Buzëqeshja “robotike” e Presidentit Obama

( sguraziu – ap, n 2011 – pak humor )

( …falsitet stabil, thuase dhe buzëqeshja qe “trajnuar” nga CIA. Ndoshta dhe është marifet i CIA-s, meqë fjala është për buzëqeshje “politike”. S’i trembet buzëqeshja sepse “robotike” – sidoqoftë, ec e besoju gjithë teorive konspirative që njerëzit e botës parapëlqejnë t’i marrin si të “vërteta” : )

***
Nëse mendoni se i njihni politikanët (s’e kam fjalën si figura, si personalitete, por për) natyrën e tyre politike, si “prezantues të politikës”, si “akterë politik”… Mirë, le ta zëmë se është ashtu, le t’themi se vërtet i njihni. S’e dyshoj njohurinë tuaj, anise për veten gjithmonë kam dyshuar, madje dhe përherë e më tepër sikur më rritet dyshimi.

Sido që të jetë, ja rasti që t’mësoni dhe një diç të vockël më shumë, psh. kësaj radhe për “Buzëqeshjen”.
Shiheni pakëz foto-kolazhin, “studiojeni” buzëqeshjen e Presidentit Obama. Analizojini buzëqeshjet e të tjerëve, vërtetojeni vetë sa mbrapa janë “politikanët e tjerë” me buzëqeshjen.

Flitet se atë ditë Presidenti Obama qenka fotografuar me mbi 100 politikanë të shteteve të ndryshme. Jo vetëm “flitet”, por janë dhe fotot në Internet si dëshmi. Ndonese, e keni parasysh, sot kaq pata kohë e durim që t’merresha me “politikat”.

Një koment i dikujt thoshte pakashumë si vijon: “jooo, s’e ka vetëm Obama këtë “aftësi të buzëqeshjes robotike”, të gjithë presidentët e ShBA e kanë patur, që nga koha e Washington-it… por është fakt se vetëm Obama i hedh fotot e veta në Internet”.

Dmth. e qartë, presidentët e tjerë s’kishin Internet, s’ishin as maniakë për t’i postuar fotot. Nga komenti më lart na qartësohet gjithçka. Ja përse dhe mund ta vërtetojmë shkencërisht se Obama vërtet e ka aftësinë e “buzëqeshjes konsistente”. Asgjë s’lëviz, falsitet stabil, thuase dhe buzëqeshja qe “trajnuar” nga CIA. Ndoshta dhe është marifet i CIA-s, meqë fjala është për buzëqeshje “politike”. S’i trembet buzëqeshja sepse “robotike”, e njëjta ngelet qoftë dhe nëse duhen 1000 foto njërën pas tjetrës.

Sa për vete, mendoj sqarimi është akoma më i thjeshtë – anise, kuptohet ashtu mendoj vetëm unë.
Sipas meje e gjitha ka t’bëjë me “djathin”, krejt varet nga shqiptimi imagjinar i djathit (në anglisht). E qartë se askush nga të tjerët jo-anglishtfolës s’mund ta shqiptojë në mendje “djathin” si Obama. Bie fjala ku di Berisha ta bëjë këtë, ku di ai inglizisht “çiiiiiiiizzzzz”. Sa për Erdogan atje në fund hiç se hiç, come oooon, do habitej dhe vetë Obama : )

Një tjetër teori flet për flamurthin e vockël patriotik në sakon e Presidentit (aty tek xhepi). Se gjoja na qenka njëfarë “butoni” për buzëqeshjet fotografike. Aso butoni high-tech (dhuratë e CIA-s) të cilin ai e aktivizuaka duke i fryrë lehtë ca sekonda para shkrepjes së aparatit. Mirëpo ec e besoju gjithë teorive konspirative që njerëzit e botes parapëlqejnë t’i marrin si të “vërteta”. Neve mbase na mjafton vërtetësia dhe dëshmia e foto-kolazhit.