s’ka vetëm Donald Trump pallat që shkëlqen. Bota njeh shumë Rockfellera e shumë Trumpa.

Tashmë, atij të zotit të ndërtesës si t’ia mbërrijë dëshira e llogaria (nëse vërtet ishte një Trump kosovar, këtë s’e dinte). Fillimisht do ta meremetojë katin përdhes (si restorant padyshim, meqë ashtu nxjerr diç pa humbur kohë, pse t’humbet kohë), pastaj kur të mundet dhe atë të dytin, të tretin e deri atë të dhjetin. Here si dhoma majestic me luks e marifete, herë si dhoma bordelesh me xingla-mingla dhe kilifete. Herë si kazino që të ngelesh pa mend, e herë si super-disco që t’mos kesh vend.

Ndonjëherë do i teket që t’shemben muret interierë, ato muret që s’janë mure “mbajtës”… se duhet vend për dasmat e vjeshtës dhe gostitë rreth Vitit të Ri. Kthehen gurbetxhinjtë nga Zvicrra e Amerika, duhet vend për tupanat e surlat e Hafiz Tupanxhisë, për gjithë stafin e tij nga Guncati, për kazanat e Xhemshir kuzhinierit nga Banja, për hallvaxhinjtë e Demë Paçarizit, për…

Si t’ia mbërrijë e kah t’ia rrokë pronarit, por ti që di të ironizosh mbaje mend, këto s’janë punë për ty. Ti vetë s’mund ta ndërtosh as një kotec. Për ty s’do nisej kurrë pallat a hotel. Ti i njeh hotelet, por s’mund ta ndërtosh vetë një të tillë. S’je ti nga ata të CimNN and Co. – u përmend Burim Informatori. Mirëpo, se ç’e argëtonin kohët e fundit këso mendimesh. – Pse jo, – rishtas u zhyt…

Kryesorja, ndërtesa edhe pse jo e hijshme aq-aq, duket madhështore sepse ia ka kaluar për një pëllëmbë Sahat-Kullës, edhe minares, e edhe Shtëpisë se Bardhë të Bashkisë. Kësaj të fundit, madje përkundër antenës mbi kulmin, si raketa Sojuz. Ndoshta dhe është Antenë-Sojuz, kushedi. S’jam i sigurt t’kemë dëgjuar për këtë tip antenash! Sa i krisur që jam, euuu fort i krisur nganjëherë!

Nëse pronari t’i ketë përfillur këshillat e Kasëm Arkitektit (bashkëprojektues i asaj urës japoneze, urë që i pati bërë ballë tërmetit katastrofal disa vite më parë, urë që është më e madhja në gjithë botën, dhe do t’jetë… derisa vërtet t’kenë vendosur italianët ta lidhin Sicilinë me një super-urë madhështore, aso që s’ka parë bota ende) me kohë do ia kishte ujdisur hotelit ca rrotë e bazamente speciale prej gome. Ngjashëm si ato që u vihen urave moderne, e rokaqiejve japonezë.

Sepse ata të ngratët duhet t’i llogarisin dhe lëkundjet e tokës, hujet e Tajfuneve, këshillat e seizmologëve, shumçka. Mirëpo s’besoj t’jetë aq i mençur ky pronari! S’ma merr mendja! Ashtu do ta kishte hotelin fare lehtë, si mrekulli, hotel-rrotullues, mobil… si ato kupolat e astro-laboratorëve. Nga cila anë t’i tekej atij vetë, por dhe atyre që zbresin nga bjeshkët ditën e pazarit, do t’ia kthente fytyrën hotelit. Një pullë, klik, dhe vëëëzzz…

Herë nga Lindja e herë nga Kibla. Herë nga Perëndimi e herë nga Boletini. Herë nga Anamorava e herë nga Anadrini, herë nga Uka e herë nga Augustini. S’është shaka me këso hotelesh! O pesë yje, o fare. As Mirazhi me ato fontanat e Las Vegasit s’do i afrohej. Në fakt fare gabim! Ç’u dashka t’kërkojë një gazetar në Mirazh të Vegasit? Të raportojë se cila Playboy-girl e bëri tri herë, si rekord nate me një lepurush të Mister Flyn?

Ndërsa ky farë hoteli, qebesa Majestic e përtej Majestic më del parasysh. Grand e përtej Grandit që tani, ende pa i patur as xhamat. Pa, pa, pa kur t’përfundohet, kur t’mbillen ato palmat ardhur enkas, aso palmash dhjetë-metërshe nga Durrësi! (Ata që pandehin se palmat “nuk funksionojnë” këtu n’Prishtinë, gabohen).

Ky hotel s’do të jetë kurrë si Grandi, uh ky thjesht hotel-mbeturinë. Nga jashtë nuk duket gërmadhë, fasadën mjaft rezistente, por më mirë t’i kishte rënë (padashtas) një aso bombe e NATO-s. Hotel i erës tranzitore, gjoja post-komuniste. S’është më shumë, asgjë më shumë. Hotel tranzitiv i një kohe tranzicioni. Herë pa rrymë e herë pa ujë, herë gati i vdekur e herë me bujë. Ashtu veç Grandit i bënë vaki! Edhe pse, për rrymë e për ujë s’mund të fajsohet Grandi, nganjëherë them, vallë mund t’ketë pasur të drejtë ai gazetari lulandez!

Sidoqoftë, tani e tutje hotelet tona s’do të jenë siç pandehin bota. Kurrë për asnjë kurrnjëherë. Hotelet e së ardhmes kosovare, cilido hotel fillikat do ia kalojë dhe Palm Ajlëndit të Dubait. Vetëm nga gjumi në cilindo hotel të Kosovës, nga koktejet dhe buzëqeshjet e personelit, secili gazetar i botës do fisnikërohej.

Sa për gazetar-lulandezin, s’është nevoja që ai ta ndryshojë mendimin. Le t’mendojë ai! Lulandezi dhe Grandi do jenë kohë e shkuar. Gati dhe janë, tjetër kohë u buzëqesh hoteleve kosovare, sikur dhe tjerë gazetarë u duhen hoteleve tona. Le t’jetë 1, le t’jenë 2… por le t’jenë 2 të mirë. Dy gazetarë të mirë shqiptarë. Aso që do t’i mbroja me jetën time, si vetë Presidentin. Sepse, kuptohet, secili shtetas duhet t’jetë në gjendje ta flijojë veten për Presidentin. Duhet t’jetë në gjendje dhe për gazetarët e mirë.

Tingëllon disi e fryer, ndoshta duket fjalë e madhe, por secilën herë ashtu ke vdekur për atdheun. E për atdheun nuk vdiset vetëm në luftë. Të vdesësh për një gazetar të mirë ia ke borxh atdheut kohë e pa kohë, në secilën kohë, dhe në secilin udhëkryq kohësh.

[ Bond, my name is Bond ]

CimNN-i krekoset dhe s’pushon përditë nëpër reklamat e veta; “Be the First to Know”. Në kohët e bujshme siç janë tani është aq me rëndësi t’jesh informuar mirë dhe i pari, të vish deri tek një informacion i pari. Bënë dhe i dyti apo i treti por kurrsesi s’bën të ngelesh ndër të fundit, apo dhe më keq – i fundit. Kjo s’vlen vetëm për biz-infot, vlen madje dhe për lajmet e meteorologëve. Një ditë e mirë me diell në Hong Kong sjell levërdi po aq sa dhe ditët pakëz më të freskëta në Dubai.

Këta të CimNN, duke iu falënderuar mirëqenjes dhe pasurisë së pashterrshme të tyre, e kanë akomoduar (e besa dhe “instaluar”) në secilin hân, në secilin hotel pa yje, a me pesë yje, në secilën bujtinë për të cilën di bota, sëpaku nga një gazetar. Një – është minimumi, që tolerohet falë përgatiturisë profesionale dhe aparaturës së sofistikuar. E cila aparaturë, prapë fakt është, i zëvendëson me dhjetra gazetarë të “dobët”.

Psh. gazetarët e thjeshtë, gazetarët normal, s’mund të shohin në errësirë, qoftë ditën apo natën. Kurse këta të CimNN, hm… në dukje s’mbajnë as orë dore. Sa për llamba e elektrika hiç se hiç. Kjo mundet vetëm… “only on CimNN”. Ora nuk iu duhet, ata thjesht mund ta shohin orën e cilitdo kalimtar, nga sateliti. Kur t’u teket e kur t’kenë nevojë, në mesditë apo në mesnatë.

S’është fare e tepruar të thuhet se gazetarët modernë (së paku ata të CimNN) duhet t’jenë të përgatitur si një agjent, Bond. (Mjafton të thuhet Bond, apo dhe vetëm 007, pa emër e pa nofkë). Gazetari modern duhet t’jetë njëmijë herë Bond. Bond-1000. Mirëpo s’guxon të thotë kurrë: “Bond, my name is Bond!”. Duhet t’i ketë të gjitha kualitetet e një spiuni, por spiun s’guxon të jetë. Në aspektin profesional i përgatitur po se po, kjo afër mendsh, por dhe në shumë drejtime të tjera.

Psh. të ulet në një “Black Bird” (fluturakja më e sofistikuar që ka ujdisur njeriu ndonjëherë) dhe t’ia bëjë fiuuuuuuuu Kaukazit, Vlladivostokut e Alaskës, s’është ndonjë diç që nuk hyn në listën e përgatiturive të super-gazetarit. Krejt çfarë e dallon nga një Bond është se ky s’e ka licencën për t’i vrar e për t’i “dizintegruar” kundërshtarët. S’e ka, dhe s’duhet ta ketë, atë të famshmën liçencë për vrasje, “license to kill”.

Ndërsa e gjitha ç’duhet të kujdeset për dallim nga Bond është që t’mos bëhet spiun. Absolutisht jo. Derisa Bondit ca gjëra dhe do t’i faleshin, meqë i ka bukë, gazetarit tonë do t’i rrokullisej koka si top dëbore nga majat e Himalajeve.

Se pastaj njohja e hoteleve të botës, e njerzëve, e racave, njohja e hujeve, e zakoneve të tyre – pih, këto s’janë as një grosh. Bie fjala atriumin e Grandit, kush hyn e kush del, secilën lëvizje, gazetarët e CimNN e njohin më mirë se roja e hotelit, më mirë se vetë drejtori gjeneral. Për më tepër, Grandi identifikohet aq leht si ndërtesë, si objekt është fort karakteristik për ta përcjellur nga lart. S’është e thënë vetëm nga lart, edhe nga poshtë – skyline e asaj pjese të mega-shehrit kosovar është aq karakteristike. Identifikohet lehtë dhe nga konzervat-satelitë të pensionuar, pa kompas dmth., që bredhin diku rreth Saturnit, apo dhe më tej, ndoshta Plutonit.

Ende pa cingëruar telefonat “filan diplomati, a futbollisti, a biznismeni është vendosur aty…”, ata të CimNN i rregullojnë katalogët arkivor, me fotot nga sateliti të detajizuara, me zoom e pa zoom, madje nga shumë kënde. Thjesht, punë e kryer. Punë arkivi. As miza s’mund të hyjë në Grand e ata t’mos e regjistrojnë. Njëjtë dhe për problemet e sigurisë, ata të hotelit duhet t’u falënderohen gazetarëve të CimNN. S’janë të vetëdijshëm akoma, por Grandin më mirë e ruajnë gazetarët e huaj sesa vetë personeli dhe sigurimi, ata djelmoshat e stërvitur e kompetentë.

Andaj Burim Informatori kishte ardhur tek përfundimi se një Gazetar i Mirë vlen sa një President shteti! Në mos më shumë. Thjesht ashtu, për pikë të pikës, e pati fituar bindjen se ky konkludim ishte konkludim i drejtë. Presidenti duhet të ruhet, gjithë ajo vëmendje e ato masa sigurie duhen, sepse një President e ka shteti, jo disa sosh.
Sidoqoftë, në kohët moderne s’duhet nisur nga fakti se një shtet mund t’i ketë shumë gazetarë, por vetëm një President. Nga kjo, si përsiatje e arsyeshme do të rridhte se një gazetar s’është aq i rëndësishëm sa një President. Por a është ashtu? – hamendësonte.

Shtrohet gjithashtu pyetja: sa gazetarë të mirë do i ketë një shtet? Sipas tij, le ta ketë vetëm 1. Një, aso sipas kritereve të tij, ky 1-sh pa asnjë 2-shim do vlente sa një President. Kjo përsiatje, sipas Burim Informatorit, ishte e stërngopur nga logjika e nga arsyeja. Gazetari lulandez mund t’ketë patur të drejtë sa i përket Grandit, por Burimit vetvetiu i kishte shkrepur dhe kjo: vallë, çfarë gazetari duhet të jetë ai? Nëse i mirë, lum Lulandia për të, lum Evropa për të, lum e gjithë bota… Lum dhe ne kosovarët, pse jo, edhe ne jemi Evropë!

Pastaj iu kujtuan fjalët e një tregtari perimesh të cilin tinëz e pati dëgjuar tek i fliste kolegut të vet në Tregun e Gjelbërt.
“…ne jemi Evropë, e çfarë kujtove ti!? Ani çfarë Evrope seeee! Aso, që Evropa ka ardhur vetë tek ne, pa qenë nevoja e kundërta, pa qenë nevoja t’shkojmë tek ata, as t’hyjmë kund, as të trokasim, t’i lusim. Nuk e sheh çfarë heqin turqit? Të zezën e më të zezës. Sa poshtë kanë rënë turqit e ngratë! Dikur me dhunë e mbajtën pothuaj gjysmën e Evropes për vete – tani evropianët luajnë me ta, luajnë që nga koha e Luftës së 2-të Botërore. Turqit, nga inati, thonë se evropianët s’janë diç tjetër por një Kulub i të Krishterëve, e kanë fjalën për ata evropianët me yje… Ndërsa ne s’jemi turq as në ëndërr, ne jemi evropianë. As pas pesëqind vjetësh nën thundrën e tyre, s’ka shans të bëhemi turq. Edhe po të donim, e kotë është. S’na lejon as Evropa më. Besa as Amerika… Si duket, më në fund, evropianët e kanë kuptuar mirë se ç’pati hequr Skënderbeu dikur!”.

[ Grand i keq, më i keqi me 5 yje ]

Sipas thënieve të një gazetari lulandez (të cilin e kishte hedhur puna andej gjatë kohës së luftës), hotel Grandi s’është kushedi çfarë hoteli. Thëniet e gazetarit, lidhur me hotelin kosovar, Burim Informatorit i qenë bërë të njohura via-via. Nuk e dinte nëse lulandezi ishte shprehur ashtu publikisht, apo vetëm i kishte pëshpëritur në vesh të dashurës së vet.

Kushedi, gazetari ndoshta mendimet e veta t’i ketë shprehur dhe publikisht, mirëpo Burimi s’i kishte lexuar në ndonjë gazetë. I kishte lexuar në një email të mikeshës së vet, po ashtu gazetare. E ajo nga një mik i saj, ky miku nga një dikush tjetër e kështu, zinxhir.
Zotëriu lulandez e kishte quajtur Grandin “Grand i keq, hotel më i keqi me 5 yje, në tërë botën”. Gjithandej kah paska udhëtuar, në Afrikë e në Indi, në Amerikë e n’Tasmani, s’paska parë hotel “më të keq, e njëherit t’i ketë pesë yje…”.

Hm, hotel i keq me pesë yje… Çudi! Nga kjo del se ata ekspertët që vendosin cilës kategori i takon një hotel, e pastaj ia ndajnë dhe yjet, s’e paskan bërë punën si duhet. Thjesht u paska bërë keq shampanji i kohës së komunizmit. Një gotë më tepër dhe hooop, një plus më shumë për notën. Në rastin e një hoteli, kuptohet, një yll më shumë.

Gazetarët udhëtojnë gjitandej nëpër botë. Ndoshta askush s’udhëton më shumë e më shpesh se ta. Sepse punën e kanë të tillë. Gazetarët e kanë për detyrë të përcjellin fakte, gjëra të vërteta, jo përralla. Përrallat s’është nevoja të vërtetohen. Gjërat e vërteta duhet të “vërtetohen”, madje tri herë. Sidomos tani në kohën tonë kur dhe gënjeshtrat duken aq të vërteta, me tërë atë makiazh dhe multi-media-marifetesh.

Ndërsa dihet, vërtetimi më i mirë është që mundësisht t’jesh vetë në vendin e ngjarjes, në vendin e duhur, në kohën duhur. Kështu që ata shpesh akomodohen nëpër bujtina, herë nxitimthi… sall për një natë, e herë dhe më gjatë. Bujtinat bashkëkohore s’janë hâne, si në “Ligatinën” e Musa Ramadanit. As përafërsisht jo, s’janë të tilla dhe as nuk quhen më ashtu. Hânet ishin dikur, tani quhen hotele, motele etj. Pra mund të thuhet dhe të besohet se gazetarët njohin gjithfarë hotelesh.

[ fotoja ngjitur: grandi më i keq në botë, the new york times, foto e v. 2018 ]