(Mos)marrëveshjen ende s’e mora vesh!

(sguraziu – ap, 20 mars 23 – pak humor, por bazuar në fakte dhe të vërteta : )

Dy ditë duke i përcjellur lajmet dhe prapë (mos)marrëveshjen serbo-kosovare të “liqenit” s’e mora vesh! Dhe s’e kam fjalën vetëm për lajmet e Kosovës e të Shqipërisë, por për të gjitha lajmet e botës. Disa media thonë se janë “marrë vesh”, të tjera thonë se ngelet “(mos)marrëveshje” meqë nuk pati nënshkrime. Disa tjera thonë se opozita kosovare desh e ka bërë gaz Kurtin, sepse ky paturpësisht i paska hëngër fjalët e veta, me vite e vite të “trumpetave” politike i qenkan shurdhuar Kurtit.

Diku tjetër thuhej se Rama e paskësh lavdëruar “(mos) marrëveshjen”… dhe plot të tjerë (si Rama) paskan folur me superlativa e me lavde. Sikur dhe e kundërta, sa të duash të tjerë e paskan kritikuar (madje dhe Mero Baze paska qenë kritik i rreptë) etj etj. Plot këso lajmesh, thuase enkas të ujdisura për t’mos i marrë vesh. Vallë si është e mundur, me qindra lajme dhe prapë njeriu s’i merr vesh çfarë thonë!

Krijohet përshtypja sikur gazetarët modernë t’na jenë “djallëzuar” pakëz! Apo nëse “djallëzia” fjalë e madhe, atëherë mbase zbutet sadopak duke thënë se gazetarët nuk janë “fair” me neve lexuesit, me përcjellësit e lajmeve! Sipas tyre s’kanë faj sepse gazetarinë e kanë bukë, sa më shumë e zgjasin aq më mirë për ta. Ashtu-kështu mosmarrëveshjet s’ka si i merr vesh njeriu – thuase justifikohen. Patjetër, kuptohet se “bukë” e kanë, ama nuk u falet që na e zgjasin hundën me panumër lajmesh të pakuptueshme – në vend që t’na e thoshin sa më troç e shkurt.

Qëlloi (koinçidencë) meqë jemi në Mars 2023 vendosëm të kthehemi në retrospektivë për 100 vjet, në Mars të 1923. Kthim me shkas, dhe ta sjellim Nr. 1 të “Time”, numrin fillestar si shembull të denjësisë gazetareske. Lajmet e “Time” shkurt e troç, më kryesoret të para 1 shekulli, lajmet e jashtme (të politikës), pastaj nga arti, shkenca, drejtësia, religjioni etj. madje dhe nga vetë gazetaria, uroj të shërbejnë si “leksion” për lajmet e së tashmes. Le t’u ngjallet buzëqeshja dhe vetë gazetarëve me përmbajtjen e me troçësinë e paarritshme të “Time” : )

 

Time / Lajmet e Jashtme [ 3 Mars 1923 ]

Ruhri / Shah-Mat
Gjendja e “shah-mat” në Ruhr vazhdon. Franca beson se pushtimi i saj do ta bëjë rezistencën pasive gjermane tepër të shtrenjtë. Gjermania mendon se politika e saj e zhgënjimit do ta bëjë “vizitën” franceze në Ruhr më të gjatë se kuleta e saj. Britania e Madhe mban qëndrimin e saj të neutralitetit skeptik.

S’ka dobësim
Lajmet nga zona e pushtuar janë karakterizuar nga kontradikta ngatërruese. Francezët deklarojnë se rezistenca po dobësohet; pastaj një kundërdeklaratë gjermane i bind ata për jorealitetin e pretendimeve të tyre. Gjermanët, me kokëfortësinë karakteristike, po e vazhdojnë punën dhe, me përjashtim të britmave propagandistike, nuk shqetësohen shumë se kush mbizotëron. E vërteta është se asnjëra palë nuk po dobësohet.

Rezistenca Gjermane
Qeveria e Berlinit po mbështet rezistencën pasive me gjithçka, dhe “zotërinjtë e thëngjillit” po u bëjnë thirrje minatorëve që ta kufizojnë prodhimin vetëm për nevojat e konsumit lokal. Multimilionerët gjermanë kanë vënë në dispozicion të qeverisë letra me vlerë për ta luftuar “pushtuesin”. Skenat e dhunës të gjitha kanë ndodhur në Bochum, ku francezët qëlluan mbi një turmë. Ky veprim ka bërë shumë për ta ngurtësuar rezistencën gjermane. Viktimat totale të pushtimit të Ruhrit deri sot janë: 9 gjermanë të vrarë dhe 13 të plagosur.

Gjermani: Matematik(isht)
Reichstag-u thotë se u ka paguar aleatëve jo më pak se 46,600,000,000 marka ari kompenzim për riparimet që nga Nëntori 1918 deri në Shtator të vitit të kaluar. Francezët, megjithatë, në listën e tyre zyrtare të riparimeve të paguara i ulën këto shifra në 5,843,974,000 marka. Dallimi vjen nga fakti se gjermanët pretendojnë (komplet) për të gjitha humbjet e tyre të luftës, ndërsa francezët e numërojnë vetëm pjesën që është vënë në kreditë e Komitetit të Riparimeve (të tyre).

Holandë
Tregtia holandeze po vuan nga bllokada franceze e Ruhrit. Në Roterdam, porti më i madh i Holandës, transporti detar praktikisht është ndalur. Me mijëra pa punë. Para pushtimit të Ruhrit, shumica e tregtisë së Gjermanisë nga ajo zonë e madhe industriale kalonte përmes Rajnës dhe Roterdamit. Situata e re nga kompanitë holandeze të transportit shihet me shumë shqetësim. Megjithatë, qeveria holandeze ka marrë garanci zyrtare nga Franca dhe Belgjika se interesat e Holandës do të mbrohen. Kjo protestë nga holandezët vjen pas një prezantim-situate të ngjashme nga qeveria zvicerane.

Dhuna
Ngjarjet tregojnë një tendencë të theksuar ndaj dhunës, por në përgjithësi s’ka ndodhur asgjë katastrofike – pranimi i situatës ashtu siç është. Francezët dhe belgët kanë qenë shumë aktivë. Ndjekjet penale janë kryer në masë. Pothuaj i gjithë Këshilli Bashkiak i Bochum-it u arrestua për mosbindje ndaj urdhrave franceze, por me përjashtime të caktuara ata janë liruar. Më shumë se 1000 persona janë arrestuar dhe në shumicën e rasteve janë dënuar ose gjobitur për bojkotimin e trupave.

Itali – Fashizmi dhe Masonët
Sulmet e shtypit të nisura kundër masonëve nga partitë katolike, nacionaliste dhe fashiste tërheqin vëmendjen e gjithë italianëve. Këshilli i Madh Fashist, në një takim në Romë, u kërkoi anëtarëve masonë të zgjedhin mes Fashizmit dhe ose Masonerisë.
Musolini, i cili gjithmonë kundër masonëve, është afruar më shumë me Partinë Katolike. Ai po bëhet pothuaj i nënshtruari ndaj Vatikanit. Politika e tij për ta rifutur fenë në programin mësimor të shkollave publike si një favor ndaj Papës, ka ngjallur zemërimin e masonëve.
Po bëhen përgatitjet për ngritjen, në Milano, të rrokaqiellit të parë të Italisë. “Rezervo një apartament për mua në katin e fundit!” tha Musolini.

Turqi
Mustafa Kemal Pasha vjen në qendër të vëmendjes nën një maskë të re. Duke folur para Shoqatës së Mësuesve në Brusa (përtej Bosforit, nga Kostandinopoja) ai i nxiti gratë të edukohen dhe t’marrin pjesë aktive në çështjet e kombit.
Ai kujtoi kohët e lashta kur gratë turke shkonin në luftë krah për krah me burrat e tyre. “Në fillim të Islamizmit kishte gra dijetare, gra të letrave, gra oratore dhe gra që hapën shkolla, ligjëruan dhe morën pjesë të madhe në jetën publike. Feja myslimane urdhëron gratë që t’arsimohen në të njëjtën shkallë si burrat!”

Perandoria Britanike – Java në Parlament
Një propozim i opozitës që kërkonte evakuimin e Mesopotamisë u rrëzua me 273 kundër 167 votave. Kryeministri Law tha: “Qeveria ka një mendje të hapur për çështjen… Mesopotamia është e lidhur me Traktatin e Lozanës… Nuk bëhet fjalë për naftë, dhe s’ka patur kurrë.”
Propozimi i Partisë Laburiste që çdo person të kualifikohet për pension pleqërie në moshën 70 vjeç, pa iu referuar të ardhurave, u mposht nga një shumicë e ngushtë qeveritare prej 22 votave. Eksitim i madh në bankat e laburistëve, dhe thirrje të forta “Dorëheqje!”
Gjatë një diskutimi mbi zbulimet e Tutankhamunit, z. Hardie, anëtar i Partisë Laburiste, pyeti nëse qeveria kishte ndonjë provë që trupi i Faraonit vërtet ishte në varr. “Jo, zotëri,” u përgjigj z. MacNeill, Nënsekretari për Punët e Jashtme, “Qeveria nuk është në dijeni që trupi i madhërisë së ndjerë të jetë ende në varr!”. Një dikush tjetër solemnisht pyeti nëse kishte ardhur ndonjë kërkesë nga egjiptianët për t’gërmuar ndër varret e mbretërve dhe mbretëreshave britanike në Westminster Abbey, dhe çfarë përgjigje do t’u ipej? Nënsekretari i neveritur mezi ia hodhi një shikim.

Çeko-Sllovaki
Një mision çeko-sllovak do t’mbërrijë sëshpejti në Uashington me qëllim të marrëveshjes për kushtet e borxhit të luftës. Ata do diskutojnë me Sekretarin Mellon dhe me Komisionin për Borxhet.
Borxhi i Çeko-Sllovakisë ndaj ShBA, me gjithë tarifën e interesit, më 15 Nëntor 1922 arriti në 106,292,205,32 $. Pritet që Misioni të kërkojë kushte të ngjashme me ato të dhëna Britanisë së Madhe.

Rusi – Uria
Vitin e kaluar kishte 22,000,000 rusë të uritur, të cilët qeveria sovjetike s’kishte grurë të mjaftueshëm për t’i mbajtur gjallë. Shoqata Amerikane e Ndihmës erdhi në shpëtimin e tyre dhe i ushqeu shumicën që po vdisnin urie. Këtë vit, Administrata e Ndihmës vlerëson se do t’ketë 13,000,000 gojë të uritura që Rusia s’mund t’i ushqejë.
Ndërsa atasheu amerikan në Berlin raporton: qeveria gjermane ka blerë 1,400,000 bushela grurë nga Rusia. Gati të dërgohet nga portet e Detit të Zi. Pra mund t’ketë vetëm një përfundim – se qeveria sovjetike preferon eksportimin e grurit në vend që t’i ushqejë fshatarët e uritur. Kjo politikë po i çon ngadalë 10 apo 15 milionë njerëz – mes tyre 3 milionë fëmijë – drejt vdekjes së sigurt nga uria. Kështuq që Shoqata Amerikane e Ndihmës mdodhet mes djallit dhe detit të thellë. Duke zgjedhur detin, anëtarët e saj mund t’ia kthejnë shpinën, tek klithmat e 3 milionë të uriturve u kumbojnë në veshët. Ose mund t’ngelen besnikë ndaj shoqatës për ta energjizuar një komb që e majmë veten financiarisht duke eksportuar gjakun e jetës së popullit. Secila alternativë është çnjerëzore.

Time / Art, Shkencë, Mjekësi, Religjion etj. [ 3 Mars 1923 ]

Shtypi (Gazetaria): Ia vlen t’jesh i denjë
“S’është e vështirë të nxirren ilustrime të faktit se denjësia paguhet, si nga gazetarët ashtu dhe nga historia teatrore, jo vetëm me respekt, por dhe me dollarë” – ka thënë “The Christian Science Monitor”
Njëkohësisht, Bordi Ekzekutiv i “The Chicago Herald and Examiner” i njoftoi zotit Hearst (pronarit) se edicioni i së dielës tani është “krah për krah me simotrën e vet, ‘The Nemo York American’ – e vetmja gazetë në Amerikë me tirazh mbi një milionësh”.

Art – Kubizmi në rënie e sipër
Clive Bell, kritik i shquar anglez dhe pontifik i modernizmit, deklaron se kubizmi është në rënie e sipër. Kubizmi i ka shërbyer qëllimit të vet për çlirimin e artit nga kufizimet konvencionale dhe tani është në rrezik të kthehet vetë në një “konventë” ordinerere.

Religjion – Rastësi?
Kishat katolike të Kanadasë në mënyrë të dyshimtë po rezultojnë fort të ndezshme. Në nëntë muajt e fundit, tre faltoret më të vjetra në provincën e lashtë të Quebec janë shkatërruar nga zjarri – St. Anne de Beaupré, që shquhej për kurat si vetë mrekullia; manastiri Trappist në Oka, dhe Bazilika në Quebec. Bazilika u ndërtua në v. 1647, kishte dritare madhështore dhe përmbante dokumente historike të pazëvendësueshme. Humbja (dëmi) 1,000,000 $.
16 kisha të mëdha janë djegur, dhe ndërsa zjarret më të vogla kanë qenë të shumta.

Shkencë – Vjetërimi “Express” i Verës
Një profesor francez, Charles Henri, e ka zbuluar metodën e “plakjes” së verës për vetëm ca minutash. Në demonstrimin e tij para Akademisë së Shkencave ai mori një shishe me verë të re dhe duke e vendosur për disa minuta në një fushë elektrostatike prej 60,000 deri 100,000 volt, saora e ndërroi atë në të gjitha aspektet – fuqia (e shijes), ngjyra, buqeta (aromat) s’mund mund të dalloheshin nga ato të verës së vjetër. Janë ndërmarrë hapa për komercializimin e shpikjes së re.

Drejtësi – Divorci Ndërkombëtar
Efektiviteti i ligjit kombëtar për divorcin siç propozon Senatori Capper është i kufizuar, sepse mund të zbatohet vetëm për një komb. Ligjet e shkurorëzimit me shpejtësi po bëhen burim i së ligës (djallëzisë) ndërkombëtare. Konsujt meksikanë në ShBA janë udhëzuar ta bëjnë publik faktin se në Jukatan divorcet mund të merren, me dhe pa shkak, me koston maksimale prej 125 $. Uruguai i lëshon divorcet me kushte të lehta, dhe 80% e divorceve u jepen të huajve. Fiume ka hyrë në biznesin e shkurorëzimit dhe ka hapur agjenci në qytetet kryesore italiane.

Aeronautikë – Helikopter i suksesshëm
“…Me sa di unë, ju keni prodhuar helikopterin e parë të suksesshëm”. Fragment i mesazh-urimit dërguar nga Edisoni duke i ofruar ndihmë për eksperimentet e mëtejshme, Dr. Bothezaat, i cili e theu rekordin botëror helikopterik në McCook’s Field, Dayton, Ohio, duke qëndruar në ajër për 2 minuta e 45 sek. në lartësinë prej afro 5 m.