Faktori altruist për remitencat kosovare, dhe “kanalet alternative”!

(sguraziu – ap, 24 mars 2023 – koment)

(…kam përshtypjen se kontributi i mërgimtarëve për Kosovën mund t’jetë “super”, përtej super-it madje, qoftë dhe vetëm siç thonë raportet e BQK, dmth. pa i “shkapuritur alternativat e panjohura si shifra” : )

Sipas një artikulli në Telegrafi (autor Albert Spahiu), “diaspora” na i paska 300 mijë kosovarë (apo tekefundit mërgimtarë që i dërgojnë “para” Kosovës). Ndërsa sipas ASK (publikim i 2021) popullsia rezidente në Kosovë është rreth 1.78 milion banorë (le t’themi 2 milionë, më kollaj).

Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, gjatë v. 2022 i sollën mbi 1.2 miliard € në Kosovë” – paska shkruar Alberti (redaktor i Telegrafit për rubrikën e “Ekonomisë”). Për statistikat e veta Alberti bazohet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Dhe fare në rregull kjo, ama shifrat e BQK mbase vlejnë vetëm për ata që i kanë përdorur shërbimet bankare, apo jo. “Remitencat përbëjnë një ndër financuesit kryesor të konsumit kosovar…”, madje “dërgesat e parave nga emigrantët në Kosovë i karakterizuaka dhe faktori altruist” – thotë Alberti, të ketë lexuar në raportin e BQK-së. E qartë, asgjë pa altruizmin : )

Tutje BQK-ja paska thënë se “702.1 milionë € janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parave (dmth. Western Union, e të ngjashme – shën. im), kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale dhe kanaleve alternative”.
Dhe pikërisht këtu ndoshta “flen lepuri” i BQK-së simpatike! Nëse thuhet “kanale alternative”, atëherë cilat pra janë ato “alternativa”, për cilat “kanale” bëhet fjalë?! Apo ndoshta BQK s’e ka idenë cilat “alternativa” na qenkan, dhe sa ndikojnë (në statistikat zyrtare)!

Natyrisht që Alberti s’mund t’i shpik vetë të dhënat nga koka e vet. Dhe bukur kjo, gazetaria s’do duhej me hamendësime e me “joverifikime”, njeriu duhet bazuar në ndonjë “raport” (le t’jetë dhe i mangët, i cunguar, jo i plotë – dmth. për arsye të rrethanave, për arsye të mungesës së shifrave fundimtare).

Sidoqoftë, ndoshta pjesa dërrmuese e gurbetxhinjëve të Zvicrës (thjesht si shembull zviceranët – pasi e njëjta vlen dhe për gjermanët, austriakët etj) nuk i përdorin medoemos bankat. Psh. 4-5 djemtë e bacës Sefer (ose Xha Seferit, ndjesë pastë, tashmë ka vdekur por sa ishte gjallë) sa herë vinin nga Zvicra të gjitha mijëra verdhushkat e Helvetisë ia numëronin drejt e në pëllëmbë, pa ditur BQK dhe as bankat tjera të Kosovës asnjëhiç detaj.

Dhe Xha Seferi e kishte “odën” më të mirë të katundit, oda ende vazhdon me traditën (tani nën tutelën burrnore të Sokolit, paçka se ky pa mustaqe, diç si burrë modern, gjysmë-zviceran, gjysmë-kosovar). Është diç si odë e “drunjtë”, komplet e veshur me lloj-lloj pllakëzash e gravuarash allaturka, me dysheme, me mure, me tavan e me trapazan. Hamdi zdukthtarit i pati vajtur “zani deri n’Durrës”, në fakt i gjithë interieri është diç si vepër artistike – nëse ta shkurtonim, nëse të thuhej sa më shkurt e troç. Sa e sa sofrat janë shtruar aty, sa e sa tavash janë shijuar, sa e sa qelibaresh janë tymosur, sa e sa burrash janë kollitur, sa e sa pleqtë kanë gravituar rreth asaj “ode”, madje dhe vetë UÇK-ja e pati përdorur si “shtab” e si bujtinë.

Kështu që shifrat e BQK për kontributin e Diasporës nuk janë dhe aq “valide”. Ta them i dashur Albert, kam përshtypjen se kontributi i mërgimtarëve mund t’jetë mjaft më i MADH nga ç’e paraqesin shifrat zyrtare të Kosovës (do duhej ta kishe cekur këtë detaj – se shkrimi yt është ok, realistik dhe i saktë, me aq sa mund të jetë, e edhe raportet e BQK-së, ama “megjithatë, të dhënat nuk janë të plota”. As tuat, e as ato të BQK-së, jo se keni ndonjë “faj”… por thjesht sepse s’mund të jenë : )

Nëse Kosova i paska rreth 2 milionë banorë, dhe nëse “mërgata” kontributore na qenka vetëm 300 mijë… (atëherë krahasuar 2 milionshi me 300 mijë) qebesa del se ndihma e mërgimtarëve na qenka “super-ndihmë”, përtej super-it madje. Qoftë dhe vetëm siç thonë raportet e BQK, dmth. pa i “shkapuritur alternativat e panjohura si shifra”.

Akumulimi i buxhetit të R. Kosovës – Shtator, 2021 ishte 2.589.526.660€ – ndërsa nga Diaspora Kosovës i erdhën 1.14 miliard €. Shih, mrekullia vetë, pothuaj ekzaktësisht “gjysma” buxhetore e një shteti 2-milionësh.
Akumulimi i buxhetit për 2020 ishte 2.646.318.655€ – ndërsa nga Diaspora Kosovës i erdhën “980 miliardë €” ( e qartë se o BQK-ja o Alberti janë “ngatërruar” pakëz, kanë dashur të thonë 980 milionë € : )

Akumulimi i buxhetit për 2019 ishte 2.401.828.525€ – ndërsa nga Diaspora Kosovës i erdhën 1.23 miliard €, akoma më ekzaktësisht “gjysma” buxhetore. Akumulimi i buxhetit për 2018 ishte 2.116.423.760€ – ndërsa nga Diaspora në v. 2018 Kosovës i erdhën 1.23 miliard €, rishtas ekzaktësi gjysmë-buxhetore, qoftë dhe vetëm sipas shifrave të BQK.

Etj. etj. etj.