Erotezë rreth “neutralitetit moral” të shkenco-teknologëve!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2018 – Humoreskë

nëse problemet ekzistente kanë prirjen të problematizohen me hujet e “rritjes e të shumëzimit”, këtë proces shkenca e njeh si “akumulim problematik i problemeve”
është problem i madh nëse vetë shkencëtarët (mes vete) s’ia dalin të merren vesh lidhur me problemet
vetëm gjallesat inteligjente e kanë privilegjin e “problemeve”, e vetmja specie anti-problematike e universit është njeriu
të gjitha problemet qenë nisur dikur nga një Problem i Madh, nga buuumi i madh, nga hiçasgjëja kaotike-problematike
planeti ynë (Toka) e pati shpikur jetën inteligjente për t’i zgjidhur problemet e veta – s’është kot Venera e vdekur, Marsi i vdekur, Merkuri, të gjitha planetet pa jetë. U mungon jeta sepse s’kanë probleme
propozoj që Marsi t’u falet shkencëtarëve, me dekret e me tapi, përgjithmonë i tyre si koloni e si shtëpi – me kusht që të shpërngulen në Mars, përgjithmonë

***
Në librin e Mario Auguste Bunge – “Doing Science: In the Light of Philosophy“, publikim i World Scientific, 2017, hasa në diç mjaft provokative:

[ cit ]
“Rëndësia e problemeve në të gjitha sferat e jetës është e tillë, aq sa dikush pati thënë se jeta në thelb është thjesht “të merresh me problemet”. Për ata që e kanë zgjidhur problemin bazik të ekzistencës materiale (mbijetesës), të jetosh tutje do t’thotë të dashurohesh në problemet mendore, të biesh në dashuri me problemet rreth vlerave, me ato të etikave etj. Dmth. herë t’i duash, të dashurohesh, e herë t’mos i duash, të “ftohesh”. Shkencëtarët që shtrojnë Pyetje të Mëdha, të tilla “si dhe pse filloi qytetërimi?”, quhen shkencëtarë të guximshëm. Ata që i shtrojnë pyetjet më të mëdha, të tilla si “ç’mund të ekzistojë vetvetiu?”, “ç’është e vërteta?”, “a është shkenca moralisht neutrale?”, të tillë quhen filozofë.
[ fund i cit ]

Në rregull, me këtë u nënkuptuaka që nëse unë (si joshkencëtar) i shtruakam pyetje shkencës rreth “neutralitetit moral”, atëherë qenkam “filozof”. Ashtu-kështu pyetjet filozofike s’janë shkencore. Mirëpo, nga ana tjetër, pyetjet filozofike s’janë aspak të “vogla”. Përkundrazi, konsiderohen mjaft të mëdha dhe “pyetje problematike”. Përndryshe do i kishim harruar qëmoti me Platona e Aristotela…

Pra vetëm njeriu si qenie unikale e ka aftësinë të merret me “problemet” inteligjente, asnjë gjallesë tjetër e planetit. Deri sot shkenca s’ka gjetur asnjë gjallesë (të Universit, a të Multiversit) që merret me problemet inteligjente, përveç njeriut. Fakt i vockël ky, fakt bazik e qesharak, ama fakt!

Tutje kah fundi (i një kapitulli) autori Bungo i kishte shtruar dhe vetë disa pyetje “të mëdha”. Njëra prej pyetjeve kishte t’bënte me çështjen e abiogjenezës:

[ cit ]
“Hipoteza materialiste që organizmat më të hershëm kanë lindur spontanisht (pa ndihmën e Perëndisë) nga sinteza e materialeve abiotike, u hodh poshtë njëherë e përgjithmonë…
[ fund i cit ]

Asgjë, s’duhet mërzitur lexuesi nëse shkencëtarët i hedhin posht “shkencat” e njëri-tjetrit – pse jo, ama si “kompenzim” ofroje sëpaku një zgjidhje shkencore, të palëkundshme. As Bunge dhe askush s’na e sqaroi ende si pati “nisur jeta”, sot e 3-4 shekuj ka që shkencëtarët merren me këtë problem. Vallë prej nga pra e drejta t’i flakin tutje idetë e njëri-tjetrit, hm!

Dmth., sipas autorit Bunge problemi më i madh i njeriut dhe i shkencave të veta sot na qenka vetë Problemi. Problemi edhe si “njëjës” por dhe si “shumës” (si grumbull problematik). Pasi është problem i madh nëse vetë shkencëtarët (mes vete) s’ia dalin të merren vesh lidhur me problemet. Po ashtu, siç e dimë problemet rriten, problemeve s’u pëlqen të “zvogëlohen” – ndoshta vlen e kundërta, problemeve u pëlqen të rriten, të zmadhohen e të shumëzohen.

Derisa problemet nuk ekzistojnë, kuptohet atëherë as nuk flitet për probleme – atëherë thjesht “no problemos”. Por nëse problemet ekzistente kanë prirjen të problematizohen me hujet e “rritjes e të shumëzimit”, këtë proces shkenca e njeh si “akumulim problematik i problemeve”. Ndoshta sipas Bunge të gjitha problemet qenë nisur dikur nga një Problem i Madh. Buuumi qe nisur nga hiçasgjëja kaotike-problematike, problemthet qenë bërë bashkë si Problem i Stërmadh, dhe e patën pushtuar gjithë universin.

***
Pakashumë “logjika” (sot, tani duke shkruar) do duhej t’ishte si vijon:
mospajtimi thelbësor problematik i shkencëtarëve të botës sot vërtitet rreth dy ideve kryesore. Duke i lënë anash me qindra kategori e nënkategori të lëmive e të interesave studimore, shkencëtarët sot do ndaheshin në dy grupe bazike, në “shkencëtarë teistë” dhe në aso “ateistë”.

Këta të parët, shkencëtarët teistë ngulin këmbë triumfalisht se “dizajni inteligjent” është shuplaka dhe grushti teistik për evolucionin darvinian. I cili (sipas tyre) është pra një lloj përralle ateistësh rreth “krijimit”, e rreth evolucionit të jetës.
Ndërsa dihet sa lart i “varin qepët” evolucionarët, e sidomos neo-evolucionarët, booo s’prekin fare në tokë nga kokë-lartësia.

Vetëm dy grupe shkencëtarësh, por as pas 3-4 shekuj të shkencave, ende s’pajtohen rreth “zanafillës së jetës”. Ende s’e gjetën as të vërtetën, as gjysmën e së vërtetës. Madje s’e kemi idenë nëse do ta gjejnë ndonjëherë.

Sa për dilema e trilema i kishin dhe stoikët, epikuristët, e edhe cinikët e lashtësisë. I kishte “dyshimet” e veta dhe Diogjeni i ngratë, edhe “athinistët”… të gjitha shkollat. I kishte dhe Hipatia e Aleksandrisë, ama s’bënte zhurmë, aq modeste, shkencëtare e heshtur. Sepse më e ndershme të heshtësh – më mirë heshtje derisa ta kesh gjetur mirëfilli, derisa ta kesh “zgjidhur” problemin. Pse duhet bujë e pompozitet me teori e hipotezash kot, ashtu-kështu ende s’je i “sigurt” as për idenë!.

Po bëhen me dekada (vetëm të gjeneratës sonë, duke i lënë 2-3 shekuj pararendës, s’po i përmendim shekujt e kaluar) edhe sot e kësaj dite secila palë defilojnë me lloj-lloj tekash të pseudo-shkencës, me retorikat e me patetikat! Bie fjala, abiogjeneza mund t’jetë o e saktë o e pasaktë, o njëra o tjetra. Përndryshe s’do quhej hipotezë.

Ama këtë “ose – ose” mund ta dinim dhe vetë, pse duhet lodhur shkencëtarët. Vallë pse na duhen me shekuj të hamendësimeve. Vallë për hipoteza e spekulime qenkan ndarë mbi 500 Nobela deri tani – jo pra, por për shkencën e mirëfilltë. Problemet “ose – ose” mund t’i dimë dhe vetë. Kot shtiren gjoja si “shkencëtarë teorikë”.

Madje dhe vetë kalkulatori i parë digjital (si inteligjencë makinale) e “di” – o është 0, o 1. Sepse të vërtetat dhe saktësitë shkencore aq të thjeshta janë. Ja pse ndoshta dhe vetë kuantat shtiren se mund t’jenë njëkohësisht 1 dhe 0 – thjesht sa për t’i hutuar shkencëtarët. Ndoshta kuantat presin derisa këtyre t’iu shkojë mendja “0”, dhe hooop ato të thonë “1”, për inat.

Dmth. duke i kujtuar deklaratat se vetëm njeriu e ka aftësinë të merret me “probleme”, asnjë gjallesë tjetër, dhe nëse supozojmë që shtazët tjera inteligjente të planetit (psh. delfinët) nuk shtiren por vërtet s’kanë probleme, tutje duke marrë parasysh faktin se njeriu është e vetmja krijesë e universit që ka probleme serioze, dhe derisa me dekada e me shekuj tashmë njëra palë e shkencëtarëve e grushtosin palën tjetër me retorikat e shkencës “teistike – ateistike”, atëherë ndoshta neve joshkencëtarëve s’na ngelet tjetër pos të eroteizojnë lidhur me gjithçka “teiste + ateiste”, lidhur me të gjitha shkencat e kësaj bote.

Sipas ideo-shkencës së A. Bunge, tani më duhet të “shkruaj” se pinguinët as delfinët s’paskan probleme. Koalat ndoshta 90% të jetës e kalojnë në gjumë, jetë sedentare duke u kotur, sepse s’kanë probleme. Sëpaku s’kanë aso politike, as probleme shkencore, s’kanë probleme me njohuritë, me ushtritë, me ekonomikat, me vlerat, me poezitë, me etikat, me filozofitë, me asgjë.

Shkurt, koalat, pinguinët e delfinët s’janë as “gjallë”. Mbase thjesht diç si bio-simulacion a la deus scientia, ndonjë hologram këmbëngulës (do thoshte Anshtajni). Ama jorealistik, jeta e tyre është diç si “iluzion” i kulluar, sepse s’kanë probleme. Speciet tjera ende s’e dinë se problemet lindin në mendje – vetëm gjallesat inteligjente e kanë privilegjin e “problemeve”.

Kështusoj del se të gjitha problemet e universit qenkan mrekulli e inteligjencës së njeriut. Mos vallë prandaj universi i shkretë askund jetë, i zbrazët, asnjë frymë as pipëtimë. Tekefundit deri sot shkenca s’di gjë, për asnjë “formë të jetës” jashtëtokësore s’ka gjetur ndonjë fakt. Vetëm këtu në Tokë jetë gjithandej. Hm… nëse njeriu ndalet e mendon pakëz, mjaft e çuditshme “jeta”, dhe njëkohësisht tmerrësisht unike.

Siduket në gjithë universin vetëm planeti ynë kishte probleme, vetëm Toka. Andaj planeti e shpiku jetën sepse i duhej zgjidhja. Problemet i zgjidh inteligjenca, forma inteligjente e jetës – askush s’i fajëson amebat që s’dinë t’i zgjidhin problemet e planetit! E vetmja specie e universit që e ka aftësinë anti-problematike është Njeriu. Jeta qe shpikur enkas për njeriun si qenie, misioni i tij qe caktuar si “dashuri ndaj eliminimit të problemeve, si rënie në dashuri me zgjidhjen e problemeve”.

Ja pse njeriu s’i do problemet, i urren problemet, njariu parapëlqen vetëm zgjidhjen e problemeve. Tërë kohën është i hutuar me zgjidhjen, assesi me krijimin e problemeve. Duke qenë specie sociale (kuptohet, s’mund t’jesh “social” nëse na qenke prolematik, asocial) dalngadalë u zhvilluan komunitetet, fshatrat, qytetet, shtetet… Sot madje janë Bashkuar dhe Kombet, ja pse organizohen panumër samite e konferencash të paqes. Ja pse i kishim Athinat e Minervat e mençura, ja pse i kemi me miliona mite e simbole. Ja pse madje dhe romakët (që e pushtuan gjithë botën paqësisht e qetësisht, pa luftra, pa gjakderdhje) e kishin gjoja një perëndeshë të Paqes, Pax Romana.

Paçka se romakët i patën huazuar Irenat e paqes së grekëve, ama s’ka rëndësi. Se mos grekët na paskeshin qenë vetë “origjinalë”, edhe ata i huazonin me alfabeta e me legjenda. Edhe egjiptasit, babilonasit, e me radhë… varg e varg. Shkenca s’ka fakte, s’ka as vetë mitologjia ama përrallat e mitet qenë huazuar ashtu deri në kohën e Dino-Dinastisë, deri qindra miliona vite në të kaluarën.

Rëndësi ka vetë mrekullia – dashuria sociale e njeriut gjatë historisë e mundësoi qytetërimin e njeriut. Sot, bie fjala Facebook s’është gjë tjetër por një lloj dëshmie e avancuar, një lloj “epitomacie” e evolucionit social, rafinuar gjatë panumër mijëvjeçarësh. Ndërsa urrejtja ndaj problemeve ishte shtytja, frymëzimi, lokomocioni, vetë inercioni i jetës tokësore. Për fat të mirë në këtë drejtim s’ka ndryshuar gjë, as sot e kësaj dite.

Urrejtja ndaj problemeve edhe sot matet si dikur në kohën e Aleksandrit; me dhjamin e “Apollonit”, me djersën e armadave të Napoleonit, me lëngun eksploziv të “Armagedonit”… Meqë, sipas teknologëve, edhe problemet janë pakashumë njësoj si raketat. Qofshin aso të historisë për t’i lançuar tmerret e Hiroshimave (mos i var vetullat tani, avioni i bombës atomike mund t’ishte dhe raketë), o qoftë ai “Saturni” gjigant diku në Florida. Veglat ishin dhe kanë ngelur vegla. Quaji si të duash veglat e skllevërve të piramidave, quaji si të duash raketat moderne, por janë njësoj, vetëm vegla – asgjë s’ndryshon.

Njeriut sot i është mbushur mendja ta vizitojë Marsin. Pse jo, shkencës dhe teknologëve u duhen dhe kolonitë planetare. Jo vetëm sepse kolonitë e dikurshme tokësore dhe skllavëria e mijëvjeçarëve tutje nuk justifikohen (gjoja me etikat, kështu thonë moralistët). Mirëpo për fat të mirë s’është as nevoja për justifikime, historia ishte se ç’na ishte. Pasi njeriut s’i duhen tutje skllevërit e kolonive të Afrikës, tutje do t’përdoren vetëm skllevërit e robotikës. Ndërgjegjen të qetë…

Edhe nëse (herëdokur) ta kemi ndonjë kryengritje AI-robotike… prapë do t’jetë për shkak të shkencëtarëve. O do bëjnë ndonjë gabim, o do i keqllogarisin gjërat o padashtas do ngatërrohen. Mirëpo, sot për sot s’është ky problemi, shkencën s’e brengos marramendja teknologjike, shkenca i ka nën kontroll me butona e me vegla. Ama as shkenca as njeriu tani për tani s’e kanë të qartë si kontrollohen vetë shkencëtarët. Meqë ego-ja e tyre doli t’na jetë më e tmerrshmja, më e çuditshmja.

Nuk them për ndonjë “Elysium” diku në orbitë (do kushtonte tepër shumë, e prapë do ndryshkej) ama propozoj që Marsi t’u falet shkencëtarëve, me dekret e me tapi, përgjithmonë i tyre si koloni e si shtëpi. Propozoj t’ua falim Marsin, me kusht që t’shpërngulen në Mars përgjithmonë. Dhe nëse donë, pastaj le ta ndihmojnë Tokën me shkencat e me dijet e veta nga atje.

Sikur të iknin në Mars, t’na linin këtu ku jemi rehat, i gjithë planeti (Toka jonë e bukur) do çlirohej e do merrte frymë lirisht. Do ngeleshim ne joshkencëtarët, qyetarët ordinerë, pastaj të gjitha speciet e planetit, me delfinë e me pinguinë pa “probleme”. Ndërsa Marsin komplet le ta marrin e ta ndajnë për vete. Le ta kolonizojnë, le t’merren me shkencat, me shpikjet, me teknologjitë deri sa të “çmenden”, dmth. derisa ta shpenzojnë gjithë mençurinë. Tokën le ta lënë thjesht në brengën tonë, s’kanë pse mërziten. Sa për mua ua fal dhe yjet madje, le t’i vjelin një e nga një… gjithë yjet e gjithësisë.

Sepse nëse nuk shpërngulen në Mars (shpërngulje për t’mos u kthyer kurrë), herët o më vonë do ta pësojë Toka, do t’ngelemi pa planetin. Pa ke që dhe për ta më mirë. Për t’u marrë me problemet tutje pa dështime e gabime, ndoshta për shkencëtarët më së miri do ishte pakëz pushim. Kolonizimi i Marsit do ishte diç si “vacation”, diç si vajtje në Ibiza. Ashtu-kështu biletat i paguajnë industrialistët e shkencëtarët e pasur, me paratë e qytetarëve.

Të shkosh në Mars, a kudo për pushime, në Havajet apo në Ibiza, dihet se kushton. Ja pse kur përmendet Marsi flitet dhe për “biletat njëdrejtimëshe”. Afërmendsh, sepse s’ka kuptim t’i shpenzosh me miliarda e triliona për raketat që treten e digjen. Sidoqoftë, gjërat e pakuptimta për neve (meqë s’i kuptojmë), ja që kanë “kuptim” për shkencën. Kolonitë dhe teknologjitë duhet të mirëmbahen e të zhvillohen. Askush s’di t’i përdor teknologjitë më mirë sesa shkencëtarët e teknologët. Le t’vazhdojnë me avancimet atje në Mars.

Nga njëra anë e kemi “Marsin” dhe të tilla problematika të “shpërnguljes”, në anën tjetër, gjithë mediat e planetit trumpetojnë se paskemi probleme me fëmijët e uritur, me nënat e sëmura të Afrikës etj etj. I kemi shkencat por kot, shkencat e gjithë kontinenteve tjera s’mund t’i ndihmojnë fëmijët e Afrikës. S’ka kush i paguan as ilaçet. Sepse të gjitha të drejtat e raketave të rezervuara nga raketat. Të gjitha miliardat e tankseve, miliardat e nëndetseve që me dekada bredhin kot oqeaneve… të gjithë trilionat e armatimeve, për fat të keq janë të rezervuara nga bombat.

Mediatikëve u ka ngelur ves, vazhdojnë me ekzagjerimet, donë t’na i vjedhin zemrat me euforitë e tyre të fabrikuara. Dhe jo vetëm ata, madje dhe Kombet e Bashkuara i shpikin pompozitetet e llojit “këtë vit kemi me mijëra vdekje fëmijësh, mungesë uji të pijshëm, s’ka ushqime, kishte plot sëmundje e SIDA-sh, luftra gjithandej, refugjatë e krizash, vrasje e kidnapime, bombardime, qindramijëra viktima…”.
Sidoqoftë, mjaft me anën euforike…

Sa për anën teknike, Njutni dikur aq mirë i pati llogaritur gjërat. Fillimisht duhet djegur gjithë rezervat e nëntokës, eshtrat e organikat e qindra miliona vitesh të dinosaurëve. Sëpari duhet planeti të lehtësohet e të ngrohet, tek pastaj mund t’jenë realistike ëndrrat e Marsit. Nuk janë thjesht huje gravitacionale, gjoja raketat t’ia bëjnë me hile masës së planetit, të shkëputen më lehtë nga “kthetrat” e gravitetit. Nëse dinosaurët t’ishin raketa – pati sqaruar Njutni, do duhej ta digjnin veten pothuaj komplet, për t’arritur vetëm njëri sy në Hënë. Është thjesht kusht i raketave – insistonte Njutni me formulat e veta!

Ja pse aq e shtrenjtë jeta, ndoshta shtrenjtësia e shpjegon pse universi ngeli pa jetën, ngeli i ftohtë, armiqësor ndaj “jetës”. Jeta (kjo diç kaq çuditshme) ende enigmatike, shkencëtarët me shekuj duke shkrirë mend dhe ende s’dinë as fill as zanafillë. As dinosaurët kurrë s’e morën vesh, me qindra miliona vjet u vërdallën kot, pa qenë as “gjallë”. U kthyen në naftë për “shkencën” e sotme. Edhe nëse të shtireshin “transformerë” të Hollivudit (të ktheheshin gjoja në raketa të shtrenjëta) prapë do t’ngeleshin kurthuar diku në rrezen orbitale. Universi s’do i pranonte… sepse s’kishin probleme.

Vetëm njeriu ka probleme, vetëm njeriu di si shpiken, si krijohen + si zgjidhen problemet. Duke patur probleme “dëshmohet” se je i gjallë, se gjallon. Të gjitha speciet e planetit kot… s’janë “gjallë” sepse s’kanë probleme. Njësoj pinguinët, njësoj koalat, s’kanë probleme, si rrjedhojë s’kanë as inteligjencë për t’i zgjidhur problemet inteligjente. Vetëm njeriu…

Shkencëtarët e dinë se pa problemet Toka do t’ishte e vdekur. Planeti e pati shpikur jetën inteligjente për t’i zgjidhur problemet e veta. Nuk është kot Venera e vdekur, Marsi i vdekur, Merkuri, të gjitha planetet pa jetë. Sepse s’kanë probleme, s’mund të gjallosh nëse s’ke probleme!

As marsianët e gjelbër, edhe ata vetëm imagjinatë, realisht s’mund të ekzistojnë as në Mars (gjoja në planetin “amë”). Sepse s’i njohin as politikat, as luftrat, as shkencat. S’i kanë parë bie fjala me miliona tankse, nëndetëse e raketa, miliona hekurishte që fluturojnë, që lundrojnë, miliona teknikash që ushqehen me “lëngun dino-fosilik”, miliona armë që kushtojnë me miliarda e miliarda. Të gjitha si mrekullira të “shkencës”. Shkurt, meqë s’i njohin këto, e qartë, marsianët e gjelbër s’kanë probleme. Meqë s’kanë probleme dmth. as nuk ekzistojnë.

Ndoshta dhe Hëna pati dhënë “shpirt” sepse satelitët artifiça ia filluan me eliptikat e me orbitat, shtireshin si fluturash Solaris. Ndërsa këtu poshtë goja e “Problemit Gjigant” të shkencëtarëve thuase do ta hajë dhe vetë Diellin. Gjuha e shkencës tokësore vërtitet si elisë retorike, morali shkencor si tymnajë e shekullit XXI.

Ka plot 4 shekuj, deri sot s’e tha kush se shkencëtarët na qenkan të përkryer. Nëse as vetë hyjnorët e mitologjive s’ishin të përkryer (dhe vetë zotat e Olimpit merreshin dikur me hile ndaj njëri-tjetrit), pse pra duhet t’jenë të përkryer shkencëtarët!? Pikëçuditjet e pikëpyetjet tona asgjë – këndellu nga çudia erotetike dhe ti lexues i ngratë!